Po ikim… / Poezi nga Edmond Shallvari

Posted on March 19, 2020

0


Poezi nga Edmond Shallvari
 
 
Po ikim…
 
Një ditë do iknim, e dinim
Formën e ikjes s’e menduam asnjë çast
Në provë nuk vumë as përfytyrimin
Përfytyrimi i ikjes është mëkat.
 
Mëkat ndaj jetës dhe dashurisë
Mëkat ndaj bukurisë së çdo stine
Mëkat ndaj ëndrrave të ardhmërisë
Mëkat ndaj zgjimit të çdo dite.
 
Po ikim sot ne refugjatët e rinj
Bota e Hadit e ngazëllyer na pret
Në breg Haroni me varkën e tij
Me shpirtrat tanë bën biznes.
 
Lutemi vetëm për pak lotë
Të shuajmë etjen trupave të hirtë
Pastaj do vijë ajo kohë
Të ringjallemi si Feniksë.
@Edmond Shallvari
Posted in: POEZI