Poezi nga Rexhep Shahu

Poezi nga Rexhep Shahu

 

***

Përditë të pres
Edhe kur vij e veten s’e gjej në ty
E bëhem pikpyetje e herë pikçuditëse
Duke shikuar në dritaren e dimrit
A mos po vjen.

Dikush pret pritjen dhe thinjet
Dikush pret vdekjen.

Lum kush pret.

 

SA PAK JEMI DASHTË

Sot kur po zgjidhet kush duhet të vdesë
U bëra pikë loti në pendesë
Se pak jemi dashtë
Sa pak jemi dashtë!

Në spitale po zgjidhet kush duhet të vdesë
Vdekja në shumë vende po mbledh me fshesë
Ne bëjmë statistika sa vdesin në ditë nga makinat
Sa nga aeroplanat, sa nga droga e sida
E fshehim ato që vdesin nga mungesa e dashurisë,
Bota ra në gjunj me duar nga qielli
E lutet si asnjëherë për një shekull.

Sa pak jemi dashtë…
Sa pak jemi dashtë Zot dhe ti na ke falë
Na ke falë shumë kohë duke besuar se kemi me u dashtë më shumë
Një ditë kemi me fillue me u dashtë më shumë e me urrye më pak
Me shpërfillë më pak, me tallë tjetrin më pak
Me iu gjetë tjetrit më shumë.

Sa pak jemi dashtë,
Sa shumë kohë kemi vra pa dashuri
Sa kohë çuam dëm pa puthje, pa përqafime
Sa miliarda herë nuk i thamë njëri – tjetrit, të dua,
Natën e mirë, mirëmëngjes, a ke nevojë për mua, a je mirë
A të ndihmoj dot, a mund ta fshij lotin, a ke bukë në shtëpi…
Sa herë e shtymë të dobëtin dhe lëpimë të fortin
Sa herë nuk e dëgjuam tjetrin, sa herë duruam ta dëgjojmë deri në fund
Gjithmonë kërkuam pa menduar kurrë çfarë dhamë
Pa dhënë kurrë dashuri
Pa mbuluar netëve prindërit me batanije të ngrohtë
Pa puthë duar nëne, o Zot duar nëne
Pa përqafuar babanë që cilindo në jetë e lë jetim
Sa orë e mijëra orë mbajtëm mëri me vëlla e motër, heshtëm gjatë
Sa mijëra herë nuk u kuptuam e iu shmangëm njëri – tjetrit
Duke ia lëshuar vendin heshtjes e urrejtjes
Duke u endë gjyqeve kundër vëllait a motrës
Që nga krijimi i botës

Sa pak jemi dashtë, o Zot sa pak!

Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë, unë po çmendem
Nga poshtërsia që kemi bërë – që nuk jemi dashtë
Që nuk i thamë çdo orë e çast njëri – tjetrit, të dua
Që nuk i thashë sa duhet e mjaftueshëm asaj, të dua
E as ajo nuk më tha mua
Ndaj sot po zgjidhet kush duhet të vdesë
Natyrisht që më të mirët zgjidhen të vdesin, si gjithmonë…

Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Nuk them se nuk kam frikë të vdes zemër
Po përjetoj tmerr që mund të zgjidhem të vdes
Që mund të zgjidhet të vdesë cilido që ka bërë 65 vjeç
Që është i vjetër a i sëmurë
Nuk është zgjedhje e zotit se cili duhet të vdesë
Është zgjedhje e urrejtjes, e shpërfilljes, e mërisë tonë
E mungesës së dashurisë.

Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Cili baba, cila nënë, motër, vëlla, duhet të vdesë
Jam ulë në udhë nga shkojnë fatet
Gjunjët me duar kam mbështjellë
Dhe me sy të përlotur kërkoj ndjesë
Ndjesë se ndoshta të kam dashtë pak
Sa pak të kam dashtë…

 

***

Thyjini pasqyrat njerëz
ku ti shihni pasqyrat thyjini
Pasqyrat e shtëpisë, thyjini ku t’i shihni
Xhamat e dyerve a dritareve
që ju bëhën si pasqyra, thyjini
e shpëtoni prej vetes…

Thyjini pasqyrat
ndërsa syve të tjetrit u ikni
në sytë e tjetrit mos u shihni…

 

***

Nuk kam nga shkoj nëpër qytet
gjithë udhët e sheshet i kanë zënë herojt
unë veç ruhem mos përplasem
me buste, përmendore, statuja, shtatore
që shëtisin krenare e të trembura udhëve tona
të trembura se mos i pështyn ndokush në fytyrë
apo mos i vret ndokush me plumb pas shpine a në ballë.

Unë endem me frikë udhëve të qytetit tim
se shtatoret e bustet gjithë udhët i kanë zënë
dhe i duan të lira gjithmonë udhët e sheshet
i duan pa mua, pa hijen time, pa erën time
prej njeriu, prej letre, prej djerse a duhani.

Herojtë e shndrruar edhe në tabela udhësh
do të fillojnë të vjelin taksa pse ecim në udhët e sheshet
që mbajnë emrat e tyre
do të vjelin taksa vetë herojtë ose pronarët e tyre
se herojtë tek ne kanë pronarë
ndonjë parti ndonjë shtetar të fortë a ndonjë pareli.

Unë nuk di nga të eci nëpër qytet
që të mos përplasem me hero të rremë a të vërtetë
sa më i rremë heroi, aq më krenar zapton sheshe e udhë
heroi i vërtetë ikën e struket në ndonjë skutë të shkretë.

Unë nuk di nga të shkoj prej herojve të shumtë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s