Shtëpia Botuese “ADA” publikon novelën “Kalvari i dhimbjes” të autores Floresha Zyberi (Qyra)

Shtëpia Botuese “ADA” publikon novelën “Kalvari i dhimbjes” të autores Floresha Zyberi (Qyra)

Titulli: Kalvari i dhimbjes
Autore: Floresha Zyberi (Qyra)

Redaktor letrar: Eris Rusi

ISBN: 978-9928-296-24-5

Përgatiti për botim: Roland LUSHI

Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
www.botimetada.com

Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2019
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Zyberi (Qyra), Floresha
Kalvari i dhimbjes : novelë e mbështetur mbi
ngjarje të vërteta / Floresha Zyberi (Qyra) ;
red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2019
124 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-24-5
1.Letërsia shqipe 2.Tregime dhe novela
821.18 -32

PARATHËNIE 

Gëzimi dhe pikëllimi, lumturia dhe vuajtja kanë shoqëruar ekzistencën e njeriut si ditë-natë ciklike që në kohë të ndryshme kanë përzgjedhur me të drejtë ose verbërisht fate të caktuara njerëzore. Në shoqërinë shqiptare, akoma dhe sot ka një terr absurd mbi ato që ishin fatkeqësitë familjare nën goditjet e sistemit komunist dhjetëra vjeçar. Si është e mundur të kapërcehet dhimbja që shoqëron zemrën e njeriut të përndjekur, të persekutuar, të paragjykuar padrejtësisht nën atë regjim? Kjo pyetje ka qenë dhe vijon të mbetet e pranishme në shoqërinë tonë pa marrë dot një përgjigje të qartë.
Këtë lloj fati dhe dhimbje na sjell përmes rrëfimit të saj krijuesja Floresha Zyberi, me novelën “Kalvari i dhimbjes”. Rrëfimi është ilustrim i vuajtjes për ndëshkimin e padrejtë, tregon absurdin e vënies në shënjestër dhe pastaj largimin e miqve dhe të afërmve, tregimin me gisht, përbuzjen nga shoqëria, fabrikimin e ngjarjeve të pavërteta, për ta bërë mashtrimin edhe më tepër të besueshëm.
Kush i bënte të gjitha këto padrejtësi dhe cili ishte burimi i fatkeqësive, mund të pyesë lexuesi që njihet me veprën në fjalë. E keqja nuk është abstrakte por vret më shumë kur ka formën e atyre që njohim, të njerëzve me të cilët përshëndetemi në rrugë. Floresha ka gjetur brenda vetes hapësirat që vendosen ndërmjet dhimbjes e mënyrës për ta kapërcyer atë përmes aktit të shkrimit. Ajo bën të njohur tragjeditë e vogla të përditshme të familjarëve të saj, përmes fjalës, tronditjes dhe gërvishtjes që ato duhet të ngjallin tek lexuesi. Ka një realizëm të zymtë përshtypja që ngjall rrëfimi, kur vetë jeta përshkruhet me gjithë padrejtësinë e pandryshueshme të saj. Pyetjet që bëhen nuk gjejnë kurrë përgjigje dhe pamundësia e kapërcimit të padrejtësisë është e prekshme dhe nuk shndërrohet dot kurrë në iluzion.
Vetë dhimbja, në një farë mënyre, ngjan sikur zbulon fytyrën e vërtetë dhe hipokrite të kohës, por njëherazi bën edhe që të dalë në pah pjesa më fisnike e shpirtit të personazheve. Në thelb të ngjarjeve që vijnë nga e kaluara, Floresha kërkon të rizbulojë kujtimet për familjarët dhe të afërmit e saj, dhimbja e tyre nuk është sublime, por mënyra si përballohet ajo e bën të ngjajë e tillë. Përshkrimet e gjalla, ndryshimi i ambienteve që kurdoherë e gjithsesi duken aq të ngjashëm me njëri-tjetrin, flasin për praktikimin e një lloji shkrimi që kërkon të bëhet dëshmitar i ngjarjeve, priret drejt kërkimit të së vërtetës dhe denoncon me forcë.
