Përballë një kërcënimi… / Tregim nga Hyqmet Hasko

Përballë një kërcënimi…

 

Tregim nga Hyqmet Hasko

Ajo që kishte në duar ishte si një bombë me sahat, e ftohtë dhe e nxehtë njëherësh, e frikshme deri në ankth sindromik. Lajmi do të bënte bujë dhe do të lëshonte në qiellin e përflakur mediatik “raketa” me rreze të largët veprimi…
Ditmiri doli nga zyra duke turfulluar, në rrekje për ta fshehur gjendjen e trazuar shpirtërore. Ndieu një nevojë të ngutshme për të pirë disa cigare dhe një kafe shqeto, në lokalin e mirënjohur “Adrenalina” ku pinte gjithmonë.
Kalimthi vuri re se kishte disa mesazhe të palexuara në celular, por nuk iu kushtoi rëndësi. Kjo qe kthyer në një rutinë dhe leximi i tyre nuk e kishte më atë ndjesinë e befjes, pasi shumica e përgëzonin për shkrimin e radhës, pa e lexuar shkrimin deri në fund. Ky formalizëm dhe ngutje për t’i bërë qejfin e acaronte. Kishte dhe nga ata lexues që i shkruanin me zemër në dorë, ngaqë e ndjenin së thelli përkushtimin e tij dhe kjo e ngrohte. Për më tepër, e shtynte për të qenë akoma më i përkushtuar dhe pasionant në kërkimet dhe investigimet e tij.
E dinte që shumë persona i prekte në kallo dhe i bënte armiq, por aq i bënte. Më mirë disa armiq pa të drejtë, se një shumicë armiqësore me të drejtë, pak a shumë ky ishte mesazhi i profesorit të tij, Andit, gjatë atyre leksioneve të gjata në auditorin e mbushur cyt, ku ai shtjellonte motivimet dhe përballjet e shumëfishta të një gazetari investigues.
Erdhi kamarierja,si gjithmonë e qeshur dhe e freskët, me atë rimelin ndezës të syve ngjyrë rozë, që e bënte aq joshëse dhe provokuese.
-Të qenkan mbytur gjemitë! Qënke zhytur në të thella…
Tjetri bëri një grimasë buzëqeshje, e cila më shumë ngjasonte me një nënqeshje të lodhur dhe me shije të hidhur. Vajza e vuri re se nuk ishte në formë dhe iku me ngut për t’i sjellë kafenë, siç bënte gjithmonë…
Ditmiri solli ndërmend takimin me burimin e tij, që punonte në një zyrë të rëndësishme që lidhej me hetimin e parave të pista. Ishte një djalë i ri nga një qytezë minatorësh, që e kishte çarë jetën me vështirësi dhe ia kishte dalë të punonte në një zyrë tepër të rëndësishme dhe tepër sekrete. Kishte disa kohë që i jepte informacione konfidenciale, sigurisht pa shkeklur detyrimet kontraktuale me zyrën e tij. Informacioni i fundit e pati tronditur. Bëhej fjalë për një aferë disadhjetëramilionëeuroshe e një një ministri, që qe përfshirë në skemat ofshare të investimeve në një vend të huaj, ku nafta dhe korrupsioni rridhnin lumë.
Dje burimi i tij, të cilin ai e thërriste “Plepi njomëzak” i pati sjellë disa dokumente tepër kompromentuese dhe ai po i ruante ato me një kujdes që arrinte deri në fanatizëm, pasi flitej për një skandal të rëndë me përmasa jo vetëm shqiptare, por dhe më gjërë
Formoi numrin e kryeredaktorit dhe në pritje të zërit matanë ndezi një cigare me duart që i dridheshin. Nuk e kuptonte se ndihej pak si nervoz dhe këtë e tregonin gishtërinjtë e gjatë e të zverdhur nga nikotina që mezi e mbanin bishtin e cigares Kamel, e vetmja markë që pinte tash njëzet vjet, që kurse pati mbaruar gjimnazin dhe e pati ndezur duhanin, kundër çdo orientimi familjar dhe madje presioneve që të mos e vinte në gojë atë helm, siç e quante me të drejtë i ati, i cili, nga ana e tij, pinte minimumi tre paketa në ditë.
-Diti, e lexova…skeletin e shkrimit… Nuk di çfarë të them…Është një bombë e rëndë…Druaj se shpatullat tona të ngushta nuk e mbajnë dot…një peshë të tillë…Zëri i kryeredaktorit iu duk sikur vinte nga thellësitë e katakombeve.
-Nuk është ashtu. Ne duhet të jemi krenarë që zbulojmë të parët tentakulat e një skandali të tillë. Përmasat e tij janë të frikshme. Ajo që kam shkruar unë është vetëm maja e ajzbergut…Nuk flitet vetëm për zhdukjen e dhjetëra milionë eurove, por dhe disa vrasjeve të bëra në errësirë dhe të mbetura mister, ende të pazbuluara…
-Duhet të flasim nga afër…, -iu përgjigj Kryeredaktori.-Nuk janë gjëra që mund të thuhen dhe të sqarohen në telefon.
Diti u ngrit dhe doli me ngut nga kafeja që zhurmonte. Teksa kalonte pranë punës së të motrës, u kujtua që kishte dy ditë që nuk e pati parë dhe e kërkoi tek sporteli.
