Samuel Beket në vendin e frankëve / Nga: Luan Rama

Samuel Beket në vendin e frankëve 

Ndryshe nga shumë anglosaksonë që e bënë Parisin dhe Francën si një atdhe të tyre, Samuel Beckett (Beket) erdhi më shumë për të shpëtuar nga jeta monotone në familjen e tij në Dublin ku nëna dhe ati i tij ziheshin pareshtur dhe kjo i krijonte një gjendje të padurueshme. Dhe ai u largua nga ta. Atëherë, vendi më i parapëlqyer ishte Franca, Parisi me jetën libertine dhe komunitetin e madh anglosakson që jetonte tashmë që në fillim të shekullit. Dhe meqë ishte letrar nuk kishte vend më të mirë se Franca për të jetuar dhe krijuar. Kr erdhi në Paris menjëherë u takua me James Joyce dhe Silvia Beach në librarinë e saj «Shakespeare and Company», duke frekuentuar njëkohësisht rrethet letrare parisiane me një potpuri stilesh, shkollash, rrymash dhe individualitete nga me origjinalet. Atë kohë adhuronte Dante, Proust, Descartes… Në fillim do të jepte gjuhën angleze si lektor në «Ecole Normale Superière». Më pas ai u kthye në Dublin dhe përsëri, disa vite më vonë, mori rrugën drejt Parisit, të cilin s’do ta braktiste më, duke u vendosur fillimisht në «Hôtel Liberia», në Rue Grande Chamière në Montparnasse. Ishte koha e shkrimeve të para kur i entusiazmuar nga Joyce, ai hyri në botën letrare. Eseja e parë që shkroi ishte «Dante… Bruno. Vico… Joyce».
Në vitin 1938 ai u njoh me një amerikane të pasur Peggy Gugghenheim e cila kishte një galeri arti në Londër dhe vinte shpesh në Paris. Në autobiografinë e saj “Out of This Centery” ajo shkruan për irlandezin Beket. “Ishte një irlandez thatim, rreth të tridhjetave, me sy jeshil që nuk të shikonin asnjëherë kur flisje. Kishte syze të errta dhe dukej i zënë me diçka tjetër. Fliste pak por gjithnjë gjëra me vend. Ishte mjaft i sjellshëm por shumë i majtë në mendimet e tij. Vishej keq dhe me rroba të vjetra franceze, duke mos patur ndonjë ngasje fizike. Një shkrimtar i frustruar dhe një intelektual i vërtetë…” Në një darkë me një grup miqsh ata po pinin në villa “Scheffer”. Kur kishin dalë ai i kishte thënë asaj ta përcillte deri në apartamentin e saj në Rue de Lille, ku ishte vendosur ato ditë. “Ne ngjitëm shkallët. Ai nuk i tregonte qëllimet e tij, por papritmas më tha të shtrihesha pranë tij, mbi sofa… Por nuk vonuam që të gjendeshim të dy në shtrat ku qëndruam deri natën e ditës tjetër.” Asaj i kujtohej se Beket i kishte thënë se shkrimtari më i mirë i letërsisë franceze ishte autori i librit “Udhëtim gjer në fund të natës” dhe kjo e kishte habitur atë. Ishte njeri me humor dhe Peggy-n kjo e kënaqte së tepërmi. “Ajo që më pëlqente më shumë në jetën tonë të përbashkët ishte se nuk e dija asnjëherë se kur vinte dhe kur ikte, ditën apo natën. Ishte një njeri i paparashikueshëm dhe kjo gjë më eksitonte. Madje shpesh vinte i dehur. Në atë kohë isha e zënë shumë me punët e mia të galerisë. Shpesh duhej të takohesha me Cocteau, me ekspozitën e të cilit do të inaguroja galerinë time në Londër. Obllomovit, siç e thërrisja atë, nuk i vinte mirë: ai donte të rrija në shtrat me të…»
