Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin për fëmijë “Një libër për yjet” të autores Alma Zenellari

Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin për fëmijë “Një libër për yjet” të autores Alma Zenellari

 

Titulli: Një libër për yjet

Autore: Alma Zenellari

Redaktor: Fejzi MURATI
Korrektore: Sara GJOLENA
Piktore: Bardha LILE

Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-269-28-3

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 16.5×23.5cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Roland Lushi

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
http://www. botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë qershor 2019

Të gjithë librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekeën Kombëtare Tiranë

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Zenellari, Alma
Një libër për yjet : poezi për fëmijë /
Alma Zenellari ;
red. Fejzi Murati. – Tiranë : Ada, 2019
72 f. ; 24 cm.
ISBN 978-9928-296-28-3
1.Letërsia shqipe 2.Letërsia për fëmijë 3.Poezia
821.18 -93 -1

NJË HAP TJETËR I BUKUR  I POETES ALMA ZENELLARI

Është thënë nga analistë e studiues të shquar se për poetin, talenti gërshetohet me moshën, i japin njëri-tjetrit elementë pasurie, sigurie dhe mbi të gjithë vlera jetësore. Njëkohësisht duhet thënë se gama e trajtimit të temave moshave dhe grupmoshave, është e pakufishme siç është në fakt i pakufishëm vet arti i fjalës, e në veçanti arti poetik.
Është po aq e vertetë se hapat që mund të bëjë në një radhë krijimesh, poeti shpesh mund të të befasojë… Poetja e talentuar Alma Zenellari, pas shtatë vëllimeve të suksesshme në poezi, ku spikat fuqishëm jo thjesht talenti i saj si poete, por më shumë se kurrë aftësia e pabesueshme e kësaj poeteje për ta kthyer në poezi gjithçka që mendon, gjithçka që e prek qoftë edhe kalimthi me syrin e saj poetik, së fundi guxon dhe trajton në një tufë poezish të mbledhura e të punuara meshumë kujdes dhe dashuri poeteje, tematikën për fëmijë.
Nëse do të bënim një udhëtim të shkurtër në krijimtarinë e saj të begatë, do të konstatonim me kënaqësi se të shtatë vëllimet kanë brenda vetes një pafundësi temash, dhe më kryesorja, nuk ka rënë asnjëherë në përsëritje, gjë e rrallë kjo për një krijimtari kaq voluminoze.

E pas kaq sukseseve të arritura, pas disa çmimeve që ka marrë nëpër takime të ndryshme, brenda e jashtë vendit, ajo jo vetëm vijon suksesshëm të lëvrojë poezinë për të rritur, por gjen dritare që të shkruajë edhe për fëmijët, për ata që asnjë investim nuk mund të quhet i tepërt.
Në se do e shfletonim këtë vëllim poetik për fëmijë, do vërenim jo pa kënaqësi, se ndryshe nga ç’kemi parë e lexuar në shumë krijime për fëmijë të këtyre viteve të fundit, ky libër që promovon poetja Alma Zenellari, qëndron ku e ku më dinjitoz, më i ngrohtë, më i pasur në tematikë, ku mbizotëron jo vetëm e veçanta e kësaj poeteje në llojin e vargëzimit, por së pari aftësia e mrekullueshme e saj për të hyrë aq natyrshëm në botën e pafajshme, në botën ëngjëllore të fëmijëve. Thelbësore ngelet aftësia e poetes për të shkruar me gjuhën e fëmijëve, për të trajtuar çdo temë me mentalitetin fëminor, duke gjurmuar dhe vëzhguar çdo detaj me durim e dashuri nëne, mësueseje dhe qytetareje.
Që në faqet e para të këtij libri poetik, fëmijët do të takohen me botën e tyre përmes një sërë poezish, sa të thjeshta në ndërtim, aq edhe intriguese për fantazinë e tyre delikate, por që mund t’u skalitë përjetësisht shumë mësime jetësore, me gjetjet aq interesante të poetes. Larmishmëria tematike ngërthen gati çdo fushë që ka të bëjë më fëmijët si çuditë psh., si lind ylberi apo pse bie shi,mos qiellin e kanë fyer? Lola e vogël kërkon të kapë flokët e borës, por ato i shkrijnë në dorë, ndërsa harabelat nuk kanë frikë se mos i përzënë kur vijnë e hanë thërrime në parvazin e dritares.
Një poezi interesante dhe me gjetje shumë të bukura poetike, por edhe fëminore, është ajo me titull “Katër kotelet”, që me guxim dalin nga shporta ku i ka vënë mamaja dhe nisen tutje pyllit të eksplorojnë botën:

“ Njëherë u larguan,
dolën që nga shporta,
në pyll përfunduan
të shihnin, ç’është bota!

por putrat e buta
në ferra iu vranë
plot pendesë u kthyen
ç’qe bota e panë…

Gjyshja e mërzitur 
s’i qortoi më kot.
të katra kokulur
u futën në shportë” .

