Shtëpia Botuese ” ADA” publikon vëllimin poetik “FLUTURAT E SHPIRTIT” të autores Mariolla Kostandini

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon vëllimin poetik “FLUTURAT E SHPIRTIT” të autores Mariolla Kostandini

Titulli: FLUTURAT E SHPIRTIT
Autore: Mariolla Kostandini
Redaktor letrar: Eris Rusi

ISBN: 978-9928-296-16-0

Përgatiti për botim: Roland Lushi

© Të gjitha të drejtat janë të autores

Tirazhi: 200 kopje

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, qershor 2019

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Kostandini, Mariolla
Fluturat e shpirtit : poezi /
Mariolla Kostandini ;
red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2019
96 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-16-0
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Në vend të parathënies

Si mund ta përcaktojmë sot letërsinë që shkruhet dhe që botohet në Shqipëri? Mund t’i vlerësojmë tekstet letrare si udhërrëfyes dhe përçues të dritës dhe shkëlqimit, drejt viseve të errëta të botë shqiptare, apo si një metaforë e jetës e cila ndjehet e trazuar në ditë-netët e saj?
Jemi një vend ku ende krijuesit vazhdojnë të shkruajnë, duke qenë të vetëdijshëm sa e vështirë po bëhet leximi i krijimeve të tyre. Por aty ku në ekzistencën tonë fillon të shfaqet vegimi i trishtë i jetës, i varfërisë shpirtërore, i barbarisë dhe i zakoneve barbare, letërsia ka mjeshtërinë që të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë ngjyrimin poetik, duke ofruar edhe pasionin, edhe ndjenjën, edhe lartësimin e të mirës dhe të bukurës në vetvete.
Nën këtë dritë, edhe libri i parë me poezi i krijueses Mariolla Kostandini, “Fluturat e shpirtit” vjen si përmbushje e ëndërrimit, e imagjinatës dhe ndjesisë artistike të autores; reflekton dhe përcjell ndjesi ku misteri dhe zanafilla e jetës tingëllojnë bukur. Umberto Eko shprehej se “Poezia është njëra nga ato pushtete jomateriale, që nuk matet me peshë, por që në një farë mënyrë peshon dhe luan rol për të gjithë shoqërinë”. Në këtë kontekst mund të vendosim edhe krijimet e këtij libri. Kemi të bëjmë me një poezi që mbushet me frymë, me meditim, me jehonën e së kaluarës, ku malli, dashuria, njerëzit e afërt, por edhe vetmia, distanca, marrëzitë, shtjellohen në nuanca poetike. E rëndësishme, ngjan sikur thotë poetja, është të shohësh nga pranë dhe të lidhesh me gjërat që vërtet kanë rëndësi në jetë: qyteti, fëmijëria, rrënjët e origjinës nga vjen, pastaj të afërmit, miqtë, njerëzit dhe krejt bota ku ne jetojmë. E gjithë kjo përcillet përmes fjalësh që mbajnë në vetvete imazhet e të bukurës dhe të fisnikes. Qytetit të Korçës, Oli i drejtohet në këtë mënyrë:

Pranë Korçës

Muzgje që kumbojnë tinguj,
Janë të ëmbla në çdo stinë,
Si mbrëmjet e saj nuk ka,
Serenatë për dashurinë!

Kur qielli shuan zjarrë,
E prushin lë mbi Korçë,
Lumturia hapet ngrohtë
Brenda zemrës që këndon!

