Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Fytyra e qytetit tim

(efekti Coronavirus)

Ia njoh qytetit tim njerëzit e mëdhenj,
Ata që emrin lanë gdhendur në gur,
Ata që zemrën kishin hambar,
Dhe në çdo stinë korrën grurë.

Ia njoh këtij qyteti edhe vuajtjet,
Tek këmbëzvarrë hiqet çaluar,
Gremisur mes skamjes,prapë i ndrit nuri,
Ashtu zemërvuajtur, mes djersës e punës.

Ia njoh qytetit tim edhe njerëzit e vegjël,
Që ngushtë u rrinë kostumet e shpirtit,
Ata që veç pasarelash ngelën,e prapë s’u ngijën,
E njerëzit e thjeshtë i shohin përhumbur.

E njoh qytetin tim edhe në ditë zie,
Me rrugë të shkretuara si lot i tharë,
Me parqe të zbrazura si statuja të ngrira,
E fytyrë të përvuajtur,ja,si sot.

…ia njoh çdo qelizë jete qytetit tim,
unë biri i saj tek e shoh mes lotësh…

 

Arratisje shpirti

M’i grisi mendimet kjo erë e marrë,
M’i degdisi, s’di se ku,
Atje mes pyjeve me mantel dëbore,
Atje mes qiellit ngjyrë blu.

Atje le të prehen,të gjejnë qetësinë,
Diku mes ahishtes që ta bën me sy,
Me tela kitare të këndoj një këngë,
E kupat e agimit me tinguj t’i përtërij.

M’i grisi mendimet kjo erë e marrë,
E m’i nguli mes perëndimit flakë,
Atje ku shpirti më flet pa u zënë në faj,
Atje mes heshtimit që klith plot gaz.

…m’i ngjyrosi mendimet ky perëndim i flaktë…

 

DITË VERE

Më vjen e grijtë kjo ditë,
Rrëmujshëm më enden mendimet,
Bëj ti stis mbi tavolinë,
Më tepër më kacafyten,më grinden.

Hedh sytë mbi fushat e gjera,
Mbushur me sytha pranvere,
Të ngrira më duken,të ndera,
S’e kanë gjallërinë stinore.

E ngrirë kjo pranverë në ardhje,
Më duket si maskat e rënda,
Mungojnë lulet e çelura,
Mbi portat si çdo vit të vëna.

E ftohtë kjo Ditë Vere,
E grijtë, e ngrirë, pa emër,
Kanë reshtur zërat gazmorë,
Tek urimin ta jepnin me zemër.

Të pres sot dallandyshe,
Eja, jepma me shpirt urimin,
Ngrohtësinë që s’ma dha kjo ditë,
Falma ti mes cicërimash!

 

Me ty

Edhe sot e nisa ditën me ty,
Si për çdo ditë sigurisht,
Me ty në mendje,
Me ty në shpirt,
E dita po më qeshet qetësisht.

Edhe sot e nisa ditën me buzëqeshje
E një fjalë përshëndetëse përposhtë,
Se fjala jote i çan shtatë dete,
Kêmbëkryq mes buzëqeshjes më shtron.

…e unë si llasticë zë e të përkëdhelem me ëndje…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s