Jalal al-Din Rumi
Kalendari poetik 30 shtator: Jalal al-Din Rumi
Si sot, 811 vite më parë u lind Xhalal al-Din Rumi; teolog mysliman dhe poet sufi me prejardhje persiane. Poezitë e tij, të shkruara tetë shekuj më parë, kur Evropa qe në Mesjetën e errët, lexohen edhe sot me ëndje në të gjithë botën. Te Neruda kam hasur një figurë poetike të njëjtë si te Rumiu; të dy shprehen njësoj: “…po të dërgoj një puthje me erën…” …veçse Rumiu i ka dërguar ato puthje tetë qint vite më parë…
Në librin tim “Antologji e poezisë arabo-persiane” botuar në vitin 2015 në Tiranë nga shtëpia botuese Uegen pata përfshirë edhe mbi dyzet shqipërime të miat nga i madhi Rumi. Nga ky libër kam shkëputur këtë poezi:
LEJLA DHE KHALIFI
Khalifi i tha Lejlës: “Ti qenke pra, vërtet,
ajo që bëri Maxhnunin të luante menç?
Të ishe m’e bukur se të tjerat, hajde dé!”
Lejla u përgjigj: “Mbyll gojën; ti Maxhnuni s’je!”
Sikur të më shikoje ti me sytë e tij,
të dyja botët do të qenë brenda në ty.
Maxhnuni qe i veçantë; ti si të gjithë,
syçeltësia është baraz me tradhtinë.
Kush është zgjuar, fle (dashuron) dhe më shumë,
kush hap sytë me zor, më keq është se në gjumë.
Kur zgjuar jemi, shpirti ynë sikur lidhet,
pre e kollajshme bëhet për të gjitha trillet,
rreket nga humbja, fitimi, frika, mjerimi,
s’mban dot pastërtinë, dinjtetin, shkëlqimin,
as ëndrrën të marrë qiejve fluturimin.
Ky është gjumi, kushdo dëshiron të kridhet
se kështu i mban gjallë që të gjitha trillet.
© shqipëroi Maksim Rakipaj