Poezi nga Hajdin Morina
MIRAZHET E OLIMPIT
Olimpi yt
s’i ngjan atij të moçmit,
thikë përpjetë,
ku qëndrojnë në majë
ata që u ngjitën.
Sikur qëmoti,
thikë përpjetë,
Olimpi është.
Nuk ia ulin majën
tërmetet e çmimeve
as festivalet nudo
të duartrokitjeve
këndej poshtë.
Olimpi është atje ku s’je.
VRANËT
Raftë shi
që të qash ti
qerpikëve të blirëve
të qytetit tim të vogël
ku do të vish një ditë,
ndoshta vetëm udhëve të poezisë.
Dalshin ylbere pasdreke
me buzëqeshjen tënde.
Në kohë të vranët
ardhsh kujtimit si sot vërtet,
të shfryhemi, të zbrazemi
si lart në qiell retë.
BETEJAT
Nuk mbarojnë
betejat e tyre
njëzetekatërorëshe
kundër shqisave.
Nuk mbarojnë
as çastet e sekondës
kur syri yt shkrep
në bebëzen e heshtjes
e ngjizesh në grimcën e ninëzes.
E rritesh.
Sepse njeriu s’rron më
kur askush s’e prek,
askund s’i dhemb.
TË SHOHËSH THELLË
S’është gjë
një e përdalë pa maskë.
Është njeri
një prostitutë,
një lavire, një putanë.
Është njeri pa maskë.
Spiunia holandeze,
Mata Hari,
para ushtarëve të rinj
të togës së pushkatimit,
thonë, rrinte e qetë,
n’kujtime dashurie vallëzonte
si një vjeshtë fytyrëverdhë.
Thonë zhveshi fustanin,
nudo ta pushkatonin.
S’është gjë një putanë pa maskë.