Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti

 

Shqipëria ime!

Ah, Shqipëri,
Të betohem, nuk je në vete!
Dashuria për ty gjithçka më çmend;
Askush s’mund t’i arrijë thellësitë e tua në shpirtin tim
Atje ku ti ke zënë vend!

Asnjë dashuri nuk vjen para teje në kalendarin tim,
Asnjë jetë nuk ka vlerë sa fjala Shqipëri;
Përfundimisht nuk e kuptoj më vetveten,
Unë kosovari trupgjatë i ndëshkuar prej teje
Sa e sa herë!
Dhe prapë më je e pambërrishmja ti!

Gjuha ime nuk e dëshiron zbërthimin e këtij misteri.
Ato lindën bashkë në të njëjtën kohë.
Thatësia e ashtit që më lidh me ty,
Ngado që më ikën me mendjen, me trupin,
Shpirti im më fle me Besë vetëm në Arbëri.

S’dua të shkruaj me figuracion për ty,
Po Drianti më thotë:
Babë, për Shqipërinë më shkruaj më rreptë!
E çfarë t’i them unë birit tim për ty,
Të dua aq shumë, lakuriq si je,
Me fjalë të thjeshtë, pa simfoninë poetike,
O i shtrenjti im atdhe!

Ah, Shqipëri!,
Të betohem, nuk je në vete!
Shenjtëria jote po më zverdh
Dhe prapë pa ty s’mund të mbes!
E kërrusur në krime me batakçinj gjithandej
Dhe prapë, Princesha ime,
Dashuria për ty është më e paarritshme
Sesa në çdo çast për ty të vdes!

 

Bjeshkët e Nemuna i mbulon me flokë?

Terri ikën me hidhërim prej yjeve,
Si hakmarrje e solli bukurinë e natës në tokë;
Madhështia e hirtë e rënë me pamje perri,
Ta çmendë vetminë e thellë;
Mendimet e fajësojnë njëri-tjetrin në kokë!

Më dërgon me urgjencë një shenjë;
Poshtë saj lexoj fjalën «Të lutem!»,
Duket si një përgjërim suprem i përulësisë.
Çfarë troket në këtë klithje të vonë?
E vetja mu duk me brengë si Gjorg Berisha;
Nëpër malet e Oroshit fillova të ngutem.

S’e marr vesh çfarë frike ka në zemër,
Përse i merr ngrykë Bjeshkët e Nemuna,
Si Doruntina vëllezërit kur iku për nuse;
I kalëron e vetme ato me kalin gjok
Dhe shkrepat gjersa puth me retë i mbulon,
Si falangat dardane nen rrethim,
Me të bukurat flokë.

 

Vitet e fshehura…

Ta shijoj padashje bukurinë e kohës së njomë;
Ecim përditë kundër rrjedhës,
Siç notojnë peshqit nëpër lumë
Dhe një ditë kur të jesh e dashur në martesë,
Mos harro,
Moshën e njomësisë tënde e ke të arkivuar tek unë.

Mos ke brengë për vitet e fshehura,
Besën e kam të trashëguar në trung,
Në shpirt kam vënë kasafortë të veçantë për ty.
Dhe kur të jesh pjekur më në fund
E fëmijët të ndjekin përdore nëpër rrugë,
Do të vij të ta lë ‘Dosjen e Rinisë’ në stolin e kopshtit,
Në atë vend ku ti mediton dhe mediton,
Dhe e vetme rri!

Mos e hap atë mbërthim të palosur me kujdes,
Siç ta shpalosja gjoksin dikur,
Sikur rrezon hëna, siç thotë poeti popullor;
Shtrihu në bar e shkronjat brenda zarfit mos i lexo;
Ke mallin tënd me dhimbje të gdhendur aty;
Merri erë kuptimit si luleve nëpër rreshta
Dhe do ta ndjesh dashurinë e pa thënë
Atë dhuratë të jetës së lënë peng,
Si dëbora mbi të ashprat kreshta!

Mos e kthe kryet pas
Ah, dashuria ime e vjetër aty nuk jam,
Kam ikur sërish;
Nga retë të vështroj si një engjëll,
Por edhe kjo është një rreng;
Kam leje për të të parë vetëm një herë;
Unë jam në ferr,
Atje i ndëshkuar në vuajtje jam,
Dhe ti ta dish e gjithëkohshmja ime,
Jashtë shpirtit kurrë s’të kam lënë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s