Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

***

Një rrudhë më shumë ishte shtuar,
ditës së gjatë,
fytyrës, ku sy të trishtë
humbisnin hekurave të padukshëm
të një rrethimi
me maska të fshehta
mashtrimit fëmijënor,
zhytyr në një lumturi të rreme…

 

Përqafimi

Përqafimi, mbështjellur në krahë hëne
endur qiejve
gjer në mëngjesin e vonë
mbërriti mes vezullimeve,
ngulme shpuese nëpër dritare,
e mantelin e mallit shtrinte tejendanë

Prehur, prehërit të agimit,
ku drita galopon ditën e re
e dielli kryet nxjerr prej kreshte,
për të udhëtuar luadheve të largëta,
botës së ngrohë,
e Asaj që qiejt me ylberë ngjyen,
kredhur heshtjes së një nate të ftohtë…,
buzëqeshjen përsëri t’ia shihte.

 

GJUHË…

Rrotullohej toka përditë nga agu në ag,
ashtit ku duar të padukshme e kishin vënë,
mbi shpinë qytetërimet me të ndryshme mendime,
që kacavirren në pafundësi muresh të bardhë,
agonisë së trafiqeve…
betejave të shpikura,
heshtjeve që gëlltitin tingëllima
e kraharorin ia shtypnin plot dhimbje.

Dallojnë mes tyre ngjyrat
prej shenjash e intuitës,
lotit e tingujve
të shkruar e të folur…,
Gjuhë, i thonin…
E pergamenët kufijsh makthesh thyer,
i shtoheshin murit të ftohtë
me largësitë prej Greenwich-it

Mirëkuptimi, në skenat e kohës moderne
vizatonte hijet e mendimeve,
vakët shpjegonte evolimin e gjallë,
me kode e mimika, gjuhës më të fshehtë,
tek rrokte gotat…, mbushur me erë.

 

MBRËMJES…

Mbrëmjes gjithçka zhytej trishtimit…
udha mbaronte,
mbyllen sytë,
mbledhin petalet lulet,
hënën lemë jashtë,
yjet…,
fiken me shpresën se nesër do të ndizen sërish.

 

JETA…

Jeta, kjo udhë e pacaktuar,
prehur liturgjisë së thellë,
përditë e më shumë
humbur reflekseve të saj…,
udhëkryqeve,
në pritje të një paqe të ngadaltë…

S’është veç ritual,
por këngë hyjnore që magmat rizgjon,
sfidës së pandalshme që të bren ngaherë,
udhëtimit të gjatë në terr e diej,
shtigjeve, honeve që sfilitjet shtojnë…
veten, nga vetja tek krijojmë…?!

 

PRITMËRI…

Nëpër ëndrra do vinte, do shfaqej
e ajo shpejt fjeti që ta priste…
me flakën e imagjinatës në gji.

Do zbriste prej kushedi kujt qielli
veshur me rroba farkëtari,
vezullimin marrë prej yjsh
të vëzhgonte atë pamje dehëse
e me një prekje të mëndafshtë
do ti tregonte…,
se si qiejt shemben në tehun e një fjale,
si fluturojnë mbi krahë zogjsh
lutje që prekin pafundësinë,
mbi duart e zgjatura brenda një balade,
e zemra drithërimë sa shumë jetë mbarte…
çastit të pa frymë…

A thua gjumin pati aq të thellë
sa hapin e lehtë nuk ia ndjeu
e as syrin e bukur kur ia puthi…?!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s