Poezi nga Gentjan Hasanas

Poezi nga Gentjan Hasanas

 

***

Shkruan shiu mbi fletën e limonit,
currilë e gjatë kryefjale.
I lexohet trishtimi,
vijë e lëngshme,
pikë loti, presje!

Shiu shkruan poezi më të mira se të miat
në ditën e poezisë…
Do fitonte çmimin e parë,
paçka se juria ka preferenca për bjondet,
dhe ato me bythë të mëdha.

I mjeri unë!
S’mësova dot kurrë
të rris të njomin fidan,
as të qaj aq butë mbi duart e tua jeshile.
Jam i dënuar të verbohem,
sapo shikoj një dritë.

Më kujtohet,
kur trokita në një portë për bukë,
prej ngazëllimit të mirësisë tënde zonjë,
nuk e hëngra.
E mbështolla në shami,
dëshmi e vogël e rrumbullaktë,
se “njerëzit ekzistojne”.

Shiu shkruan mbi fletën e limonit
Era shfleton çdo gjethe,
me ankth për të lexuar e para.

Unë shkruaj ”shiu” në sugjerimet e miqësisë,
dhe s’e di nëse do më pranojë si shok.
Gjithsesi,
ai( shiu) postimet i ka publike.
Po dal në ballkon ta prek,
t’i vendos një ”zemër”
dhe t’i lë një koment mes gjethesh:
-Miku im,
qaj dhe për mua sot!

 

***

Milingona të zellshme,
shkronjat e mia.
Po e nxjerrin grurin që teproi
nga çdo kamare flete.

A thua, libri im
do të mbetet një hambar bosh,
pse dhembjet e vjetra mbaruan?

Tani kjo kokërr gruri,
buzëplasur, ka mbetur me dy fije jeshile në gojë
si dy fjalët e mia që u përpoqën,
ti mos më ikësh.

O mistike dimërore që mbaje ngrohtë eshtrat e mia!

Të shkuarën time të sigurt
dorëzova në dheun e duarve të tua
dhe të ardhmen,
që s’e di ç’më pret…

 

***

Ajo e marrosur grua,
kishte qejf beharet.
Pyeta botanologun:
-Thuamë 12 emrat e luleve.
Pastë oborri i saj ungjill pranvere
”unë e meritoj”!

Ajo e marra donte dimrin,
binjakët në Himalaja.
Për ditëlindje i çova një gotë akulli,
një thikë
dhe unë zemëngriri,
derisa më tha:
”po,e meriton”

Ajo e marra, donte vjeshtën.
Përditë me duar të verdha bëja fole zogjsh
Bija ndër gjunjë si gjethe
”e meritoj”

…erdhi ajo e marra:
-Hej, i dashur!
Mos rri si pranverë,
mos rri si dimër,
mos rri si gjethe.

Prej mundit të kohërave
s’e ndjeva veten më natyral.

Ato të marrosura gra,
ikën e më lanë për një ditë…

 

S’kam as det

U munduan shumë varka
të grisnin zarfin blu.
Por deti mbetet një letër e palexuar
…sa frikë!

Jam munduar
t’i zbërthej kopsat e yjeve,
as qielli s’e heq këmishën, gjithashtu.

Prej një misteri të frikshëm,
u bëra si poeti.
Kam dëgjuar se ti vishesh me blu
Njërin nga binjakët e Ajnshtajnit
e dërgoj ku ka blu,
me ankthin se s’do kthehet kurrë

Burri yt,
duhet të jetë njeri i guximshëm,
si t’i heq tylet blu
si t’i zbërthen kopsat blu
Laget në ujërat e tua,
prehet në qiellin e gjinjve, gjithashtu.

Të nesërmen shkon në punë me një normalitet.
U thotë ”mirëmëngjes” të gjithëve,
sikur s’ka ndodhur asgjë.

Ndërsa unë, dridhem…
S’kam as det, as qiell,
s’di ku të humbas, s’di ku të mbytem.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s