Në atë kohë Beket qëndronte në hotel «Duncan». Një natë, duke u kthyer me një çift miqsh në avenynë “Orleans”, një proksenet prostitutash i quajtur Prudent i doli përpara dhe i kërkoi para. Beket menjëherë kishte bërë se nuk e kishte parë, por tjetri i ishte vënë pas. Pas pak ai e kapi për krahu dhe i propozoi që të shkonte me prostitutën që kishte në krah dhe ti jipte para. Por Beket kërkoi të largohej ndërkohë që ai iu afrua dhe e qëlloi me thikë në kraharor. Sigurisht; menjëherë e gjend në spitalin «Hôtel Broussais», ku dikur qëndronte poeti Verlaine, për të mjekuar plagën e thellë. Pikërisht një ditë atje i shfaqet një vajzë e quajtur Suzanë, një grua e gjatë si ai, jo e bukur dhe shtatë vjet më e madhe se ai. Ishte një tip interesant dhe e pafjalë, çka Beketin e bëri për vete. Me të do të jetonte gjithë jetën e tij. Muajt kalonin dhe ndërkohë ai shkruan parathënien e ekspozitës së Cocteau-së në gaerinë e Londrës. Në vijim botoi 12 poezi në revistën e njohur të asaj kohe «Les Temps Modernes». Po në këtë kohë më së fundi u vendos në një apartament me qera në Rue des Favorites, vend ku do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Një ditë, kur u takua me Peggy-n, i tha më së fundi se kishte njohur një franceze që quhej Suzanë dhe se historia e tyre e përbashkët kishte mbaruar. «Obllomovi më tha se kishte tashmë një të dashur dhe nëse unë kisha ndonjë kundërshtim. Sigurisht që jo, i thashë. Por ajo ishte më tepër si nëna e tij sesa si dashnore. Ishte ajo që i kishte gjetur atë apartament. Por ai nuk ishte i dashuruar pas saj. Suzana nuk i bënte skena si puna ime dhe unë s’kisha qenë xheloze. Nuk ishte e bukur. Kishte pothuaj të njëjtën moshë si unë, pra që të dyja më të moshuara se Obllomovi..”
Ishte koha kur bashkë me Suzanën ai u vendos në një apartament të vogël, në katin e shtatë, në 6 Rue des Favorites, ku në një nga dhomat ai kishte vendosur makinën e shkrimit dhe shkruante, përkthente. Pikërisht këtu do të hskruante dhe romanin “Molloy” apo “Molloy vdes”… Pas një vizite në Dublin, ku duhej të shikonte nënën e tij, ai u kthye shpejt në Paris. Miku i tij Marcel Duchamp me të cilin sapo ishte njohur kërkoi të ikte nga Parisi. Lufta po afrohej. Ndërkohë në dhomën e tij ai përkthente romanin “Murphy” në frëngjisht. Ndërkohë Xhois u kthye në Paris dhe u vendos në “Hotel Lutece”. Ishte i sëmurë me ulcer dhe atij i vinte shumë keq për mikun e tij të vjetër. Madje e ndihmoi, por shpirti i Xhoisit ishte i plagosur me historinë e tij familjare dhe vajzën e tij të çmendur. Në 9 qershor, në Francë filloi eksodi i madh i njerëzve që zbriste nga veriu drejt Parisit dhe ushtria gjermane kapercen kufirin duke marshuar drejt kryeqytetit francez. Të gjithë zbrisnin drejt Vishisë. Po kështu dhe Xhois. Bashkë me Suzanë Deshëvo (Suzanne Deschevaux-Dumesnil) ata menduan të largohen menjëherë nga Parisi dhe pa zhurmë