Poezi nga Kristaq Turtulli

Poezi nga Kristaq Turtulli

 

Poezi për BABANË

Rrodhën dyzetepesë vite,
Baba, që nuk je më.
Shumë vendlindjen e doje,
Gjithçka dhe, për vete asgjë s’kërkoje.
Hijerëndë, me bukuri fisnike
Kur ecje.
Qyteti me respekt kokën përkulte.
Mbasi falje mirësi, bujari, bamirësi nga vetja jote,
Si familje e madhe,
Doje,
Korça të ishte e para ndër shoqe.
Edhe pse mezi të dhanë një varr të thjeshtë…

Por në murin e rrëzuar të ndrydhjeve,
Në shungullimën e shuplakës së kujtimeve,
Në guaskën e mendimeve,
Rrëkeja e djersës pikëlonte si kristal në kalldrëme.
Së bashku me pengun e pathënë.
Dritën e paparë,
Shpresën e vrarë.
Luhatej, përkulej hija jote e gjatë,
I lodhur, i munduar ngjiteshe,
Në rrugicat e kalldrëmta, zemërvrarë…
I heshturi,
i ndershmi,
i vuajturi,
Fisniku, Bamirësi,
ATI.
Natë e ditë si Ante mbartje
Pallton gri, të reve,
Të halleve,
Të persekutimeve.
Qytetasit të verbër, memecë,
Në shkallët e padijes, injorancës ngecën.
Nuk çanë kryet për ty që u dhe bujari,
Krenari, dritë dhe dituri.
Të nëpërkëmbën,
Të mohuan,
Të tradhtuan.
Sa shpejt të harruan!
Të zymtë si nata,
U mbështollën me pelerinën e mërisë.
Gjuhëtharë, sydalë.
Mosmirënjohja më e liga e poshtërsive.
Sëmundje e keqe e zvarranikëve.
Dielli shtyhej në qiell, ngucej mes yjeve.
Heshtje…

Rrodhën dyzetepesë vite,
Baba, që nuk je më.
Ne ikëm kurbeteve…
TI ATJE mbete.
Prandaj më behet sikur palltoja jote,
E gjatë, gri e halleve,
Lëviz të qytetit rrugicave.
Palltoja e vjetër, nuk ka vetëm ty baba nën vete.
Por gjithë botën e madhe…

 

S’ËSHTË LODËR JETA
(fragment poeme)

Pa më parë në sy, thua;
Në vetminë e madhe,
Edhe pse jemi mes njerëzve.
Ndehur në shtegun e qelqeve,
Prej shkëlqimit të rremë filloi pabesia…
Mëria, armiqësia,
Virusi korona, karantina,
Për mbijetesë, lufta…
Shikimin hedh mënjanë dhe thua;
Mos i marrim erë fletës së vjeshtës së një bliri.
Distancë mbajme nga tjetri,
Në trungun e jetës bën pritë gjarpri,
Virusi.
Loti i fëmijës ndehet në cepin e një briri.
Dhe pikon në gjethen e thatë të një fund dimri.
Përmbytje ka në liqene,
blu, të syve…
Mbështjellë me pallto, zë ulët thua;
Pranvera është e vonë
Mbrëmë ra dëborë
Çapitet në paterica.
S’ na u nda ngrica.
Por mos u ligështo,
Nuk është lodër jeta,
Pra lufto,
S’mund të tërhiqemi prapa.
Rroke dorën e ngrohtë,
E sheh, më ke pranë…
S’ do përpihemi prej erërave dhe dallgëve,
Do mbijetojmë,
Puthje me maskë,
Kur e dimë s’është lodër jeta,
Por provë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s