Poezi nga Iliriana Sulkuqi
…PA PËRGJIGJE…
“Bëj të fshihem te një natë,
vjen një ag e sytë m’i hap…
Zë të fshihem te një gotë,
më kujton një tjetër botë…
Pa, kur fshihem te poetët,
jam te Zoti me Profetët…”
ESENIN…,
ku më gjete,
që më zhveshe,
gjer në palcë të trupit tim?
Me ty puthem,
qaj me vete,
unë jetime, ti jetim…
Të rrëmbeva
një beriozë,
për inat, më zhvirgjërove…
Nëse ti
je vagabond,
unë jam prush
nga llava tënde…
LETRA E FUNDIT
PËR ANNA AHMATOVA
E dashur Anna,
nuk e di, nëse të kanë ardhur letrat e mia,
ku me pak vargje të shkruaja
për botën e ëndrrës …
Nuk kam asnjë lajm prej teje,
edhe pse më premtove
që do të më shkruaje
nga jeta e përtejme…
Mesa duket, je e kënaqur
në atë botë,
ku marrin fund vuajtjet
dhe shuhen dashuritë…
…
Më thuaj motër,
të vijnë më lot te sytë…?
I dont understand this language.How to read your post!