Poezi nga Mexhid Mehmeti
GISHT NË SY
takat e saj
thikë në zemrën
e të ikurit
me bishtin nën shalë
tiktaket e orës
vetëm hapa në ikje
e reinkarnimi
shpikje budallenjësh
për këtë shkak
të çmendurit
s’i besojnë territ
por gishtit në sy
ata këndojnë himne
dëgjojnë taka në trok –
thikën që zemrën
shpon e shpon.
VETËDËNIM
shoh se e paskam tepruar
me të jetuarit e jetës
në askundëritë e botës
detyrohem
t’i them vetes
mjaft mjaft mjaft
mjaft më
askundëritë e botës
nuk mjaftuakan
për kurrfarë ekstaze
të (ri)ngjalljes
.
ato më (ri)kujtojnë
ditët me terrdritë
fanitjeve me ekstazë
të rrejshme drite
më kujton çastet
kur në shoqëri të dehurish
si të pabesët në avlëmend
deklamoja poezi
duke shterrë me fund
gotat me raki
më kujton kohët kur
omerkhajamçe
puthja çupa gra… dhe
në të lulimtin pasion
përcjellë me fyej kangjelash
shoqëruar me etnohyjni
më gufmonte ylli i fatit
dhe harroja harroja…
harroja se ato femëra
nuk ishin të miat
por ishin tuajat
më falni
një tjetër herë
kur këmbanë e ringjalljes
t’më zgjojë nga gjumi
do t’ju tregoj
sa shumë i desha femrat.
zot
nëse jam fajtor
le të digjem në ferr.
apo të varem në të delirtën hënë
unë fajtori –
vetmitari i bregut të nostalgjisë
ndryshe s’di
jo nuk di në ç’mënyrë
ta dënoj veten –
vetëveten.
LULET QË S’DESHA T’I BLEJ
shitësi i luleve në udhëkryq
më kaloi pranë
duke më shikuar në sy
pa më thënë asnjë fjalë
nuk më pyeti
as për lulet që nuk desha t’i blej
as për vetminë time
e dinte me intuitë
nuk kisha kujt t’ia bleja
lulet e bukura që i shiste
(ndoshta do të ishin
dhuratë e mirë
vetëm për veten time
për atë që kisha thënë
e që kisha për t’thënë
por nuk më ishte dhënë rasti)
luleshitësi kishte të drejtë
që më shikoi vëngër
si të isha armik i tij
megjithëse si të tillë
më konsideronte
edhe personi
që priste lule nga unë.