Poezi nga Sinan Vaka

Poezi nga Sinan Vaka
 
 
MOSHA E PLAKUT
 
Ç’ hyn në punë pleqëria ?!..
Mos më thoni që je plakur.
Nuk ka qenë dashuria ,
nga dëshirat që kam flakur.
 
Frut i dhimbjes ?! Ah, vërshimi
mpleksur thellësisë së gjakut
është shkak . Por ëndërrimi
më mban larg moshës së plakut.
 
Sepse i ulur, i dhembshuruar
tek ky prehër në adhurim,
ndjej një dorë të nazetuar,
ndjej një zë : – i miri im !
 
 
 
FËMIJËRIA
 
Ndërkohë që poetët shpleksin botën e menduar
apo të bindur në apogjeun e sigurtë të lavdisë ,
Unë, ende kam mbetur në kohë i vonuar,
duke thurur fatlum, vjershat e fëmijërisë.
 
Jam rritur duke peshkuar i pafajshëm cimkat,
pastaj naiv në kufijtë e ëndërrimeve të jetës,
nën hijen e pakët e të vogël që lenë konupicat,
kam ëndërruar deri në delirin sublim të së vërtetës .
 
Verës me një kërcell tersherë dhe një bixhak,
kam bërë pipëza dhe curubaba nga ngasja,
dridhja tingujt dhe e qaja “ Minushin”, por aspak,
nuk kuptoja britmën “ Agan “dhe këmbën që përplasja.
 
Bridhja si heretik çdo ditë nga mosha i ndëshkuar,
fiqve të egër rrezikut shpellave duke u shqyer,
pas thanëve majoshe në mal gjithmonë i djallëzuar,
fytyrën si maskë me të kuqe duke e lyer .
 
Tej shkumëzimit , mbi valët e bardha tej rrymës,
me komardaret e zeza kam përkundur ëndrrat,
herë me kalamendje mbi frikësimin e rrjedhës,
herë “kapadai “ duke shoqëruar “serioz” femrat..
 
 
 
DIELLI QË NGROH
 
Kur linda festë nuk u bë
madje nuk pati ngazëllime,
dikush sokakut nën zë
e shau rëndë nënën time .
 
Në një minder me plaka fshati
rrethuar dhimbjes së një droje,
ku nuk dallohej qartë fati,
pelena pata e lesh për shtroje.
 
Kur heshtja ra në atë dhomë
me një minder trualli me kashtë,
“ E poshtëra “pëshpëriti poshtër :
“ sikur i kishte pak dhe gjashtë “.
 
Çuditshëm, kurrsesi s’e njoh,
kush shau nënën keq për mua,
por njoha diellin që ngroh,
dhe dhimbjen që përjetshëm dua.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s