Klandari poetik: Marina Cvjetajeva (1892-1941) / Përgatiti materialin: Maksim Rakipaj

Marina Cvjetajeva 

Klandari poetik: Marina Cvjetajeva (1892-1941)

Marina Cvjetajeva u lind në Moskë më 8 tetor 1892; babai i saj, Ivan Cvjetajev qe profesor i Arteve të Bukura në universitetin e Moskës, nëna pianiste. Për t’i shpëtuar terrorit të kuq, si bashkëshortja e një oficeri të ushtrisë së bardhë, mërgoi në Berlin, pastaj në Pragë në vitin 1922; më pas me këshillën e komunitetit emigrant rus u vendos në Paris më 1925. Ja si shkruante Poetja vite më parë se të fillonte Lufta II Botërore:

JU NDJEFTË PERËNDIA!
(А Бог с вами!)

Ju ndjeftë Perëndia!
U bëtë si bagëtia!
Kope si dele, si buaj
Pa ëndrrën tuaj,
Pa asnjë mendim,
Ndiqni pas Hitler apo Stalin:

Dhe ju mbeten nga trupat e shqyer
Veç yjet e kryqet e thyer.

(23 qershor 1934)

 

MALLI PËR ATDHE (Тоска по родине)

Malli për atdhe! Por kjo tashmë
Një gjë krejt e kotë, pa dobi!
S’më ngroh e s’më ftoh fare kjo gjë,
Kur atje jam njeri pa njeri.

Për gurët e shtëpisë të jem?
Të bredh për të blerë ushqimet?
Shtëpinë, hë, timen do ta kem,
Spital, apo kazermë ushtrie?

Dhe s’ka rëndësi ku do të jem
Ç’surrat më gërrmushet si bishë,
A ç’lloj njerëz përqark do të kem,
Në burg a internim, sigurisht.

Dhe shpesh më duket vetvetja mua
Ari Kamçatke, pa akullnajë
Por nuk përshtatem (dhe as që dua!)
Kur më poshtërojnë, kokën s’e çaj.

Dhe nuk më tundon fare, as gjuha
Që mëma me gjirin ma mëkoi.
Njësoj e kam, nuk më prishet puna
Që s’më merr vesh i pari që takoj!

(Mbllaçit gazeta me kuintalë
Dhe ç’thonë të tjerët do të dijë….)
I shekullit njëzet je mor djalë
Por unë nga të gjithë shekujt vij!

E shushatur, si kërcu qëndroj,
Si pemë e rritur mënjanë,
Për mua të gjithë, gjithçka njësoj,
Ndoshta sepse, dhe njësoj janë,

Në vendlindje, gjithçka qe e mirë,
Shenja, data që kisha për zemër,
Të gjitha një dorë i ka fshirë:
Shpirt i lindur në një vend pa emër.

Ky vend s’më pati në llogari,
Tani dhe kaleci më i thekur
Sado të gërrmojë në shpirtin tim,
Gjurmë të vendit s’ka për të gjetur!

E huaj çdo shtëpi, bosh çdo tempull,
Gjithçka njësoj, gjithçka e shkretë.
Në shoh diçka në rrugën e mjegullt,
E di, ndonjë shkurre do të jetë…

Duke menduar se i shoqi ndodhej në Rusi, (por në të vërtetë fshihej në Spanjë prej përndjekjeve) u kthye atje në vitin 1939 bashkë me të birin; e bija Ariadna, ishte kthyer në vitin 1937 dhe qe dërguar menjëherë në kampet e punës së detyruar. E internuan edhe poeten; e vetmuar, e shkëputur prej bashkësisë letrare, para se ta arrestonin për ta dërguar në gulagët e tmerrshëm, vari veten më 31 gusht 1941 te hyrja e izbës që pat marrë me qera nga dy pensionistë. Librat e saj qenë të ndaluar në ish Bashkimin Sovjetik; vetëm njëzet vite pas vdekjes së poetes u lejua botimi i tyre. Kam nja njëzet shqipërime prej Saj, sot paradite do të përzgjedh një prej tyre.

 

Shqipëroi: Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s