Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

MË ZGJO

Dashurinë që lulëzon vonë
mund ta shkrumojë
një kthjelltësi e akullt nate
bryma e parë e një mëngjesi
që vjen me vjeshtë e pak borë
lëkurës sonë të murme si kjo tokë
apo dhe etja për t’u pare

Se vjen një stinë
rrudhen frutat
pikëlohen gjethet
faqet e asaj luleje skaj dritareje
shterren e bien në pikëditë
me përqafimin e parë të zjarrtë
të pathënat fjalë i mbulojnë

Nxihen dhe shtatëtblertat
ulin krahët
humbin drejtëpeshimin
Ngjyra e Verdhë si pëlhurë
shtrihet nëpër kurora malesh
mbulon dhe timen shtëpi

Vetminë stinore nuk e zbutë era
as shiu
as ajo Hënë tek shfaqet
e verdhë krejtë
te Roga e Verdhë

Si vjeshtë vjen
kjo pamje para syve të mi
nën peshën e fajit
për tënden mungesë

I a zgjas dorën
shuplakën time të pritjes
të mos lëndohet prej rrembave të malit
dhimbjeve të fjalëve që stepen
e grimcohen dhëmbëve

Ajo ndërron kahjen
shkurton shtegëtimin e përditshëm
kah jugu më shumë varet

Trembem prej të verdhës ngjyrë
si ai shpend Çepuri
pa adresë fluturoj

Bryma fle qepallave
ajo pikë uji bebëzave ngrihet
gjurma e hapave të harruar

Përmes një dritëze shprese
që gati u shua
veten kërkoj e s’di ku e gjej

Duke ecur si i përhumburi
natës që u zverdh nga pritja
në një cep kohe
me një grusht lotsh
e një shami puthjesh
krejt papritur shfaqet e dashura

Me mollëza kuqërreme
lehtash krahëve më prekë
më shkundë jermish

Më zgjo, më zgjo
i përgjërohem
më zgjo e lami sytë si në ëndërr
me një mal puthjesh
të të shoh sërish
nëpër secilën stinë
tek froni i zemërjetës

(27 tetor 2009 – 23 shkurt 2020)

 

ZGJUAR DO PRES

(Heroit të Kombit, Shaban Polluzhës)

Një plumb ma shpoi gjoksin
Deri në boshtin e shpinës
Mesëpërmes Drenicës

Askujt mos i tregoni
Përveç këtij lumi
Që rrjedhon e m’ flladitë
Këtë zjarrmi ma fashitë
Deri në një tjetër kohë
Që ka me zdritë

Ky ujë lumi si ajo dritë
Përtej shtatë bjeshkëve
Në detin tonë ka me zbritë

Brenda këtij lumi
Frymoj e zgjuar pres
Për ta parë të paqtë e të kthjelltë
Këtë Drenicë e këtë Kosovë
Për çdo mëngjes
Me një Yllësi të Re
Shekullit të ri
Nga këtu e në përjetësi)

(Nga libri “Zjarrmi e kthjelltë”, 2011)

 

LIRIA KA VEÇ NJË EMËR

Ishe emblema. Ishe Plisi
Përballë një kohe. Një apokalipsi
Me dekada na drodhi. Dredhë
Erë karpatesh. Gjuhëverdhë

Rregulla luftërash e frontesh theve
I palëkundur.Gurë i kësaj treve
Nuk u bëre loj’s. E the pa rrotull:
Në gojë ujku s’gjallon ky popull

Një mal vite në ty. E pak një jetë
Rruga për n’atë Plisore aspak e lehtë,
Sizif i vonë në beteja ballkani
Rrënjë e thellë me zemër dardani

Atë kohë. Tash. E më vonë
Nuk mbahet shtëpia pa të zonë,
As sofra pa kripë bukë e zemër
A the vetë: liria ka veç një emër

(E marrë për botim në konkursin letrar “Flaka e Janarit” 2009

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s