Poezi nga Dijana Toska
AJO
Seç ju shkrep
deshti me u ba pronare e dashnisë
pikërisht asaj që nuk i takoi kurrë
përpjekje e kotë
me u ngi me buzët e tij
me i zotërue.
Egoizëm,
me e marrë veç për vete
krejt ëmbëlsinë e nektarit të shenjtë nga buzët e tij.
Në botën e vogël të dashnisë, i thanë s’janë buzët për ty
u çmend dhe emrin e ndrroi
e quejti vehten dëshirë
aso e madhe, e flaktë, si krejt dashunitë e pamunduna
hirin që la pas, krejt ai zjarr, u shenjue me vulën e sajë
mbet veç hi, gacat u shuan vetvetiu duke psherëtirë.
U harrua,
nuk ja kujtuan emrin kurrë
namin ia mbuluan me hi
s’ja thanë kurrë, e harruan fjalën me të cilën në imagjinatë
e kishte pagëzue veten.
Nuk la rrugë pa shkelë, e send pa provue
të pushtojë me bukuri, me aromë femre
si asnjë tjetër, me puthje
e panë me përbuzje, e kafshuan në ego deri në dhembje.
Pra, u nisë të sjell veç lumturi e solli veç pikëllim
u lajthit pa dashje
shkeli në dërrasën e gabuar.
Deshti me u humbë, me u avullue si kujtim, me u shndrrue në poezi
fjalët e sajë, po grindeshin mes vete
shpejt e shpejt u kapën flokësh
e u hoqën zvarrë nëpër vargjet e Sizifit
i thanë: je veç një kopje e zbehtë e romantikëve të kohës
e gjykuan krejt padrejtësisht
secila romansë është origjinale
ajo këtë fort mirë e dinte.
Dhe në fund krejt, ajo, u tërhoq e mundur
kërkoi azil në pyllin e heshtjes
i mori për vete sekretet të cilat nuk ia kuptoi askush
si një ushtare, e hekurt, e ashpër duke klithur nëpër univers
u kthye në hanë
se askush, asnjëherë, nuk arriti të shohë anën tjetër të saj.
I kuqërremtë, Dielli
E ndjen se si harresa po i hap portat e rënda
një shkëlqim i zbehtë n’prag t’muzgut po shpërthen
është Dielli në fikje që përthyen rrezet e fundit
mbi ato fusha t’blerta
mbi ato ara me grurë.
Rrezet si ar i praruar
pushtojnë sytë e përlotur nga gjithë kjo bukuri.
Dielli rrëzohet në skaj të horizontit
i gatshëm ditës t’i jep lamtumirën,
ndjen se tashmë është bërë i huaj
krejt sikur pamje me rezolucion të dobët,
ëndrra
po i mbledh me duar rrezet e veta
e do me i futë në thesin e një nate të vetme,
që nuk dihet se çka do të sjellë.
Ehhh, të bekuarat.
Yjet prapa perdes së errët
përgatiten me afshin e zjarrit për të pushtuar gjithësinë;
presin hëna të dalë e t’u japë së paku një shenjë,
për me nisë
lojën e madhe të natës.
Shkëlqejnë ato si nuset e kohës,
yjet dhe dielli.
Veç një yll është në sytë e mi
me qepalla, gjysmë të mbyllura
gati për nusërim.
Po, yjet, lozonjare, bishtdredhura e verbuese
deri në dhembje
n’errësirën e universit paturpësisht shkëlqejnë
dhe vërejnë se si drita dhe terri
nëpër hapësirë harbojnë.
Loja e tyre pa fillim e pa fund
na pëshpërit këndshëm për amshim
nëpër derën e madhe të kohës
veç hyn dhe del.
Krejt kjo zgjat derisa qerpiku i hënës drithëron
mbi syrin e saj joshës;
aq shpejt hëna ikë nëpër qiell
sikur veten ndjek dhe djeg në prarim.
Të gjitha perëndimet në qiell
bëhen me të kuqërremtën;
derisa shteren sytë,
derisa lotët thahen shqim.
© Dijana Toska