zbritën drejt jugut, Tuluzës, prej nga ku donin të iknin drejt Portugalisë dhe që andej për në Angli. Por kjo është e pamundur. Askush nuk pranoi t’i mirrte me aanije. Pikërisht duke qëndruar në atë zonë, një jetë e re filloi për Beketit, duke u përpjekur të lidhej me Rezistencën Franceze. «Nazistët dhe veçanërisht trajtimi i keq ndaj hebrejve më indinjuan së tepërmi, – do të shkruante Beket për atë kohë, – dhe kështu unë s’mund të rrija me duar të kryqëzuara… I luftova nazistët që e kishin kthyer në ferr jetën e miqve të mi. Nuk është se luftoja për kombin francez…»
Ishte tetori i vitit 1940. Çuditërisht, Beket mendoi se do të ishte më mirë që të ktheheshin në Paris në apartamentin e tyre në Rue des Favorites. Dhe ata u kthyen. Ishte miku i tij francezi Péron që e futi në grupin e Rezistencës. Në atë grup ai u njoh me Zhaninën, vajzën e piktorit Francis Picabia. Fillimisht merret me mbledhjen dhe përkthimin e informacioneve rreth gjermanëve të instaluar në Paris veçanërisht lëvizjen e trenave, në mënyrë që anglezët të mund të bombardonin forcat e Rajhut. Grupi i tyre quhej “GloriaSMH” dhe ai kishte pseudonimet «Sam» apo «Irlandezi». Në mes të janarit mori vesh vdekjen e mikut të tij të dashur Xhois në Zyrih çka e trishtoi shumë. Jeta në ilegalitet ishte e shumë e rrezikshme, pasi dhe ata që ishin anglezë rrezikonin të arrestoheshin. E vështirë të shkruaje në atë kohë. Në një nga ato ditë, në shtëpinë e tyre ia mbërriti milicia franceze. Lumturisht ai nuk ishte aty. Suzana ishte e habitur nga ardhja e tyre e papritur por mbi tavolinë i zuri syri librin e Hitlerit “Mein Kampf”, të cilin Beket po e lexonte dhe merrte shenime lidhur me ideologjinë naziste. Në çast ua tregoi, si një dëshmi e simpatisë për ta dhe milicët menduan se s’kishin të bënin me njerëz armiq meqë ata lexonin veprën e famshme të Hitlerit. Kështu ata u larguan. Në fakt dikush nga rrjeti i Rezistencës kishte spiunuar, pasi shefi i grupit Alfred Péron, të cilin ai e kishte njohur që student në «Trinity College» në Dublin ishte arrestuar nga Gestapo dhe më pas do dërgohej në kampet e shfarosjes në Gjermani. Ata s’do ta shohnin më mikun e tyre. Pak orë më vonë, Beket dhe Suzana vendosën të largohen menjëherë pa ardhur Gestapo tashmë. Dhe vërtet, pas ikjes se tyre Gestapo ia mbërriti ti kërkojë, por tashmë ata e kishin lënë Parisin me pasaporta fallco. Në fillim ishin strehuar fshehurazi në shtëpinë e shkrimtares Nathalie Sarraute e pastaj kishin nxituar në drejtim të Lyon-Tulon.
Gjatë kësaj ikje të jashtëzakonshme jeta e tyre kaloi peripeci të të paimagjinueshme për një letrar si Beket. Duke iu afruar Rousillon, ata udhëtojnë gjithnjë larg rrugëve automobilistike që të mos binin në sy të gjermanëve dhe milicëve francezë. Ecnin me ditë të tëra në pyje, flinin aty gjatë natës, ndërkohë që Beket kishte probleme me këmbët. Dimri ishte i ashpër dhe shpesh kishte ngrica. Pikërisht atje Beket u lidh me grupin lokal të Rezistencës Franceze.
