Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Më thuaj…

Të kam thënë dikur,
që nëse një ditë mërzitesh nga unë,
më largo bukur,jo duke heshtur.

Heshtja është për të dobëtit,
për ata që nuk guxojnë
ta thonë në sy të vërtetën.

Ah,po,është edhe për egoistët,
për ata që shumë gjëra thonë,
por asnjëherë të duhurën.

Më thuaj pra,ty ç’mbiemër të të vë?

 

Dashuri pa skaj

Ti dashuri e imja e vogël,
Të shoh tek rritesh,e sytë s’t’i ndaj,
Ia ndiej tëndes zemër çdo trokitje,
T’i shoh qepallat tek mbushen plot gaz.

Ti dashuri e imja e vogël,
Që mallin ma rrëmben e ma fsheh në gji,
Mes buzëqeshjes së ëmbël të shpirtit,
Më thua:” Mam,’ po unë nuk jam më fëmijë!”

Dhe unë e di bir, që nuk je më i vogël,
Por ja që nënat qenkan çudi,
Për ta mbetesh vocërrak edhe kur plakesh,
E zemra e nënës ofshan:”O bir!”

Ti dashuri e imja e vogël,
Të shoh në sy,e kohën dua ta ndal,
Mes gishtash tek dridhen,e mes lotësh,
Fletët e kohës i shfletoj plot mall.

Sa orë shqetësimi,sa buzëqeshje marroke,
I dhamë njëri-tjetrit çdo çast,
Të rrita,më rrite,u rritëm së bashku,
E imja dashuri e shpirtit pa skaj.

…se syri yt i qeshur, zemrën ma mbush plot gaz…

 

Stinë e vrarë

E dielltë sot kjo ditë,
por çuditërisht, e ftohtë në shpirt,
pranverë akullnajash çngjyrosur,
pa mantel të gjelbër mbi shpinë.

Plot arna veshur kjo stinë,
si shpirtrat në grahmat e fundit,
me aparat oksigjeni në hundë,
në çastet e fundit të lutjes.

Çudi,u vritkan edhe stinët,
dhe në shpirt të dhimbkan për dreq,
shpirtrat e natës enden hareshëm,
në mes të ditës vallëzuakan në shesh.

I shohim shpirtrat famëzinj,
e zhvishemi cullak para tyre,
të plogët ndihemi,pa fuqi,
si zogj me krahë të thyer.

Falmë o stinë bukuroshe,
që degëzat t’i theva pa shkak,
buzëqeshjen nga shpirti ta vodha,
unë qenia njeri,vrasësi i të gjitha kohërave.

 

Një ditë nga këto…

Një ditë nga këto,
do mundem të bëj gjëra të bukura.
Një ditë nga këto sigurisht!

Një ditë nga këto,
do t’u kushtoj më tepër kohë të dashurve të mi,
do të rri më tepër me fëmijët e mi.
Një ditë nga këto sigurisht!

Një ditë nga këto,
për ju do të thur një poezi shpirti,
do të këndoj një këngë malli,
do t’ju jap të gjithëve një përqafim të ngrohtë,
oh,shumë të ngrohtë!
Një lule nga ballkoni im do t’ju sjell,
që shpirtin t’jua vesh me aromë.
Një ditë nga këto sigurisht!

…kjo ditë është sot pra,ta jetojmë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s