E para është fjala! ( Rreth vëllimit poetik “ Të flasësh me sytë e saj ” të autorit Dante Maffia dhe të përkthyer në shqip nga Albana Alia ) / Nga Agron Shele

dante mafia 1

Dante Maffia

E para është fjala!

(  Rreth vëllimit poetik “ Të flasësh me sytë e saj”  të autorit Dante Maffia dhe të përkthyer në shqip nga Albana Alia )

Nga Agron Shele

 

 

E para është fjala!
Është bukuria, elokuenca, brishtësia, magjia, rrënimi dhe fuqia, e cila flijon e rimëkëmb shpirtrat njerëzorë, është psalti që çon mendjet drejt shpresave të reja dhe vizioni që thyen koloritët kohë për të përshfaqur të tjera kulme, të tjera vlera, të tjera risi, të cilat do ndriçojnë edhe me më shumë dritë të nesërmet që presin të agojnë. Mbetemi sërish tek artikulimi i ndërgjegjies më të kulluar, tek fjala, madhështia dhe tronditja e saj, tek belbëzimi dhe tejçimi i imagjinares, tek syri i vetëm i percepetimit të zërit dhe gërvishjes së përtejndjesisë, e cila në ndërgjegjiet kohë prek poltrone dhe hedh në zjarr mijëra dëshira e pasione. Me gjuhën e fjalës zbresin muzat nga olimpet dhe fronet më të larta të perëndive, me gjuhën e fjalës takohen perëndimet e largëta, me gjuhën e fjalës zbrazin tallazet detra dhe po me gjuhën e fjalës digjen terret e përvëluar të qiejve. Fjala është posedimi i jetës dhe dhimbjes, është tingëllima e fëshfërimës së gjetheve të pyllit, është sëmbimi i zemrës nga lotët e qiellit, është muzika e përjetshme e shpirtit. Luajtja me të është nuk është një rebus i thjeshtë, por kod i mendësisë, arsyes dhe ndjesive përjetuese, është prelud i lejtmotiveve dhe sugjestionit, është apriori e kristalizimit të proceseve më të thella dhe përgjegjësi e, si e tillë, ajo rend e përsoset pa fund nëpër terret e shekujve, falë gjenialitetit të dishepujve dhe mendësive më të ndritura të kohës. Nuk do të mund të shkruja dot ndryshe për poezinë e Dante Maffia, të shqipëruar nga përkthyesja e njohur Albana Alia, pa cekur vetë fjalën, këtë koncept bazë që vetë autori e ka në referim dhe me të cilin shpreh të pashprehurën, mistizmin, botën referuese të sotme dhe gjurmërrugët e fshehura të së nesërmes.
“Kthehu fjalë, kthehu e bëhu e gjallë.
Jo gramatikë apo fjalor,
por acar e ngrohtësi në kundërvënie,
furi dhe përkëdhelje”

E pra fjala është e para, fjala është setenca e gjithë artikulimeve të mbledhura dhe ashtu sikurse vjen e gjallë, plot ngjyrime, por edhe me oshilacionet që e shoqërojnë shpesh deri në kundërvënie të koncepteve apo ideve, ndoshta ashpër për vizionin e perceptimit momental, ajo sërish grish dhe të habit me ndërthurjen dhe shprehishmërinë e pakrahasueshme që e karakterizon.
Poezia e Dantes e ardhur tashmë në gjuhën shqipe është një dritare e re komunikimi me poezinë më bashkohore sot, me zhvillimet dhe kufijtë e metafizikës, është mundësi njohjeje dhe koncepti rreth zhvillimeve më të fundit letrare dhe ky lloj arti padyshim që do lërë gjurmë të forta në letërsinë shqipe. Si poezi editive, e mendimeve të thella, e hapësirave dhe dashurisë njerëzore në këtë tempull bashkëkohor hedhin shtat shtresëzime të shumta rrymash, të cilat të alternuara, plot dinamizëm dhe dritëthënie krijojnë së fundmi një bosht unik, një strukturim dhe një stil përvijues. I gjithë vëllimi poetik “Të flasësh me sytë e saj” ndahet në tre pjesë: Drithërimë e mistershme, Përjetësi e shndritshme dhe Ëndrra dashurie të cilat, dhe pse duket sikur kategorizojnë ciklet poetike, sërish përshkohen nga tematika e eksperimentimit të shkeljes së traditave, gjë që përbën dhe veçanësinë e poetikës së këtij autori, dashuria. Sigurisht që hapësirat e mendimit dhe perceptimet e ndjeshme kapin gamë shumë më të gjerë, por përqëndrimi i analitikës sonë do të mbështetet në disa aspekte kryesore.

Poezia si shprehishmëri dhe botëkuptim i mendimit metafizik.

“Si mundet njeriu
t’i dorëzohet heshtjes së librave
në pritje, që nga ajo heshtje e thellë
të arrijnë përgjigje që zgjidhin misteret
dhe zbulojnë qenësinë? ”

Habia rreth madhështisë dhe filozofisë së mendimit, shtyn më me forcë dhe tundim drejt së pamundurës, të panjohurës dhe, nën këtë këndvështrim, kërkon të depërtojë edhe përbrenda heshtjes së vetë që të zbulojë por dhe njohë qenësinë.