Gjithçka nis me magjepsjen pas jetës dhe së bukurës, dashuria është ajo që duhet të gëzojë zemrat e njerëzve dhe ngjarjet e pjesës së parë të librit janë të mbushura plot emocion dhe lirizëm. Përshkruhet mënyra si lind një dashuri e re, si protagonistët e rrëfimit hedhin hapa të vegjël që i nxitin të afrohen me njëri-tjetrin, e kur kjo ndodh, bota merr shkëlqim dhe dritë. Historia e rrëfyer është sa e thjeshtë, po aq edhe dramatike. Rrëfimi i njohjes dhe lidhjes në martesë mes dy të rinjve që e kishin jetën të ndriçuar nga e mira dhe nga dashuria, në pjesën e parë të novelës të tërheq dhe të lidh pas historisë së personazheve. Bota përreth tyre ngjan sikur është e mirë dhe e drejtë, vetëm jeta, hera-herës tregohet kryeneçe dhe bëhet shkak fatkeqësish të dhimbshme dhe të pakuptimta.
Familja ku bën pjesë protagonisti i novelës godet dy herë nga vdekje të papritura, por ato janë fatkeqësi dhe sikur të mos ndodhte gjë tjetër, të gjithë do ta pranonin fatin dhe do të ndjenin vetëm dhimbje, por jo revoltë. Kjo e fundit nis të formohet tek lexuesi në momentin kur krejt papritur, jetët e shumë njerëzve të familjes ndëshkohen nga e keqja dhe fillojnë të përndiqen nga regjimi komunist i kohës, kur pas vrasjes së protagonistit vetëm njëzet e shtatë vjeç në konfliktin shqiptaro-grek, s’kalon shume dhe dashakeqësia e një njeriu të vetëm bën që vdekja e heroit të mos njihet si e tillë, por të zëvendësohet nga mashtrimi që i vdekuri nuk ka vdekur, por është arratisur jashtë. E keqja edhe vdekjen e trazon në shtratin e ftohtë, kjo është tragjikja e kohës që përshkruhet në libër.
Jemi përballë një rrëfimi të cilin Floresha e vendos në dy plane: në fillim kemi iluzionin e lirisë, të mundësisë për të dashuruar dhe për të qenë të lumtur, më pas kemi pasqyrimin e një kohe kur liria individuale nuk kishte më kuptim nëse të tjerët vendosnin që ishte tradhtuar besnikëria ndaj shtetit. Kështu Floresha e personalizon nëpërmjet rrëfimit të saj një dhimbje reale, një persekutim real, një humbje të vërtetë, ku edhe ajo vetë është dëshmitare dhe vuan pasojat pa pasur kurrfarë faji në këtë mes.
Këtë ngjan sikur kërkon të nxjerrë në pah autorja në këtë rrëfim, dhe kalvari i vuajtjeve që ajo përshkruan, është edhe kalvari i ekzistencës së saj. Nëse ndalemi pak në këtë aspekt, mund të themi se një pjesë e mirë e shoqërisë, krijues apo njerëz të zakonshëm, kanë kërkuar që përmes rrëfimit të tyre të hedhin dritë mbi ngjarje dhe fakte që kanë pasur tragjiken në thelb, padrejtësinë, vuajtjen, përndjekjen dhe torturën shpirtërore të përjetuar nga absurdi i asaj kohe. Fati i keq mund të prekte këdo, edhe njerëzit e zakonshëm, që përpiqeshin të krijonin jetën e tyre, të dashuronin, të qeshnin, të qanin si individë të lirë dhe normalë. Por a mund të flitet për normalitet nëse ne i referohemi asaj kohe?
Kjo pyetje merr një përgjigje në këtë novelë. Lexuesi njihet me një rrugëtim të gjatë, në kërkim të së vërtetës së munguar për një familje ku nga fëmijët deri tek të moshuarit, pasojat e përjetuara janë tragjike dhe hapat e hedhur prej tyre në vite nuk mbështeten aspak në një rrugë të zakontë, si e shumicës së njerëzve, por në një kalvar të gjatë dhimbjesh të cilin autorja me dinjitet dhe moral shpirtëror, na i sjell sot përmes rrëfimit të saj.

Eris Rusi
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve 
“Bota e Re” Korçë

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s