Me shumë dashuri poetja shoqëron fëmijët në kopësht, siç është poezia “Sibora në kopësht”,

Sot Sibora shkoi në kopësht,
vjeshta e artë e përgëzoi,
si një flutur krahëlehtë
bashkë me shoqet fluturoi.
Por ajo është edhe në klasa, në orën e mësimit, kur fëmijët trishtohen se u është bërë një njollë në grykëse, kur dikush i fyen dhe ende nuk i ka thënë “më fal”, ashtu siç i ka mësuar mësuesja…
Ka poezi me një domethënie të fuqishme për ndjenjën e punës si pjesë e edukatës, që duhet t’u injektohet fëmijëve të sotëm dhe që poetja e përcjell më mjaft elegancë në poezinë me titullin kuptimplotë: “ Bleta zu-zu-zu”…

Unë jam bleta punëtore,
asnjë çast nuk ndaloj,
kam koshere,ëmbëltore,
veç punoj e nuk përtoj…

Por ajo shqetësohet se ka edhe dembela si arushët që kërkojnë t’i hanë mjaltin duke i prishur folenë…

Punoj shumë për vogëlusha
përmbi lule mbledh polen,
mjalt kërkojnë dhe ca arusha,
ma ngacmojnë përherë folenë…

Por ajo premton se nëse këta arusha, por edhe fëmijët do sillen mirë…


Kur të sillen mirë arushat,
s’mbaj mëri e s’mbaj inat,
për ata dhe vogëlushat,
mjaltin tim e bëj dhuratë…

Interesante dhe shumë edukative janë disa poezi që lidhen drejtpërdrejt me orët e mësimit, si poezia për abetaren dhe për disa nga shkronjat : “ O “, “ F “ , “ B “:
shkronja “O” nis e qan
Ola dorën mirë s’e mban,
më shëmtoi si pa të keq,
trupi im, shiko ç’po heq!

Në poezinë shumë të bukur me titullin “Lojë matematike”, harmonishëm vihet në punë fantazia e fëmijës me dijet e tij duke e bërë tërheqëse poezinë, por edhe mësimin e matematikës.
Duket sikur poetja në këtë poezi ka dashur të japë indirekt një këshillë për mësuesit që fëmijët më lehtë mësojnë përmes lojrave dhe zbavitjeve se sa me mënyrat klasike didaskalike:

Më afrohen dy pëllumba
gu-gu-gu e tundin bishtin
nëse vijnë dhe tre, sa bëjnë?
kush e gjen të ngrejë gishtin.

Ja mbi tela gjashtë dallandyshe,
bëjnë ci,ci, oh ç’argëtim…
gjashtë të tjera vijnë pranë tyre,
se sa bëjnë a e dimë?…

Gjetjet e poetes për të bërë personazhe të poezive për fëmijë, dallëndyshet, pëllumbat, kotelet, borën dhe shiun, por edhe mësuesen dhe gjyshen, për të trajtuar tema për miqësinë dhe mirësjelljen, për ditën e parë të shkollës apo orët e muzikës, e bëjnë më tërheqës vëllimin, lehtësisht të asimilueshëm për moshat të cilave u drejtohet, por pse jo edhe për ata që kanë të bëjnë me fëmijët, që janë e gjithë shoqëria, nga nëna e babai, gjyshja dhe gjyshi, mësuesja dhe madje edhe vet fëmijët përmes qortimeve dhe këshillave miqësore që bënë në poezitë e saj.
Dalja në dritën e botimit të këtij vëllimi sa të thjeshtë, aq edhe të pasur, sa të bukur , aq edhe tërheqës dhe të përshtatur për moshat fëminore, mendoj se është një pasurim dinjitoz i letërsisë për fëmijë, një letërsi që për hir të së vërtetës duhet thënë se këto vitet e fundit jo
vetëm ka shteruar, por edhe kur është lëvruar, shpesh ka qenë ose banale, ose e deformuar në trajtimin e koncepteve dhe sidomos në përfytyrimin e fëmijëve.
Hapi i ndërmarrë këtë radhë nga poetja Alma Zenellari, është po aq i bukur, në mos edhe më i bukur se ai i ndërmarrë në krijimin e shtatë vëllimeve të tjera poetike, sepse është një kontribut i drejtpërdrejtë në pasurimin e letërsisë për fëmijë, brezit më të bukur të shoqërisë sonë.

Fejzi MURATI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s