I izoluar në një fshat në jugun e Francës, në «Rousillon dans les Vaucluse», në një lloj ferme ku jo rrallë vinin ushtarë të Wermahtit, Beket merrej me bujqësi, mbillte zarzavate dhe ndërkohë vazhdonte të shkruante librat e tij, siç ishte romani «Watt». Megjithatë duhet të përballojë probleme të shumta shëndetësore dhe së pari ato psikike. Gjendja e tij sa vinte dhe rëndohej. Dhe kjo sëmundje e tmerrshme që mundohej ta zotëronte do të ishte për të një lëngatë e gjatë. Në fundin e luftës, ushtria gjermane la jugun e Francës dhe bashkë me Suzanën, më së fundi ai u nis drejt Parisit. Parisi kishte kohë që ishte çliruar. Banorët e dikurshëm riktheheshin në apartamentin e tyre në Rue des Favorites. Një epokë e re fillon për Beket dhe letërsinë e tij. Për kontributin e tij në Rezistencës franceze, ai u dekorua me «Kryqin e Luftës» (Croix de Guerre) me shënimin si «Njeri me kurajo te madhe që gjatë dy viteve provoi aftësi në rrjetin e rezistencës, ku i denoncuar nga gjermanët u detyrua të jetojë me vështirësi të mëdha në klandestinitet duke filluar nga viti 1943». Në vitet e para të pasluftës ai fillloi të jepte mësime në gjuhën angleze që tëm und të jetonte dhe shërbeu së pari si interpret në në veri të Francës në Saint-Lô e më pas në Paris. Madje vuri dhe kandidaturën për të punuar në departamentet e Unesco-s por kandidatura e tij nuk u pranua. Ndërkohë shkruan novela dhe tekste të tjera. Meqë kishte njohur Sartrin që në vitin 1924, ai i dërgoi shkrime për revistën që drejtonte «Les Temps Modernes» Ditën flinte, natën shkruante dhe të ardhurat e tyre ishin gjithnjë të pakta. Ishte Suzana që e mbante me të holla. Në këtë kohë shkruante romanin «Mercier dhe Camier» si dhe «Molloy» i frymëzuar nga jeta e tij personale. Në 9 tetor të vitit 1948 nis të shkruaj «Duke pritur Godonë» të cilën e mbaroi pas katër muajsh, në 29 janar të vitit 1949.
Kur mbaroi «Duke pritur Godonë», askush nuk donte ta botonte. Shumë shtëpi botuese nuk tregonin interes për të. Kjo gjë Beketin e trishtonte shumë. Megjithatë Suzana i jepte gjithnjë kurajo. Ishte ajo që këmbënguli që drama së pari të vihej në skenë, çka do të tërhiqte dhe botuesit. Kështu, me dorëshkrimin e tij në dorë, Suzana shkonte takonte regjisorë të ndryshëm dhe drejtorë teatrosh duke u propozuar dramën e Beketit. Madje dhe Beket u detyrua të shkonte në Irlandë që t’ua propozonte teatrove të ndryshme por dy teatro që kishte kontaktuar e refuzuan kërkesën e tij. Edhe botuesit anglezë refuzuan të botojnë dhe romanin “Watt”, çka Beketin po e dëshpëronte shumë. Ishte një kalvar i gjatë deri sa më në fund, regjisori Roger Blin, i cili atë kohë po vinte në skenë pjesën “Eleutheria”, pranoi të angazhohej me këtë dramë e cila iu duk moderne por dhe e veçantë për një publik si ai i Parisit. Vallë do të kishte sukses? Sidoqoftë dhe nga ana e Blin ishte një ndërmarrje e guximshme. Sidoqoftë, Beket nuk e kishte menduar se “Duke pritur Godonë” do ti hapte rrugët për të gjitha botimet e mëpasme, pasi ajo vepër e absurdit, me personazhet si Vladimir dhe Estragon që më kot presin Godonë e mistershëm në një vend të shkretuar e pa njerëz, u bë pjesa teatrale më e interpretuar në botë dhe në gjuhë të shumta. Në ato kohë ai kishte rregulluar një shtëpi të vogël larg Parisit në peizazhet e blerta të Ussy, ku qëndronte shpesh dhe shkroi veprat e mëpasme të cilat do të hynin në historinë e letërsisë botërore. Më 1969 e lajmëruan se i kishin akorduar çmimin “Nobel” por ai nuk shkoi ta merrte. Fjalëpakë siç ishte, thjeshtësisht, ai arriti të thotë: “Eshtë një katastrofë”. Të gjithë u habitën atëherë me shprehjen e tij. Ishte koha që irlandezi filloi të pinte edhe pse në publik ishte gjithnjë i rezervuar, i ftohtë por me një mirësi e mirësjellje të jashtëzakonshme. Gjer në vdekje ky letrar i fisëm dhe i lavdishëm mbeti i dashuruar me vendin e frankëve… gjer në varrin e tij të thjeshtë,në Montparnasse, pranë gruas së tij, Suzanë…

 

Nga: Luan Rama

(Botuar në konica.al – 31 mars 2020)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s