Poezi nga Alma Jaku

Poezi nga Alma Jaku
 
 
Eja sonte!
 
Jashtë bie borë. Eja sonte!
Një çaj me boronicë
ma ka ënda të pimë
e të më ulesh butë mbi gjinj.
 
Jashtë bie borë. Eja sonte!
Të fikim dritat, ndezim sytë,
të shkrijmë shpirtrat në një,
të këputem mbi ty si qiellit yjtë.
 
Jashtë bie borë. Eja sonte!
Natën ta bëjmë krejt kandil.
S’më thonë kot “grua bionde”,
as ty s’të thonë kot “bandill”.
 
 
 
Nën dritat e mbrëmjes
 
Sonte, bandill, ngatërrove sytë në mua,
“Falmë, – më the, – më vrau drita”.
Krejt e pafajshme, me taka
të shkela këmbët te gishtat.
 
Medet, drita e orëve të vona
t’i marrka sytë, t’i prishka mendtë!
Muzikës s’ia ndjek dot notat,
në çrregullim i harron këmbët.
 
Ti prapë shfajësohesh, kinse me turp,
se t’i verboi sytë drita e fortë
dhe si padashur më cik në trup,
si tel korrenti me një mijë voltë.
 
Të vraftë nata, të shoftë drita, bandill!
Më ndeze, më kalle flakë.
“Padashjet” e tua më ranë si thika,
gjysmë e vrarë të rashë ndër krahë.
 
 
 
Nuk kemi kohë
 
Dielli dhe hëna përjetësisht bashkë,
puthen në dritë dashurie,
unë dhe ti nga kohë e lashtë
njëri-tjetrit i rrimë si hije.
 
Eja, e bukur, në një qosh qielli
të puthemi pak, se, për besë,
një ditë në amshim do na çojë dielli,
s’do kemi kohë për pendesë.
 
 
 
Më bli një ishull
 
Herë më puth butë si engjëll
dhe dashuri bën si një djall,
herë ndez faret e fikur në mjegull,
anijen ma mbyt në liman.
 
Herë vjen dallgë e më përfshin
(e mjera unë, nuk e di notin!),
herë në breg zhegu më shkrin
si një guaskë, molusk loti.
 
Nëse më do, më bli një ishull,
ku të zgjohem, të fle me ty në sy,
në mot të bukur dhe të prishur
e vetmja pemë të jem aty.
 
 
 
Përjetim dashurie
 
Blerimi i pranverës është i vdekur
pa gjelbërimin e syve të tu,
yjet në qiell meken të zbehtë
dhe hëna si e kafshuar rrëshqet.
 
Me ty në gji natën e kam të bardhë,
në shtrat jam një barkë me vela,
në çdo sekondë të puth me mall,
të përshkoj si korrent ndër tela.
 
Jetoj shumëfish kur më flet, më qesh,
çiltërsisht të dua me shpirt fëmijëror,
dridhem si purtekë kur trupin më ndesh,
të kam njëherësh burrë, fëmijë, dashnor.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s