Poezi nga Kujtim Hajdari

Poezi nga Kujtim Hajdari

 

DO TA MBAJ NË GJI

A ka lodhje në dashuri?
(Është e trishtë ta mendosh)
Unë akoma nuk e di.
Ende dicka më përvlon në gji.

Më thuaj ti, vërtet u lodhe?
Fjalët e asaj dite të rëndë,
Timpanin e veshit më shpojnë ende:
“Dashuria më ka lodhur, dua të pushoj….”

Më mirë mos e thuaj,
Edhe pse ke ikur larg, larg …, nuk e di,
Frika do t’më marr me siguri,
Kur mendoj se një ditë do të lodhem,
Dhe imazhin tënd do ta flak tej, me bezdi.

Ku do ta flak, në det?
E di që valët do t’ma nxjerrin përsëri në breg,
Rërën e plazhit do ta ngrenë stuhi,
Edhe pse i qullur e i pistë, unë do ta perkëdhel përsëri.

Ta hedh në lumë?
Shpateve të tij do të kapet me thonj si alpin,
Edhe pse i lodhur, do të kërkojë të mbahet pas ndonjë rrënje,
E unë prapë do t’i zgjas dorën, ta tërheq me dhembshuri.

Ta hedh në zjarr?
Nuk do ta djegi, zor se e shkrin,
Në stuhi dashurish është bërë diamant,
Përmes flakëve do të ndrij si rubin.

Ta flak në qiell?
Erërat s’e shkërmoqin dot,
E nuk kanë për ta shpërndarë në atmosferë,
Te retë do kacaviret,
E në lotë shiu do të shfaqet përherë.

Është e kot,
Do ta mbaj fshehur në gji,
Të mbështjellur me këngët e dhimbjes,
Do ta vë në gjumë me ninullat e mallit.
Derisa lodhja nuk do t’më mposht,
Derisa lodhja nuk do të vijë,
E në u kthefsh ndonjë ditë, fshije ti,
Imazhin tënd, dashuri.

 

MBRËMJE DJALOSHARE

Pije, këngë nuk i ndajnë
Hijes shelgut djemtë zambakë,
Gotat rishtas i përlajnë,
Gojën zgjidhur, sytë flakë.

Degët poshtë shelgu dehur,
Dhe qepallat rënë për tokë,
Në purpur është zbehur,
Rri me djemtë kokë më kokë.

Kuvendojnë për gjeraqinë,
Zana malesh , nimfa uji,
Fustane që fërfërijnë,
E për sy që vetëtijnë.

Kitar’ e vjetër zë e qan,
Qan e qesh si zemr’e djalit,
Thërret vashën që ka humbur,
I dridhet zëri prej mallit.

Nëpër tela, nëpër nota,
Bukuroshet hidhen, dridhen,
Nëpër netë hënëplota,
Presin djemtë, vajzat mblidhen.

Presin vajzat ballëhënë,
Parfumojnë trendelinë,
Gushëbardha , vetullrënë,
Bëjnë të heshti perëndinë.

Nëpër gota venë e vijnë,
Një Rajmondë e një Kristinë,
Një flokart, një syshkruar,
Këmbëshishe, gjokstërbuar.

Djemtë pijnë me fund rakinë,
Flluskat ndezin fantazinë,
Ku ka humbur belkëputura,
Çapëlehta porsi flutura?

Fjalëmbla si bilbili,
Syndezura, zemërdielli,
Kishte hije barjeshili,
Mbushur sipër copëra qielli.

Këndoni, o djem, këndoni,
Këngën vajzat kur dëgjojnë,
Do të mblidhen ku i ftoni,
E me ju do të kuvendojnë.

Do t’ju marrin të gjithë peng,
Gush’ e faqe s’do t’ju lënë,
Buzëkuq, aromë pranvere,
Do t’ju mbysin nëpër këngë.

Shelgu plak me lotë malli,
Do të qaj rininë e shkuar,
Gëzoni bijë, se vetëm mali,
Tjetrën jetë s’ka provuar.

Gëzoni bijë, këtë jetë,
Bukurinë që ka mbi tokë,
Tjetra botë ç’do të ketë,
Le ta lemë një tjetër mot.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s