Poezi nga Bilall Maliqi

Poezi nga Bilall Maliqi

 

KËNGËT TË BËJNË ROJE

(Nexhmije Pagarushes)

Mbrëmë u varën notat n’cep të pentagramit
Siç varen lotët në qerpik të mërzisë

Baresha ngeli në repertoarin e përjetësisë
Lidh nyje kohët me kohë
Si një testament i shkruar në ballore gjithësisë

Mbrëmë shpirti (të) shëtiti përtej maleve
Kodrave e deteve
Në hapësira ku lidhej zëri me zë bilbili

Këngët s’i mbulon pluhuri i harresës
As disqet si gërvish koha
Mbeten të gravuara në shpirtin e etnisë

Mbrëmë qamë ne, qau bilbili dhimbshëm
Tek je shtrirë në horizontale të vetmisë
E këngët me bareshën të bëjnë roje

Ato përsëriten si refren pa sinkopë
Stinëve që mbështillen me zë bilbili
Si një ngrehinë e fortë mallëngjimi.

 

HIJET E ZEZA S’KANË MËSHIRË

Tik-taket e orës s’e humbin ritmin
Në kohë të mira
As në të nxira

Rrahjet e zemrës së një lypsari
Veç sa nuk ndalen
As shpresat nuk i falen

Akrepat e orës i lexon
Në pasqyrë tërë ditën
Me gishta e numëron rritën

Ajo pëlhurë e bardhë
Para tij e shtrirë
Hijet e zeza s’kanë mëshirë

Ora s’ndalet në murin e kohës
As ajo dorë e mërdhirë
Drejt të pamëshirshmëve e shtrirë.

 

VARFANJAK I LËNDUAR

Me sytë nga dielli
E duar kah qielli

Një lutje e shtuar

Skaj rrugës rënkon
Askush s’e dëgjon

Shpresë e mërguar

Dorë e mërdhirë
E shtrirë për mëshirë

Asnjëherë i gëzuar

Fatzi i alivanosur
Nga koha i sosur

Varfanjak i lënduar.

 

DHEMBJE E NGARKUAR

Në dhomën e mbështjellur me ëndrra të zeza
U zgjua nga thirrja e dritës
Dhe ethet e ngacmuara të kësaj stine

Në shpinë kishte ngarkuar (plot) dhembje
Fati iu kishte fshehur në gëzhojën e harresës

Doli jashtë siç dalin ofshamat e zeza
Pa (asnjë) pikë ndalese
Për t’u kthyer përkrah shpresës së cunguar

Mërzia e fut në kornizë të errët
Portretin e uritur me ngjyrë verdhësie
Përderisa gjumi lidh koalicion me vdekjen

Në dhomën e errësuar pa dritë hëne
Klithmat i numërojnë engjëjt
Deri në zgjim të ditës së mramë.

 

PËR FAQE TË ZEZË

në shuplakë të tokës
për faqe t’zezë

ka të tillë që s’dinë
e që s’e dinë që s’dinë
maten në peshoren e vet
të dryshkur

për faqe të zezë
në shuplakë të tokës

paska të tillë Narcisa
që marrin punët e huaja
e punët e veta i kanë për lesh

për faqe të zezë
edhe pasqyrën e kanë të thyer
siç janë vetë brithyer

për faqe të zezë
për faqe të zezë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s