DHURATAT QË NUK MUNDA T’JA BËJA TANIT / Poezi nga Petrit Sulaj

Poezi nga Petrit Sulaj

 

DHURATAT QË NUK MUNDA T’JA BËJA TANIT

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
babi do të dhurojë një kalë të drurtë
e po e fshive me kafshatë pjatën për drekë
një biçikletë:
nuk ka nevojë të pedalohet
ecën vetë,
e para se të flesh gjumë,
një shpatë të argjendtë
në krah të Skenderbeut,
gjithë natën të bësh luftë.

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
e babi nesër një fletore me katrore do të dhurojë
për të luajtur me numrat
e një tjetër me vija për të fjetur me germat,
njëra me lepurush që shkon në shkollë
me çantë krahëqafë, në kopertinë
e tjetra me ketrush që kthehet nga shkolla,
pa çantë, në shpinë.
E ka harruar çantën ketrushi, si ti dikur,
nën bangë.

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
e babi do të dhurojë pasnesër një kuran
ta marrësh me vete
kur t’u bësh vizitë komshijve
për Bajram
e njëqind Bibla për Krishtlindje,
t’ua dhurosh kur të na kthejnë vizitën,
fqinjëve.

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
e babi me 13 gusht
do të dhurojë një hartë
të madhe sa Shqipëria gjallë
krejt faqen e murit ta zërë
ta përshkosh nga veriu në jug, me biçikletë
e me maskë antigas
e në fshatrat që u mungon emri në hartë,
të ngulësh flamuj të bardhë
për të më treguar
se je gjallë.

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
e babi me 10 tetor do të dhurojë pesë fjalorë
të pesë shteteve më të fuqishme të botës
si emigrant t’i pushtosh
ashtu si bëra unë, pak a shumë.

Rritu Tani, rritu bëhu burrë
e babi do t’i përdorë krejt fjalët e shqipes
për të bërë poezi
e me paratë e fituara
do të blejë dhurata Ty…

* Tani, im bir: 10 tetor 1978 – 13 gusht 1999.

Marrë nga libri  “OAZET LUAJNE POKER”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s