KATËR LIBRAT E DONIKËS / Nga: Vullnet Mato

KATËR LIBRAT E DONIKËS

 

Nga: Vullnet Mato

Është interesante të dihet, se si formohen poetët në internet!… Ashtu si hapësira qiellore ka galaktika të formuara herët, por dhe yje në formim e sipër, edhe interneti ka qiellin vet, ku veç galaktikave poetike të formuara gjatë përvojës jetësore, në qiellin e internetit formohen edhe yje poetësh të rinj. Retë e gazta në këtë mjedis, janë poezitë e shumta që zbrazen çdo ditë në publikimet e fb. Ku persona të ngacmuar në ndjesitë e tyre, fillojnë të provojnë teknikën e ndërtimit të një vjershe, duke imituar përdorimin e mjeteve stilistike të poetëve, që shquhen më tepër në atë mjedis.
Zonja Donika Hamitaj, nuk i ndërtonte ngrehinat e saj me tulla dhe llaç poetik të zakonshëm, por kërkonte të gjente projekte origjinale me fabula poetike, ku të zbrazte ngjarje jetësore, ose gjendje të caktuara shpirtërore, me të cilat tërhiqte vëmendjen dhe merrte vlerësime në fb. Kuptohet, superlativat e lexuesve në fb, nuk janë peshore e cilësisë artistike, por ama ato janë shkrepëse flakëruese, që ndezin fantazinë, për të shkruar krijime të tjera, madje më të arrira se të parat, me të cilat ajo çoi në botim librin e parë: “ËNDRRA VRASTARE”
Ja si e kërkon Donika gjetjen e një ideje të caktuar poetike:
“Po shkon viti!… Më s’do të vi…/Fronin shpejt do ta dorëzoj! /Unë skam fron, kam dashuri,/ Falas marr dhe falas dhuroj!…
Këto janë nga krijimet e para me të cilat Donika Hamitaj tërhoqi vëmendjen e lexuesve. Por ja dhe një shembull nga poezitë e fundit:
“Kjo është kënga e tim eti, /e dëgjoja kur ai këndonte,/ I zhveshur mes dallgësh deti,/ Vala shpirtin ja shkumonte!…/Është kënga e nënës sime… /E dëgjoja si vlonte kënga,/ Mbi gërmadha e mjerime! /E këndoi kur i shqyhej zemra./Është kënga e tim vëllait…/”Sa bukur ai zë kumbonte!”/Mbante ison e babait,/ Kur shigjeta në fyt e shponte… etj.
Vetë ndërtimi i vargjeve, të orientuara mirë drejt formimit të një ideje të caktuar, i ka sjellë asaj gjithmonë metaforat e nevojshme:
“Përmbi shpirtin e përthyer,/ankthi vdekjes vorbullon…/Lot e gjak me gozhdë mbërthyer,/ mbi atë kryq, dhimbja rënkon…/rend mes dhimbjes marr shërimin./Përmes vdekjes sfidoj ferrin,/në mes ankthit rrok premtimin…”
Dhe së fundi një poezi me nëntekst filozofik:
“…Largohu prej meje, ti mjegull me napën gri!/Se dritën e syrit me erën e turbullt ke trazuar
dhe ëndrra, si e mpirë endet nëpër këtë stuhi,/mes brigjeve të zemrës përplaset e vetmuar…”
Shembujt të tjerë nga poezitë e zonjës Donika Hamitaj, dëshmojnë se ajo pak nga pak ka formuar në qiellin e poezisë, yllin e saj poetik dhe libri i parë, është rrezatimi i koncentruar i dritës së tij vezulluese.
E nxitur nga botimi i librit të parë, poetesha Donika Hamitaj, pasi ka krijuar tashmë profilin e saj poetik, i hyri punës me një frymëzim të paparë, për librin e dytë “SFIDAT E SHPIRTIT”. Qysh në poezitë e para të këtij libri, ndjehet menjëherë ngjitja në lartësitë e një fantazie artistike, befasuese, për një kohë relativisht të shkurtër.
