Poezi nga Flora Meçaj

Poezi nga Flora Meçaj
 
 
Sy të ftohtë
 
Ooooo Shën-Mari
Thirra një natë pa ngjyrë
Të kërkoj pak, shumë pak
Mbyte të keqen
Vetminë e njerëzve mes njerëzve.
 
 
 
Arratisje (atëherë)
 
Një natë kur zoti s’ish
erdhi djalli fytyrëmalli
brodhi nëpër natë
shkeli nëpër gjurmë
u zgjuan nga frika
dhe rendën të gjithë…
Ati i lutej bijës, mos më lër vetëm
Nëna i thosh birit, mos më lër shkretë
Gruaja i thoshte heshtjes mos më lër pa timzot
U nisa dhe unë,
mallkimin e vendit ngarkuar mbi sup
po s’mbërrita kurrë.
Mbetën pleqtë si gërmadha
luteshin natës;
Kthehu Zot, të iki djalli
Ngrihui t’i bëhemi shtylla natës
Të mos bier mbi ne
Thinjat ofshajnë
Lotët derdhen ujëvarë mbi mjekër!
Sot… janë thyer shtyllat
dhe nata fle mbi ta
Stalaktite qirinjsh bien mbi ikona
Nuk njihen caqet e ëndrrave
Ushqehen me skelete dëshirash
Kthetra mbërthyer në mish e në asht
Me shpinë kërrusur iu dorëzuan fatit
Portat u mbyllën hermetikisht
Askush nuk hyn
Lotët fshehur, mbytur
I mbushën zgavërat e pritjes
Me një bekim shtrënguar në gji
Ikni, ikni të gjithë
Qofshi mirë bij
Ngelën shëpitë shkretë
Vilat kështjella-ngritur bosh
pa të qara fëmijësh,
hijengrysura.
Vetmia i shkërmoq dhe heshtin kobshëm
U plak ky vend kësaj jete,
deri në rrënoja,
në gjurmë,
në harresë,
dhe në hirin e saj.
 
 
 
Fle njëri sy
 
Kjo ditë peng e mjegullës
Dielli gllabëruar nga retë
Skeleti i ngeli
Lulet s’kanë më petale
U kërrusën nga era
Të tjera do të mbjell mbi zemërimin
e jugës së tërbuar
Muzgu çapitet menduar
Hëna kosit cep më cep
Do të eci këmbëzbathur
të mos e zgjoj gjithësinë dhe pse jam zgjuar
Nuk është muzgu i murrmë që dremit
është nata me buzë të çara prej thëllimit,
që më pi gjumin
Le të iki dhe kjo natë si gjithë të tjerat
Valixhet le t’i mbush e t’i zbras
Fundja çdo natë ka kalendarin e saj
Mbrëmjeve kur drita e qiririt të zgjasë natën,
meloditë e flakës do lëkunden
do shkundin copat e kujtimeve
andër mbi andër qepur,
por s’do më zërë në lak.
Vetëm s’do harroj ku isha dje.
Atëherë… një derë zvarritet e mbyllet përtuar
Sot…dhe nata mbyllur me bravë s’është e sigurtë,
por dritaren e çan dhe një rrip hëne
Shtrihem në tokë t’i rëndoj
Të më ndiejë siç e ndiej unë
T’i lë hallet atje ku më gjenden
Tjetër jam sot mbi koret e plagëve
Jam ende e fortë për t’u përballur me fundosjet
S’do t’i mbaj mbi shpinë si guska e kërmillit,
si zhgualli i breshkës, jo e jo!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s