Poezi nga Adem Xheladini
Besomë!…
Syve të dielltë më the, është jeta,
Dhe diellin e pashë në sy
Në sytë e tu, aty e gjeta
Kur më mbuluan me mrekulli.
Ti më flet për atë ngrohtësi
Dhe deti yt më hyn në gji
e ndjej shpirtin në atë kaltërsi
dhe buza më ndrin përsëri
Të them, mbi buzë aty fle mjalta
Po ti s’beson përsëri
Beson, veç tek puthjet e zjarrta
Ashtu si puth veç ti!
Sy…
Sërish sy,
Përbri,
Si qielli
Dy sy,
Si dielli
Dhe një buzëqeshje
Përpin magjishëm
Në thellësi,
Botën ta struk
Në kaltërsi!
Në njëmijë e një
Të pathëna, …
Ah!
Ata sy, aty! …
Ajo buzëqeshje,
Përbri!…
***
Ti vjen manare në dritare
Të shuash malle, të ndezish zjarre
Që fikur mbetën nga shiu i vjeshtës
Dimrash të vonë strukur harresës
Vjen buzagaz, me gishtat mbi buzë
Me zjarr në gji, të shuash shpuzë!
Vjen me qiell, vjen me diell,
Me yll mëngjesi, me këngë këndezi
Vjen me pranverë, të sjellish ylberë,
…, përmbi shpresë të vrarë
Të puthish,
buzë zë çarë!…
Adem Xheladini, Kërçovë, janar 2020