HERMAN HESE- Laureat i Çmimit Nobel : “Loja e rruazave prej qelqi” (Roman) – Fragment nga kapitulli “Magjistari i shiut” – Vëllimi II / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

“Loja e rruazave prej qelqi” (Roman) – HERMAN HESE- Laureat i Çmimit Nobel

Fragment nga kapitulli “Magjistari i shiut” – Vëllimi II

Në qiell nisi një katastrofë që fshati do ta kujtonte për shumë vjet me radhë. Në rrjetën e heshtur e të ndritur të yjeve, Knehti vuri re aty-këtu xixëllima e flakërima, thua se fijet zakonisht të padukshme të asaj rrjete po regëtinin si të përflakura, dhe, si gurë të vërvitur, duke u ndezur e duke u shuar prapë me shpejtësi, nisën të binin kërthazi nëpër hapësirë yje të veçuara, një këtu e dy atje, pastaj disa këtu e disa atje, dhe, ndërsa syri nuk qe shkëputur akoma nga ylli i parë i rënë e i zhdukur, e zemra e ngrirë prej asaj pamjeje s’kishte rifilluar ende të rrihte, kur ato drita që po binin ose që rrëshqisnin majtas e djathtas, në një vijë të pjerrët ose paksa të lakuar përmes qiellit, tashmë nisën të ndiqnin njëra-tjetrën me luzma, me dhjetëra e me qindra njëherazi, me trumba të panumërta, thua se po mbarteshin prej një stuhie vigane e memece përmes natës së heshtur, thua se një vjeshtë kozmike i kishte këputur të gjithë yjet, si gjethe të vyshkura, nga pema qiellore dhe po i flakte heshturazi në zbrazëtirë. Si gjethe të thara, si flokë bore në erë, ata merrnin arratinë me mijëra e me mijëra, mes një heshtjeje të tmerrshme, duke u zhdukur prapa maleve juglindore të mbuluara me pyje, ku, me sa mbahej mend, s’kishte rënë kurrë ndonjë yll, dhe degdiseshin diku në ndonjë humnerë shumë të thellë.

Me zemër të ngrirë, me sytë që i lëshonin xixa, me kokën ngjeshur pas zverkut, Knehti po vështronte i llahtarisur, por edhe i panginjur, qiellin e shndërruar e të magjepsur, duke mos u besuar syve, e megjithatë tepër i sigurt për atë tmerr. Si të gjithë ata që ishin të pranishëm në atë spektakël natësor, edhe atij iu bë sikur pa të lëkundeshin, të përshkënditeshin e të rrokulliseshin tatëpjetë yjet që i njihte shumë mirë, dhe po priste ta shikonte pas pak kupën qiellore të nxirë e të boshatisur, nëse toka s’do ta gllabëronte qysh më përpara. Por pas një çasti vuri re diçka që të tjerët s’ishin në gjendje ta dallonin, vuri re se yjet shumë të njohura ndodheshin akoma aty-këtu e kudo në vendin e tyre, se ajo përshkënditje e tmerrshme yjesh s’po ndodhte ndër yjet e vjetër e të njohur, por në hapësirën e ndërmjetme midis qiellit e tokës, dhe se ato drita të reja, që binin ose që vërviteshin, që shfaqeshin aq shpejt e që davariteshin po aq shpejt, digjeshin duke lëshuar një flakë me ngjyrë paksa të ndryshme nga ngjyra e yjeve të lashtë e të mirëfilltë.

(Hermann Hesse, Laureat i Çmimit Nobel:
“Loja e rruazave prej qelqi”, Titulli i origjinalit:
“Das Glasperlenspiel”, Roman në dy vëllime, 720 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s