Kaq i mistizuar është autori pas librit, pas atyre fletëve të pambarimta shkrimesh e deshifrimesh që mbushin raftet e tij, saqë i epiqendërzon si pikë referimi rreth mendësisë, por dhe ideve dhe ashtu të grimcuara por dhe të pluhorusura nga pesha e shekujve sikurse shprehet në të tjera vargje, që kanë mbërritur gjer tek ai, jo për të çorientuar botëkuptimin, por për të krijuar vizionin e duhur rreth parafytyrimit dhe percepetimit të gjithë kulturës së shkrimit.

“ E megjithatë vazhdoj të jem i bindur
se pikërisht ai pluhur
e shmang botën
nga shkatërrime e trazira.”

Pluhuri i dijes është ai që ka prodhuar qyterimimin dhe do e shpëtojë atë. Kjo është bindje e pakundërshtueshme dhe jo pa qëllim e citon filozofikisht dhe me kaq forcë.
E gjithë poezia e këtij autori është fuqi mendimi dhe parashtrim ideje, është koncept rreth kohezionit kohë dhe mediativitet reflektus, dhe ashtu sikurse vjen me kontekstet metafizike përçon jo vetëm dritëthënien e shpirtit por dhe modelin kreativ drejt të nesërmes.

Poezia si ndërgjegjie krijuese dhe psikologji.

Vetëdija e drejtimit të formave të larta estetike poetike është jo vetëm njohje e përvojë, por dhe largpamësi, është fryt i konsolidimit të mendimeve të larta por dhe psikologji dhe, si e tillë, elementët jetësorë të natyralizuara vijnë jo vetëm si fluiditete krijimesh, por dhe si përgjegjësi ndaj vetë mjedisit dhe shoqërisë në të cilën jetojmë. Poezia “Mëngjes i përgjumur” e cila ka fituar çmimin ndërkombëtar të poezisë “Alda Merini”, e tipizon më së miri këtë formë poetike dhe e identifikon autorin si personalitet krijues.

“Ky mëngjes që nuk zgjon bilbilat,
nuk vërshon drejt kambanoreve,
shtyn përtesën në fluturim
duke u ngushëlluar me një pellg të vogël uji.
Drithërohen kornizat e pallateve.
Pishat, tashmë me pak krahë
humbasin zërin.”

Shqetësimi i autorit për mëngjesin e ardhur pa bilbila, e cila shtyn përtesën në fluturim nuk është thjesht një posesivitet harrimi apo çast trishtimi por diçka më tepër, është drithmë kornizash të koracuara dhe pishash ( simbolizim) të gjymtimit dhe pafuqisë për fëshfërimën e zërave të humbur, tashmë të larguar.

“Është një veti e përbindshme
ajo që më jep mundësinë të vëzhgoj
nëpër jetë njerëzish dhe
të përfitoj stimuj të dobishëm
për të zbukuruar varrin tim.
Përveç kupolave dhe kështjellave
një fill drite hulumton
mbi fatkeqësitë e pranimeve të detyruara.”

Elementët psikologjikë në këtë lloj poezie vijnë si procesion i vetë ndërgjegjes në referim me natyrën jetësore, si retrospektivë (kthim në paskohë dhe format etike krahasuse), jashtë çdo aludimi spontan apo abstraksioni, dhe në këtë mënyrë autori arrin jo vetëm të përqasë idetë si formë drejtimi e përsosje, por dhe si fuqi argumentuese dhe peshë ndërgjegjie.

Poezia si muzë krijuese dhe figuracion artistik

Nga vetë ndërtimi dhe stuktura e saj, muzikaliteti dhe fuqia shprehëse, ndjesia përcjellëse dhe brishtësia e fjalës, finesa dhe ana metaforike, poezia është dhe mbetet perëndesha e artit të shkruar. E plotësuar me elementët e natyrës, dhe loja me simbolikën e tyre, në rastin konkret të autorit ( deti- valë muzash) ajo bëhet shumë më tepër figurative, estetike, delikate dhe gati magjike.

“Si mund të ndizet kështu deti
për të më ndjekur nëpër shpella
me krisma lodre,
thirrje, ekstaza, drithërima?”

Te deti shkrihet një me madhështinë e tij, një me shiritat koloritë që tkurren perëndimeve, një me thellësinë dhe trazimet, një me forcën dhe tallazet e tërbuara, një me kristalin blu dhe varkën e dashurisë të dergjur brenda syve të tij.

“Si deti të ndiej, si deti
më jep mirëseardhjen:
ijet e tua dallgë të furishme
më tërheqin pas vetes dhe
më bëjnë të luaj mendsh.
Si prania e sigurt e dallgëve
dhe e vorbullave që të fundosin.
Si shkëlqimi i valës
kur dielli depërton në flakëritje.
Si merinat e pabesa,
si ai horizont që kurrë nuk resht
së thëni: oh, vazhdo akoma.”