Linda doli e qeshur dhe me sytë rrezatues, që i llamburisnin nga larg, teksa zbriste shkallët.
-Hë vëllaçko?! Ç’të gjeti që erdhe të më takosh? Ti rrallë kujtohesh të më vizitosh në punë!…
-Ashtu kot, Linda,-mërmëriti Diti.-Më ra rruga dhe thashë të të takoj dy minuta. Mbeta në punë ditë e natë dhe nuk po të shohh. Nuk kam asgjë. Thjeshtë meqë kalova këtej…
Ata bënë një copë herë muhabet në lulishten pranë institucionit të saj, ku karafilat, vjollcat dhe borzilokët sapo kishin nisur të lulëzonin.
Kryeredaktorin e gjeti gjithë nerva. Shkumëzonte i gjithi
-Çfarë ke?-e pyeti Ditmiri.
-Nuk di ku e ka marrë vesh ministri K. Ti a mos i ke thënë gjë njeriu?
-Askujt. As njerëzve të mi. As motrës dhe nënës. Ti e di, nuk para bëj muhabet për çështjet e punës…Aq më tepër në një rast të tillë…me kaq spec!…
Kryeredaktori rrinte me duar të mbështetura në bërryla, i bërë meit në fytyrë.
-Dikush më ka kontrolluar sirtarët dhe ka lexuar shënimet e tua rreth shkrimit. Dhe me siguri ka sinjalizuar minsitrin K…E kemi të keqen brenda nesh, në stafin tonë. Ka kohë që dyshoj se ministri K paguan dikë për të ditur çfarë bëhet në redaksi, çfarë piketohet për t’u goditur…
-Të bëri presion?-e pyeti Ditmiri kryeredaktorin, duke aluduar për ministrin K.
-Më bëri. Thuajse më këcënoi hapur që të mos guxoja ta botoja shkrimin.
-Nesër aty nga ora dhjetë shkrimin e ke gati. Dhe duhet ta botojmë patjetër. Ndryshe duhet të ngrejmë flamujt e bardhë dhe të jemi gjithmonë nën komandën e këtij palo ministri…-foli Diti i vendosur.
-Ti shkruaje një herë. Të shohim…Duke parë duke bërë.
-Jo duke parë duke bërë, por duhet të veprojmë shpejt. Frika nuk na çon askundi. Presionet e tij nuk kanë pse na trembin. Ajo që duhet të na shqetësojë është se kush bën lojën e tij brenda nesh, në gjirin tonë…
Kur u nda nga kryeredaktori, teksa po merrte rrugën drejt shtëpisë, ra zilja e celularit dhe nga një numër anonim dëgjoi një zë mashkullor të zgavruar prej basi:
-Ki kujdes djalosh. Mos luaj me zjarrin. Ki kuuuuujjjjjjddddeeesss! Essssssss!
Kaq dhe e mbylli duke i zvarritur germat dhe rrokjet në mënyrë të kobshme. Tjetri mbeti një grimë herë me celularin në dorë, duke ndjerë në vesh jehonat e atij zëri të frikshëm…
Në shtëpi hëngri diçka shpejt e shpejt dhe u zhyt në lodrime në internet, kur një sinjal i erdhi nga larg në ekranin e komjuterit të ndezur:
-Foli këtu…Foliiiii! Foliiiiiiii!
Profili i motrës së tij, Lindës, e alarmoi, teksa e pa atë të lidhur duar e këmbë dhe me gojë të mbyllur me ca manikota ngjyrë gri.
Rënkimet e saj nga interneti e sollën në realitetin e gjallë të asaj që po ndodhte. Motrën ia kishin rrëmbyer. Dhe i njëjti zë, po ai zëri, që e pati marrë para disa orëve në celular, me një numër anonim, e kërcënoi se nëse shkrimi do të botohej motrën nuk do ta shihte më kurrë. Nuk do t’ia gjeshë as trupin. Do ta mbështjellë në thasë celefoni dhe do ta mërgoj larg, shumë larg, në ata ishujt ofshorë ku ti mendon se rrjedhin miliardat e mafies…
Ditmiri po fërgëllonte i gjithi në një stres, që lëshonte sinjale sos nga çdo pore e lëkurës së tij. Ç’të bënte?! Të lajmëronte policinë?! Të tërhiqej nga ideja e botimit të shkrimit? Ta botonte, për t’u ndier i mbrojtur ai dhe që ky grup kriminal, që me sa duket drejtohej nga ky njeri i gjitëpushtetshëm, që ishte ministri K. të mos mundej të bënte gjëmën e paralajmëruar?!
Dilemat vërtiteshin në trurin e tij të lodhur dhe ai nuk po gjente karar me veten.
Rënkimet e motrës i vinin në vesh si sinjale kobi, që jehonin nga një botë e errët, mizore dhe gjakatre deri në kockë…
“Hë për hë po lajmëroj policinë dhe po botoj shkrimin,-vendosi Diti.
“Unë do të veproj në dritë të diellit, ai le të veprojë në errësirë. Drita gjithmonë e ka mundur errësirën”…
Pasi vajti në komisariat dhe bëri denoncimin, mori rrugën drejt redaksisë, më i vendosur se kurrë për ta botuar shkrimin dhe për të nisur një luftë që do të ishte e gjatë dhe e vështirë, një mission me shumë enigma e dritëhije, që ai u betua se nuk do ta linte të kthehej në një mison të pamundur…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s