Refleksion për “Këngët e Serafina Topisë” – Shkëputur nga MeArteka / Nga : Majlinda Nana Rama

Refleksion për “Këngët e Serafina Topisë”

 Shkëputur nga MeArteka

http://www.mearteka.net/kritike/refleksion-per-kenget-e-serafina-topise-majlinda-nana-rama/

 

 

majlinda

Nga :  Majlinda Nana Rama

 

 

Një analizë e realizuar mjeshtrisht nga  shkrimtarja, studiuesja  nga Fieri, Majlinda Nana Rama, një autore librash  si dhe studime. Autore e romanit ” Zonja me të kuqe” së fundmi….

 

“Këngët e Serafina Topisë”, si një almanak lirik i vashës shqiptare, Serafinës, princeshës së Artës dhe më vonë Zadrimës, do të sillte një romancë të thekshme, duke plotësuar edhe më tej profilin krijues të De Radës. Tematika e poemës vjen me trajtë tërësisht frymëzuese, ku natyrshëm shkrihet lirikja me epiken.

E, për të depërtuar tek elementi lirik i poemës, shohim se ai shfaqet qysh në lindjen e dashurisë së dy të rinjve, kur vajza e mbushur me ëndrra rinore vjen me një botë të pasur shpirtërore, por edhe botë të pasur krijuese. Dashuria e Serafinës me Bozdarin, nga dy familje armike të përbetuara, sikurse Montagët dhe Kapuletët e Shekspirit, ndërthuret me aspiratën e shqiptarëve në luftën ndaj sundimit osman.

Takimi i dy të rinjve zhvillohet buzë detit. Autori, i bindur në rrahjet e sinqerta të zemrës vajzërore të Serafinës, sjell përshkrime harmonike të gjendjes së saj. Ajo arrin sa të shkelë mbi marrëdhënien armiqësore të familjeve, duke dalë mbi to e duke i dhënë hov dashurisë për të riun e Stresajve.

“Po të qenë të tillë armiqtë,

i them shqepzës: “Shko me të!”.

 

Serafina ka ndier regëtimat e dashurisë, e cila nis nga shamiza e djaloshit, për të shpërthyer në dialogun mes tyre. Pas kësaj, ajo ndërmendëson. Gjithandej i vjen erë lirie. Ndihet në paqe. Jeta ka marrë revanshin e të pashpjegueshmes. Kjo gjendje e Serafinës ka një shkak madhor dhe, si në gjendje të tillë, ajo vijon:

 

“ Sa e lumtur ajo ditë:

Kudo pa një hije turku! “

 

Ndjesia dhe ngazëllimi i brendshëm i Serafinës, që e kanë një buresë, duket sikur sinkronojnë me një panoramë të paqtë edhe të natyrës, gjendjen përreth me të gjitha elementet përbërëse të saj. Dashuria për vendin vjen e plandosur mbi perceptimin e saj për mikrobotën që e rrethon. Ajo e sheh çdo element natyror si pjesë të pandarë të jetës mbi tokë.

 

“Arat kishin sjell bukën,

lumenjtë rridhnin, murmurinin,

zogjt’ këndonin, edhe cinxujt,

që me verën vijnë e ikin,

sapo m’u shfaqën në jetë,

aq të hapët e të lirë!”

 

Përmes figurës së Serafinës, De Rada nxjerr në pah virtytet e femrës shqiptare, vajzës me ideale, me dashuri për vendin e vet dhe për njerëzit e kësaj toke. Madje, do të jetë kjo dashuri që dominon dhe sfidon ndjenjën e saj të pastër për të dashurin e zemrës, Bozdarin, duke sakrifikuar vetveten për interesa më të mëdha. Ajo martohet me princin Nikollë Dukagjini me qëllimin e bashkimit të principatave. Vetëm kështu do të mund të krijohej bashkimi kombëtar i fuqive për të luftuar pushtuesin. Kjo përgjegjësi dhe detyrë atdhetare e bën Serafinën të vulosë njëherë e përgjithmonë fatin e keq të ndjenjës së pasionit të marrë për të riun Bozdar.

Në ndarje, ajo përmend metamorfozën e një vashe të dashuruar dhe kthimin e saj në lulebajame, pasi priste të dashurin e saj, që u kthye kur ishte shumë vonë.

 

“Vasha e priti aq sa s’ngjante më e re…

një mëngjes brenga që e treste gjithmonë,

e shndërroi atë në bajame të hollë…”

 

Dhimbja e saj e ndarjes do të mbetej brengë e përjetshme. Vetëm ajo e dinte se cili ishte kumti i brendësisë së saj. Një shpirt i zjarrtë do të digjej mot e jetë deri në vdekjen e saj. Ajo do të jetonte kufomë. Pa të. Nuk do të kish më lule përreth. Me largimin e Tij, do të vdisnin gjethet, pemët, fluturat. Gjithçka do të mbetej pa ngjyra, si stinë e fundit… Pas lotit të pakthyeshëm, Bozdari do të nisej…

 

Dashuria si ndjenjë intime dhe dashuria si ndjenjë për atdheun, ishin dy anët e medaljes. Në kushtet kur zëri i vendit thërriste, ndjenja dhe interesat personale liheshin mënjanë. Madje, sakrificën e dashurisë për interesa të vendit, De Rada e sjell gjer në stadin e sublimes. Pas martesës, në kohën që përkonte me përkujtimoren e Skënderbeut, autori na sjell një përshkrim të shkurtër, por tepër domethënës, teksa i shpalos të dyja ngjarjet: si përgatitjet për përshpirtjen, ashtu edhe përpëlitjet mes jetës dhe vdekjes së heroinës së poemës.

Këtu De Rada bën një lidhje logjike me porositë që Gjoni u jep katër bijve para se t’i nisë. Serafina niset vetë për të mos u kthyer më. Ajo, si një grua shqiptare e qenie humane siç shfaqet gjatë gjithë veprës, u jep amanetin e fundit fëmijëve të saj, duke i edukuar me dashurinë për vendin, natyrën, tokës, lulet e me gjithçka që mbante erë arbërore, për të vijuar më tej me:

 

“…ne fjalosemi e përmjet fjale

ç’ndiejmë i shfaqim njëri-tjetrit…”

 

Ky është një tjetër detaj plotësues i vlerave morale e njerëzore të saj, virtyte të cilat ua përcjell bijve, si një thesar që kanë ditur të lënë shqiptarët. Konotacionin pozitiv, personazhi kryesor në poemë e merr, padyshim, në vargjet e mëposhtme:

 

“…Dhe drita që u shkri pa u ndier,

shkoi pa u ndier se vdiq zonja

që na la vetëm shëmbëllesën

mëndje-e-fjalë-shkëlqimtare!”

 

Jeronim De Rada mbetet një ndër figurat më në zë të historisë sonë letrare, me një dialog dhe gjuhë të pasur, subjekt e strukturë komplese.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s