Poezi nga Sarë Gjergji

 

Sare Gjergji

Poezi nga Sarë Gjergji

 

 

UDHA E LIQENIT

( Frederik Reshpjes)

 

Unë kam kaq nevojë për ty,
më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd
si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.

Dhe nëse ndonjëherë ikën (mos thuaj !),
ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
duke imagjinuar ardhjen tënde, si ndër legjenda,
në formën e shiut ose në formën e vesës,
mbi rërën e orëve, bile mbi vite te tëra:
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve të reja mbi supin e valëve !

 

 

 

MOS HARRONI
(frytit të dashurisë: Jehonës e Rinorit)

 

Po deshët të mësoni se ç’është liria

më parë
mblidhni në shuplakë
të gjitha gjymtyrët e trupit tuaj

dhe do mësoni
se me një zell të çmendur
përsoset gjenocidi

post scriptum:
“Atdheu vazhdon të sorollatet
me një pamje idioti në fytyrë”
Jini të urtë.

 

Nga libri im: Terapia e vdekjes-rekuiem për Kosovën?, Edicioni i botimeve “Martin Segoni”, Qendra e Pavarur Kulturore për Anamoravë, Gjilan, 2000.

 

 

 

1981…

 

Atëbotë, unë dhe Vdekja i ndamë rrugët
unë drejt Udhës së Arbrit
drejt iluzionit makabër ajo

dhe vazhduam tutje
drejt ’89-s
drejt ’98-s
drejt hemisferës veriore të trupit tim

këtu sërish u takuam
për bukën tonë të përditshme, unë
për hipokrizinë e pushtetarit, ajo

për më shumë oksigjen…

 

 

 

Dëshirë

 
1.
Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh
shkretëtirën të ngopur me ujë
të veshur nga drurë frutorë
të shoh
nëse lulet në ajër mbi Saharë
përqafojnë stinët që duan.

 

2.
Buzët e prushta të Ajshes
doja t’i shihja
qoftë edhe për një çast të vetëm
mungesën e lotit nën perçen e zezë
që i mbështjell shpirtin prej qumështi.

Oh, sikur t’i dhuroja
një trëndafil për Shën Valentin
e të dëgjoja rrëfimin e saj për mollën e ndaluar!

Kush e di nga se u bë Deti i Vdekur…

 

3.
Nuk dua asgjë më shumë – më besoni
se sa të shoh
si përmbytet nata
e si lind dielli në Lindje.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s