Cikël poetik nga Dhimitër Nica

Cikël poetik nga Dhimitër Nica

 

TË GJITHA LULET KANË EMRIN TËND

Sonte edhe hëna ndriçon kuturu
e lulet hedhin valle nga magjia bjonde,
deti paska vjedhur sytë e tu blu
e dielli flokët e artë me onde.

Sonte çdo gjë e bukur të ngjan veç ty
dhe unë çdo lule thërras me emrin tënd,

i përkëdhel dhe i puth në buzë e në sy
e morni-kokrrizohem vend e pa vend…

Nuk kisha më parë këto ndjesi,
më parë s’kuptoja çdo të thoshte poet,
që kur hyre në botën time ti,
unë puth vetëm lule e ngopem në jetë.

 

KUR PI BUZËT E TUA

Ka një pije në këtë botë,
që e kanë pirë e provuar shumë…
Është e lehtë, a është e fortë
asnjë se ka ndjerë sa unë!

Dikush thotë vera, birra e rakia,
dikush uiski, shampanja e recina,
unë s’dua asnjë nga këto të gjitha,
veç buzëve të tua, erëmira…

Keni pirë o njerëz ndonjëherë buzë?
Unë s’besoj e s’besoj kurrë!
Ju keni puthur e kafshuar buzë,
por jo t’i pini me flakë e shpuzë!

E kalojnë verën pesëmijë vjeçare,
që gjejnë polumbarët në fund të detit…
Bëhej me gjak e jo me pare,
vetëm ta provonin buzët e mbretit…

Unë kam mësuar të pi buzë,
që nxjerrin mjaltë, verë e uiski…
Të përzjera më venë në gjumë
dhe s’kam ndjerë etje e s’ndjej uri!

 

GRATË E BUKURA

Gratë e bukura më skllavërojnë,
më grisin hundën e marrë arratinë,
ngjyrën e fytyrës sepse ma dyllojnë
mes flokut të tyre e dua shtëpinë…

I ndërtoi Perëndia me ar e polen
dhe mua të shkretin që t’i shoh me zjarr,
me Omar Kahjamin do t’i deh me verë
dhe pastaj do kthehem në dashnor i marrë.

Më vonë le të digjem në hi dhe eter,
s’do bëhem pishmand se ç’bëra më parë,
dhe ju do thoni na ishte një herë
një poet i çmendur dhe dashnor i marrë!…

 

NDJENJA

Dora rrëshqiste lehtë mbi lëkurën e saj,
unë nga fërkimi u shndërrova mornica…
Një ndjenjë e thellë më digjte si vaj
e rridhte drejt fundit, ndoshta po vdisja!

 

PABESITË E HËNËS…

Hëna mos ju duket kaq magjistare,
sa shumë poet ka marrë më qafë!
Kur të jep fjalën se po vjen në dritare,
me një yll bën dashuri atje lart…

 

JO VETËM PËR FESTË…

Sonte lërja erës flokët në dorë,
të vallëzoj me to e t’i bëj lule fushe!
Parfumin zgjidhe nga çaji mbi Tomorr,
trendelinat zgjidhi për medalion gushe.

Vishu sa më thjeshtë ti sonte për mua,
lër ca hire jashtë, t’më shtosh pakëz jetë!…
Unë do pi pa merak te krojet e tua,
pastaj do derdhem në ty, si Drini në det…

Si pyjet e Amazonës do çelësh pas shiut,
nuri yt do lëviz edhe të vdekurit në varr,
do shkrijë edhe Oqeani i Ngrirë i Veriut
pastaj do kemi lule, degë e lastarë…

 

MERAK…

U ngrita pa pritur në mesnatë!
Qetësi rrënqethëse…
E vetmja zhurmë,
frymëmarrja jote, tik-tak !

 

ËNDËRR MES VALËSH…

Nuk e di ç’më ndodhi mbrëmë,
nuk mbaj mend asgjë me fjalë,
flokët e saj të ngjyer në hënë,
rreth qafës sime u bën shall.

Atë që ndjeva mbrëmë në ëndërr,
prapë ma dashka ënda sonte,
ngatërruar duart poshtë nga këmbët,
e flokë të verdhë ngado me onde.

Lëkura e bardhë si mish pjepri,
sytë e nxehtë rridhnin qiri,
e dogjën shpirtin tim të mjerin,
e bën trupin lastar të ri…

M’u prish mendja fare mua,
njomishtja e hollë me synë ulli,
s’qenka e thënë që ta kesh grua
e të ndjesh kaq shumë në dashuri…

 

PUTHJE

Vjosa puth tej e tej brigjet,
dielli puth herët majën e malit,
hëna puth yjet e pastaj fshihet…
Ti me magjinë tënde,
puth e ndez hiret e djalit!

 

NË NJË PLANET TJETËR

Turni i parë ishte mikpritja ime
dhe dalja pastaj në një lokal jashtë.
Gotat me verë të kuqe e përqafime
dhe brenda verës gjaku im, që nxirrte afsh…

Gishtat e hollë, të brishtë për tastjerë,
më ngjanin me një sqep të gjatë pelikani,
ngrinim gotat plot me dashuri dhe verë
pinte trupi yt, i kërkonte shpirti dhe xhani.

Kaluam disa orë në tavernën jashtë,
gjersa gjërat përreth na ndillnin gjumin.
Ti pije verë dhe unë kulloja afsh,
pastaj the: “-do ta dirigjoj unë turnin!”

Dhe mbështetur komplet në krahun tim,
më shumë të mbaja unë, se ecje vetë,
si s’ndjeva lodhje dhe aspak trishtim,
me ty në krahë, po shkoja në tjetër planet…

Dhe vërtet turni yt qe planeti tjetër,
më ngrite në zenit, deri në çmendje!
Sikur t’më thoshje ta mbyllja aty jetën,
do ta bëja pa zhurmë e me shumë ëndje!

 

MOLLA

Adami e kafshoi mollën atë natë,
(nuk duroi dot, hapi punë ky i uruar!)
Në fakt sot është dhe quhet mëkat,
po ta lësh mollën çdo ditë pa kafshuar…

 

VETËM NJË DITË

Ashtu qe shkruar e qe thënë,
ajo e dashuroi vetëm një ditë,
ndoshta ia la zemrën gjysëm të ngrënë,
ndoshta e dashuroi si vetë perënditë.

Dhe nuk i tha kurrë se vetëm sot,
se vetëm sot mund të ishte e tij!
Nuk deshte, apo s’arriti t’ia thoshe dot,
apo nuk donte t’i shuante thëngjijtë…

Dhe ai bëri dashuri marrëzisht,
marrëzisht si kurrë ndonjëherë në jetë!
Dhe ajo e la të lirë tërësisht,
t’i zbulote labirinthet e saj të nxehtë…

Asaj ndoshta i kishin bërë shenjë perënditë,
ta digjte në zjarrin e saj, vetëm një ditë!

 

KËMBËT

Sonte ti nuk doje të bënim dashuri!
Të paktën,unë hodha këmbën mbi tënden…
U puthën gishtat,puplat,kofshët…
Vërtet gjithë natën nuk ndjem gjë unë e ti,
por këmbët u rrekën dhe i nxuarën zinë botës…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s