Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

Ç’MË THA TRUNGU I NJË PEME

Një çift i dashuruar kishte gdhendur dy emra,
mbi lëkurën e një ahu degëgjerë e shtatgjatë.
Afrova sytë, te nyjet e pemës me dy zemra
dhe i fola me gjuhë pemësh, trungut kryelartë:

-Jam një mik i pyllit, që nga djalëria e hershme
dhe gjuhën e drurëve e kam mësuar atë mot,
kur gdhendëm emrat e dashurisë së pavdekshme,
me vajzën që mora grua, e vijoj ta kem dhe sot.

Trungu më tha: – S’mund të flas gjatë me një njeri,
që e njoh ndryshe, nga kujtesa e rrathëve të parë,
ku e kam, si çdo dru, që krijon rrathë në brendësi,
derisa të digjem nga rrufetë, ose pritem nga druvarë.

-Mund të më bësh vend, o dru, të hyj në trungun tënd,
si mik i vjetër i trungjeve pyjor, të flasim shtruar!…
– Ç’do më thuash, o njeri, – tha trungu me ton të rëndë, –
kur emrin e gdhendur, s’e ke më në zemër të shkruar?!

-Nga e di ti, o dru i moçëm, kur me gruan përkrahu,
ne jemi po ai çift, që rrathët e tu kanë regjistruar;
Kemi mbjellë e rritur tre filiza të rinj, si drurë ahu,
që bëjnë hije në pyllin njerëzor, të botës së bleruar…

-Nëse jeni bashkë s’do të thotë, se ende keni në zemra,
emrat e gdhendur, në trungun e zanafillës së dashurisë;
Derisa në zemrën tënde, kanë shkruar emrin disa femra,
nuk dihet, kujt i përket zemra jote, e ndarë shumëfish!…

-Heu!… hap një zgavër, të ta tregoj zemrën tek sytë,
ku ruaj të gdhendur emrin e asaj, që kam në shtrat!
-Ik tutje, s’ma hedh dot, o zemërgdhendur nga tradhtitë,
se të kam fiksuar, te kujtesa e rrathëve, në vitet e gjatë!

Çudi, psherëtiva, pasi u ndava me trungun, i mërzitur,
thashethemet regjistrohen edhe në drurët jetëgjatë?!…
Por njeriu nuk rron aq, sa drurët e pyllit, për të pritur,
të shuhen përgojuesit, nga kujtesa e opinionit përqark!…

 

PSE, O TË RINJ, LINI ATDHEUN TË PLAKET?

Dëgjova në media, se një qytet, sa Fieri në fushë,
ka vërshuar së fundi, në arratisjen përtej deteve.
Një qytet më pak, në gjeografinë tonë të ngushtë,
qytet që s’e shkulnin, as gërmadhat e tërmeteve.

Kush e ka fajin, që të marrë rrugët e përtej deteve,
një qytet me Myzeqenë pranë oxhakut të shtëpisë,
Koka jonë, që nuk u ngjan aspak kokave të etërve,
apo politika rrugaçe, që shtron rrugët e rrugaçërisë?

Për të lënë prapa, fusha të blerta e male me lëndina,
ku mund të hanë grurë e të pinë verë, Berlini e Parisi.
Se s’mund të iket kot, nga trojet me bilbila e gjeraqina,
ku pjergullat plor rrush, përdridhen edhe në degë lisi.

Po vërshimin e tërbuar, larg nga nëna dhe nga shtëpia,
larg varreve fisnore, lindjeve e martesave plot gëzime,
na e shkaktojnë të dyja njëherësh, koka dhe qeveria,
që zgjedh koka jonë, përherë e pangopur me premtime.

Pastaj na qajnë vajtojcat e zorrëve nën lëkurën e barkut,
aq sa tkurremi e tretemi, deri tek palca e fyejve në eshtra,
kur ata që na ushqejnë me rrena, trashen si derrat e tharkut,
duke gatuar për ne, tava më të mëdha me gënjeshtra…

Pse, o të rinj, e lini atdheun të plaket, të punoni për botën,
duke u shpërndarë, nga sytë këmbët, si zogjtë e korbit?
Kur për këto brigje atdhedashësit e parë, kanë falur kokën,
të lulëzonte në Ballkan, bashkimi i gjokseve të kombit!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s