Poezi nga Rexhep Shahu

Poezi nga Rexhep Shahu

 

VIJ PATJETËR

Gjithmonë do të kthehem te ti,
Vonoj, por vij patjetër.

Si mall, si thinjë, si rudhë
Si lot i pavënë re, si harresë,
Si dorë që dridhet
A udhë që s’shkilet.

Edhe kur vonoj e s’vij
Vij patjetër!
Si dhimbje…

NESËR DUA TË FLAS ME TY

Dua të flas pafund me ty
me veten në ty
të të them njëmijë fjalë, njëmijë herë të dua
të flas për zogjtë, për yjet, për sytë e tu
për frikat e mia, ëndrrat, dallditë
për mallin që më merr për ty
për luftën që bëjmë me dalë nga varri
si e tërheqin njerzit njëri – tjetrin në gropë
e s’e lënë të dalë
të flas për dorën që më zgjate e më ngrite
për dritën e syve që ma lëshove në fytyrë
të të falenderoj që je
e që më bën të kem mall për ty.

Nganjëherë dua të hesht,
të vdes, të mos dëgjoj zhurmat që më çmendin
të dëgjoj frymëmarrjen tënde
të harrohem duke të parë ty
të mos më thuash, ik tani, akoma nuk ike
të humbas në sytë e tu
të mbështillem me qeshjen tënde.

Nuk dua të vdes, ende nuk dua të vdes
se nuk mundem as dua të rri pa ty
nuk dua të më shohë askush
askujt s’dua t’ia vras sytë
dua të jem send që veç ti e di se jam unë
dua të jem stilolaps p.sh. që ti e mban në dorë
dhe vizaton me të ëndrra
dua të jem një libër që nuk e lexon askush
libër i mërzitshëm që s’i hyn kujt në punë
qoftë edhe gjemb në trëndafil dua të jem
të ta shpoj gishtin e ti të zemërohesh
e të mos kesh ç’të më bësh.

Nesër dua të flas me veten në ty
dhe nuk dua të vdes.

***
Ka ditë që fytyra jote është si perëndimi
Kur dielli mbytet në det e retë marrin flakë
Kur deti vlon e avujt më turbullojnë shikimin
Dridhem nga boshësia që ndjej në gjoks
Më duket se të shkulin prej barkut tim
Mbetem skelet në breg të detit
Mbuluar me leshterikë, varr pa gropë.

Si ta shkruaj harrimin

Si ta shkruaj se të kam harruar, kur nuk shoh letër të bardhë,
Por veç fytyrën tënde derdhë nga sytë e mi.
Lapsi nuk vlen për të shkruar, filloj me gishta
Të shkruaj buzët e tua, të prek hundën tënde
Të puth nishanin tënd dhe ti gudulisesh.

Si të shkruaj se të kam harruar a dua të të harroj
Kur harrohem në ty dhe s’kam kohë për gjë tjetër,
Kur pamja jote ka zënë sytë e mi gjithë kohën
Si tani kur të shkruaj letër.

Më thuaj si ta shkruaj harrimin e vetës time në ty.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s