Poezi *TANKA nga Seti Pezaku Vladi
☆☆☆
U hap udhë e vjetër
me mjegulla veshur
varur shteg pas shtegu.
Iku rinia…
Ndizet pas një bregu.
☆☆☆
Përtej detesh me yje,
planeti Mars po pret
një Armstrong t’i ngjitet
si Hënës dikur,
të ngrej flamur.
☆☆☆
Mure me shira
legjenda gatoi…,
poshtë, qytetin shikon,
lindur
gurit që loton.
☆☆☆
Eci nëpër shkretëtir’.
Dielli djeg, rëra vlon.
Asnjë pemë, uj’ e gjeth.
Përvëlohem,
trishtueshëm zgjohem.
☆☆☆
Fjala dhe vepra
janë një dhe jo dy.
Vetëm Kadiu
kameleon
nuk i njëson.
☆☆☆
Koha ka ngecur tek ne.
Në gjumë mbytet dhimbja
si trenat e ndryshkur.
Rrugëve ecin hije,
manekin’ papunësie.
☆☆☆
Lahem n’lotin e kroit
të pyllit djegur,
lisit të vetmuar,
lotit pas lotit
lumë i vërshuar.
☆☆☆
– Tërë mbrëmjen – tha djali,
nën ballkonin tënd qëndrova,
me hënën u mbulova.
– Eja sonte – tha vajza,
hëna do bëhem unë.
☆☆☆
Vjeshtë.
Retë plumb ngarkuar,
plazhet fikën dritat,
rëra në grevë ngujuar,
pulëbardhat vetmuar.
☆☆☆
Kur malet
legjenda tregonin
pyjet në gjunjë binin,
yjet me krah’ shqiponjash
akilët rrëzonin.
@seti pezaku vladi
15/02/2018