Kuptohet qartazi se kjo poeteshe, është një talent i lindur dhe i rritur me poezinë që i mugullonte brenda vlagës së vetvetes, qysh në vajzërinë e hershme. Derisa shpërtheu së fundi filizat e parë nën rrezet e diellore, të moshës së pjekurisë, kur filloi të publikonte lirshëm e të botonte një libër, i cili ishte një parcelë mollësh që shpejt pyllëzoi të gjithë korijen e saj poetike. Tani libri tjetër, ka lidhur e pjekur plotësisht kokrrat e kuqe të vjeljes së dytë. Kjo grua me pasion të spikatur, nuk synon varietete mollësh poetike të zakonshme, por nga ato me të cilat mund të konkurrojë denjësisht mes poetëve të tjerë, që kultivojnë frutat e tokës myzeqare në qytetin e Fierit ku jeton.
Ja, se si mendimi i saj metaforik, krijon hapësira arsyetimesh të begatshme te kjo poezi:
“Ka një kohë, për ta fituar, /ka një kohë dhe kur humbet! /Ka një kohë, kur je lënduar,/ ka një arsye dhe kur nuk flet…”
Mendimi filozofik përshkon në disa nga poezitë me te mira të kësaj autorie.
“Kur marrëzia të pushton në mendje, /vetëkontrollin njeriu humbet…/Xhelozia harbon me endje,/valëvit shpatën, kudo godet…”
Megjithëse poetesha Donika Hamitaj lëvron një tematikë të gjerë në krijimtarinë e vet, tema e dashurisë nuk mbetet jashtë vëmendjes së saj.
“Dashuria e vërtetë; /nuk tenton të luftoj’ për garën, as nuk ngutet e as nuk vret,/por si bujku, kur hedh farën,/ dalëngadalë, prodhimin pret.”
Poetesha e gjen poezinë edhe tek një pikë loti, ku abstragon bukur, për të nxjerrë një ide jetësore të caktuar:
“Sikur sytë të ishin tharë,/varka ime, si do lundronte?/ S’do të kishte lundërtarë/edhe loti nuk do pikonte.
E tronditur shpirtërisht nga disa nena që braktisin fëmijën, poetesha ngre zërin për të goditur fuqishëm këtë fenomen çnjerëzor.
“Si s’të shqyhet ajo zemër? /Moj katile, ti je vrastare! /Të ka dhënë Zoti një emër, /Të jesh nënë dhe jo zuzare…”
Një nga krijimet më të bukura për gruan, kam gjetur mes poezive të kësaj autorie, që siç kam thënë ma lart, kërkon me ngulm origjinalitetin e saj:
“Vlera jote s’hidhet në short,/Me trupin tënd s’bëhet pazar./Se pa ty merr fund kjo botë/Dhe ç’do shtëpi bëhet varr.”
Ashtu siç pritej nga premisat cilësore të librit të dy librave te parë, libri i tretë “UDHËKRYQE MENDIMESH” i poeteshës tashmë të formuar Donika Hamitaj, ka shënuar një rritje të admirueshme të nivelit artistik, në pothuajse shumicën e poezive të këtij botimi voluminoz. Ku trajtohen tema shoqërore me probleme aktuale të mprehta, fabula poetike dhe ide të theksuara edukative për të gjitha shtresat dhe moshat e shoqërisë shqiptare.
“O njeri; kujdesu ti vet për zemrën tënde!/Ajo nuk të është dhënë për të bërë çmendurira…/ dhe as për t’i marrë, apo dhënë ndokujt mëndje…!/Por e rëndësishme për jetën, domosdoshmëria!…”