Kjo është një botë e bukur, me muzgje që vishen me tinguj, ku jeta rrjedh ëmbël dhe qielli nuk perëndon por vishet si zjarr mbi kalldrëmin e qytetit. Lumturia, kjo ndjenjë që shpesh arratiset më lehtë sesa e dëshirojmë, ka nevojë për gjëra të thjeshta e të vogla, por që në thelb kanë domethënie të madhe.
Ndoshta ky është edhe çelësi për të lexuar këtë përmbledhje poetike. Poezitë janë si flatra fluturash që rrahin qiejt e imagjinatës. Nëse kthehemi në botën antike helene, fjala “Psiche” do të thotë shpirt, por edhe flutur. Ndaj flatrat e përshkruara në vargje nga krijuesja Kostandini, ledhatojnë shpirtin dhe dinë t’i japin ngjyrë realitetit ku jetojmë:

Nën shi

Bie shi dhe unë e brishtë,
Brenda tij qëndroj e strukur,
Toka e ëndërrt që rrotullohet
Me ditë të tejdukshme e mbushur!

Më paska marrë malli për shiun,
Për aromën e kësaj toke të thekur,
Diç po gurgullon brenda meje.
Belbëzojnë vargjet q’ishin mekur!

Ëndrra, ditë të tejdukshme dhe vargje që zgjohen papritur në shpirt! Ky ndoshta është dhe rrugëtimi real që ka ndërmarrë krijuesja përmes këtij libri, duke gjetur pasionin për të përfshirë në këtë përmbledhje poezi të shkruara në kohë të ndryshme, që prekin edhe ditë të vështira për vendin tonë, si Marsi i vitit 1997 me marrëzinë dhe fatkeqësitë që solli për familjet shqiptare, por edhe Luftën e Kosovës dhe mizoritë e pësuara nga njerëzit e thjeshtë nën atë tmerr.
Kjo bën që ne të kemi mundësi të dallojmë reflektimin njerëzor mbi ato që janë ditët e shëmtuara, ngjarjet tragjike, dramat ku mund të humbasim edhe vetë një ditë prej ditësh. Ky reflektim poetik, megjithatë, tregon që vetëm përmes kujtesës ka mundësi që të mos kemi ripërsëritje të tragjedisë, kujtesa është edhe trishtim edhe shmangie fatkeqësish njëherësh.
Nga ky sfond, autorja zhvendoset në dimensionin e personales. Këtu jemi në marrëdhënien e bukur me njeriun e zemrës, me fëmijët, e rrethuar nga dashuria e nipave dhe mbesave, çka e bën krejt krijimin që të jetë mikpritës dhe e nxit lexuesin të bëhet pjesë e tij:

Sikur

Mes ëndërrimesh, larg prej teje jam,
Të mundja vërtet të vija tek ti, 
Të isha pranë teje, fare pranë,
Të të përqafoja si një ëndërr e mirë!

Në këto vargje ka vend për zërin e krijueses, por edhe për përfytyrimin e lexuesit i cili mund të thotë: “Ti, poete je në poezitë e tua, por këtu jam edhe unë. Je një qenie njerëzore që tejshkohet nga fjalët që shkruan. Dhe kjo si lexues, mua më pëlqen!”
Në këtë prizëm, “Fluturat e shpirtit” ofrohet me një lexim të shumëfishtë. Poezitë janë të krijuara me vargje thelbësore, nuk ka retorikë të zbrazët dhe një pjesë e boshtit tematik lidhet ngushtë me bashkëkohësinë dhe me përfytyrimet që krijuesja mbrujt përbrenda.
Këtu, e gjithë kjo sugjerohet edhe nga imazhe të mbetura pezull, që na kërkojnë ne si lexues që të vihemi në provë, të mos lexojmë tekstin vetëm nga pjesa e asaj që e ka shkruar, por të shndërrohemi në protagonistë të të njëjtit realitet.
Kjo është mënyra që ka zgjedhur poetja për të rrëfyer pjesë të jetës së saj dhe të njerëzve bashkëkohorë, duke hulumtuar mbi fatin e vet dhe fatin e botës. Ky lloj personalizimi i eksperiencës poetike, shndërrohet pastaj në zë të përgjithshëm, universal, për këdo që depërton në leximin e këtij libri.

Eris RUSI
Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”
Korçë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s