Poezi nga Agron Tufa
KANDIDI OSE KANDIDATI
po vjen Kandidi
ky kandidat
i dalëboje
të na shprallisë
se humbjet janë
rreng i një loje…
sërish Kandidi
po na shpërpush,
e na shkartis
gjer humbja gungë
të na kërrusë
mbi njëqindfish.
e prapë Kandidi
vjen kandidat
i spitulluar,
e ndez mes nesh
tjetër fushatë,
duke premtuar –
se shpresat tona
do mishërohen
krejt bojë violë,
mjafton të shembim
mes nesh e botës
një mur të hollë…