 

Veprat letrare të autores Donika Hamitaj

Sa i përket strukturës së ndërtimit artistik, mund te themi, se të gjitha poezitë janë prej një brumi jetësor të gatuar mjaft mirë nga ana logjike e të derdhura në vazo metrike, me ritme e rima shpesh herë të gjetura mjeshtërisht, që lidhen me një ngjizje të njëhershme të materies dhe të shpirtit, të fjalës dhe idesë, të vargut dhe figurës. Tonet e drejtpërdrejta, fryma polemizuese gjithë nerv, metaforat mbresëlënëse, me një kolorit të pasur ngjyrash jetësore, gjuha e gjallë, e shkathët e me një theks thumbues, e bëjnë poezinë e zonjës Donika Hamitaj të lexohet kënaqësisht dhe të vështrohet si një postulat i mirë për edukimin sidomos të brezit të ri:
Nga ana tjetër, autorja tenton të bëjë një autopsi estetike në persona të veçantë të hasur në jetën e saj plot vështirësi e pengesa të sistemit diktatorial.
“Jo, nuk dua kurrë të godasë,/dhe pse shpirtin ma kanë dhunuar, /as me mendje s’them: edhe unë do t’vras./Por veç buzëqeshjen kam për t’ju dhuruar!…”
Krijimi poetik është një proces i magjishëm, që ngjizet njëkohësisht me dy përbërës të ndryshëm: nevoja për të thënë dhe mënyrën si mund të thuhet. Këtu fillon dhe mbaron ndryshimi midis poetit të vërtetë dhe vargëzuesit grafoman. Ndonëse procesi i krijimit ka baticat dhe zbaticat e veta tek çdo krijues, zonja Donika, e formuar tashmë në të gjithë elementët e stilit, e thotë mendimin të mirëmenduar dhe të pjekur plotësisht brenda idesë së caktuar.
“Ç’ pate shpirt që u turbullove?!…/ Mos kish brenda, zemër, deti…?! /Dhe kur valën e shkumove,/Kripa prapë në vend i mbeti…!/Ç’ke, o shpirt që po rënkon…!/Në ç’baticë ke përfunduar?…/Mos mes dallgëve ngule fron?! /Peshkaqenët të kanë kafshuar?…”
Siç dihet, familja fillon nga shtëpia jote, nga prindërit e tu, nga farefisi dhe perceptohet si një lidhje me ta, që shkrin kufijtë midis qenies e mosqenies dhe fokusohet tek gjërat më të shtrenjta e më të shenjta në jetë. Prandaj poetesha i rikthehet disa herë me dhimbje prindërve, sidomos nënës dhe me shumë mall e dashuri nipave të saj.
“S’janë fjalë, vargje, penë poeti,/ nuk shprehem dot ç’je ti për mua…/Se një ditë fjalët i fundos deti, /dhe vargjet gjithkujt i thonë të dua!… /Të kam një, o shpirti im,/ …Dashurin se kam të endur… /Mijëra vite le t’ shkojnë e t’ vinë,/ Vitin tënd e kam të gdhendur!…”
Për një poeteshë me moshë të pjekur, si Donika Hamitaj, të shkruaj katër libra, është njësoj si të lindë katër fëmijë të shëndetshëm, njërin pas tjetrit. Por siç shihet, fëmija i katërt ka dalë më i bukuri prej tyre. Për të gjykuar rreth cilësisë së poezive të këtij libri, duhet thënë, se niveli i krijimeve të një poeti, i ngjan nivelit të relievit tokësor. Ku ka poezi fushore, të shtruara rreth një metafore, me një ide të vetme, poezi kodrinore, të nivelit mesatar, dhe poezi të lartësive malore, që tregojnë deri ku arrin të ngjitet talenti i një krijuesi.
Njëra nga majëmalet, në krijimtarinë e zonjës Donika Hamitaj, është poezia “PORTAT E QIELLIT”, titullin e së cilës e ka edhe në kapakun e librit të katërt:
“Nga kjo botë arratisur,/mes misterit zhvesh lartësitë…/Poshtë rrëshqet një vel i grisur,/nga lart yjet qëmtojnë stolitë!./Hapuni porta të qiellit, /Të shoh odën e nusërisë!…/Kurorën e artë më huazoi dielli,/kur peng i lash ditët e vajzërisë!…”
Ndryshe nga poezitë e shumta që shkruhen për dashurinë, ku shpesh përshkruhen ndjenjat e ekzaltuara të dy të dashuruarve dhe shija e puthjeve të tyre, poetesha jonë ka zgjedhur të derdhë pak vargje për indiferencën e vajzës, kur dikush vuan për të…
“Ç’bën aty bukuroshe…/Ç’bisedë bën me lulet vallë!?./Dikush ka ngrirë tek një qoshe,/i dridhet zemra, pret një fjalë…”
Për plagën e emigrimit shkruajnë pothuajse të gjithë poetet. Autorja Donika Hamitaj ka zgjedhur aludimin me fluturimin e zogjve, pa përmendur fenomenin konkret, për t’i dhënë më tepër ekspresion artistik vargut.

 

Donika Hamitaj

“Ju, o zogj që fluturoni,/shtegtimi juaj, ku prehet vallë?/ Një vis e lini, tjetrin pushtoni,/pastaj lotoni për një tjetër mall!…”
Ndër temat e shumta shoqërore të këtij libri, shquhet kjo poezi e shkurtër për vëllavrasjen, e cila flet shumë vetëm me katër vargje:
“Ty plumb pushke të gjettë gazepi,/i dole detit për matanë!./ Por baruti shqiptar mbeti, Shkrepja po ndizet për vëllanë!…”
Ja dhe një krijim i cili flet vet, për elementet lakonik me origjinalitet të spikatur, që ka përdorur kjo poeteshë, për thurjen me delikatesë të kësaj poezie, gati eterike, fluide, me transparencë të kaltër qiellore. Era, së cilës i drejtohet pyetja retorike, shënon në këtë krijim një dëshmitare natyrore të heshtur e të kudogjendur të dashurisë, fryma e së cilës rend, në distanca hapësinore të mëdha:
“E dashur erë, të kujtohet atëherë?…/Sa i mblidhje puthjet, i shpërndaje menjëherë…/Këmba shihte prapa, dora zgjatej në mister!…/Moj erë e ndjerë, të kujtohet njëherë…/teksa rrihje në Vlorë, fryma ndihej në Fier!…”
Pa e zgjatur më tej me begatinë e poezive të arrira artistikisht të këtij libri, ku pothuajse të gjitha krijimet shquhen për mendim të koncentruar në pak vargje, me metrikë të rregullt e me muzikalitet të përsosur, s’mbetet gjë tjetër, veçse t’i urojmë poeteshës së talentuar Donika Hamitaj: U bëfsh nënë me shumë fëmijë të tillë të shëndetshëm e të bukur, të cilët kënaqin jo vetëm sytë e tu, por edhe shpirtrat e lexuesve të shumtë që të ndjekin me interes nëpër librari e kudo në internet.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s