Elementët lirikë kapin një gamë shumë më të gjerë dhe do trajtohen më pas në detaj, por qëllimi për analitikën e këtyre vargjeve është ndërlidhja e botës së brendshme me figuracionin e përdorur, krahasimin dhe metaforat, strukturën e ndërtimit dhe elokuencën e fjalëve të përzgjedhura të cilat, në tërësi dhe të indeksuara në këtë kontekst ( frymë njerëzore “ grua” – koncept refleksioni “deti- ai ”), grishin dhe e bëjnë poezinë shumë më fluide e ndjesore. Autori, i vetëdijshëm për artin e tij, prek hyjnoren, mistizon dhe ringre të tjera kulme në piramidën e poetekës bashkohore e moderne, sjell tjetër dimesion dhe hapësirë, duke identifikuar kështu jo vetëm stilin dhe orgjinalitetin që përfaqëson por dhe personalitetin krijues që e veçon.

Poezia si aspekt lirik dhe frymë e thellë shpirtërore.

“Nëse nuk të ka prekur dashuria, je duke ecur nëpër terr”

Platon

Dashuria, si prelud dhe ndjesi e përtejshpitshme zë një vend të madh në poezinë e autorit Dante Maffia. Ajo herë vjen si ndjenjë e përkorë, herë si dallgë që prek dhe takon brigjet më të largëta, herë si përdëllim e dhimbje thellë, e herë si zjarr i kostelacioneve më të ndritshme të yjeve.

“E shoh, je e veçantë
dhe e mrekullueshme.
Je mbulesa e borës
që duke u shkrirë
shndërrohet
në ujëvarë piklash vese.
Frymëmarrje e botës,
erë e këndshme trëndafilash,
e dashur, e dashur, e dashur.

E dashur.”

Forma surreale e drejtimit nëpërmjet bardhësisë së borës dhe shkrirjes më pas në mijëra stërkala ujëvarash, jo vetëm që magjeps me fuqinë e vargjejeve, por e bën këtë poezi edhe më patetike. Ndjesitë shpirtërore shkojnë deri në qendërzim të gjithë botës parafytyruese, duke e vendosur “të dashurën”, si pikë referimi të vetë frymarrjes së tokës, si aromën e trëndafilit, dhe e gjithë kjo formë lirike në variacion të emocioneve të pëpërsëritshme që di të dhurojë vetëm dashuria. Në të tjera poezi kjo ndjenjë herë detratohet me fuqinë e zjarrit, herë me dallgëzimin e valëve të shpirtit, herë me kuptimin e vetë sendërtimit jetë që në lindje dhe e konceptuar në kufijtë e tablove më ngjyruse, vjen plot ornament, sharm, dlirësi dhe gati hyjnizuese.

“ Dhe femra e shtrirë është një det
që ka gëlltitur yjet
ka kapërcyer erërat,
ka hapur gjithë dyert e ferrit.

Vëzhgojeni, në sy ka vetëtima
që ndjekin njëra-tjetrën, nëpër flokë
ka thirrje të pashpërthyera. Veshët
kanë bardhësinë e qumështit. “

Pra femra, bukuria rrëzëllitëse që metaforikisht i ka përmbledhur të gjitha dëshirat, magjitë e natyrës dhe pasionet kapërcen në të tjera shtjella trazimesh ere dhe e simolizuar në këtë rast në bukuri vrastare ajo rihap edhe dyert e ferrit. Këtu nuk përflitet për purgator, as për djaj të fshehur pas maskave më të ndritshme, as për Hadin e frikshëm, por për qënësinë më të brishtë, që të barit drejt të tjera lëkundjesh, njëlloj si Eva që çoi Adamin drejt mollës së ndaluar, pra drejt mëkatit njerëzor. Shtjellimi i idesë vazhdon me të tjera kulmime dhe gjetje poetike, me dritëhije dhe errëti të panjohura të botës së saj, me shungëllimat dhe jehonën që mbart kujtesa pas verbimit vetëtimë, të cilat edhe pse të pashpërthyera flokëve të stërgjatura (figurativisht) shpërndajnë bardhësinë e qumështit.

Vëllimi me poezi të zgjedhura “Të flasësh me sytë e saj” është rendje drejt përkryerjes, kuptimit dhe dritëthënieve të shpirtit, e cila nis dhe mbetet tek fjala, formë parësore e shprehjes së vetë intuivitetit ndërgjegjie, është metafizika e vargjeve, shtjellimi dhe zhvillimi i idesë si formë e përmbajtje dhe dashuria, si ndjenjë e përtejshpirtshme që ringrihet mbi bukurinë e flirtin jetë dhe prek me frymë hyjnore. Dante Maffia vjen në letërsinë shqiptare jo vetëm si pëfaqësues i poezisë italiane, por edhe tipizim i poezisë më bashkëkohore sot dhe si i tillë ky autor me veprën e vet do mbetet modeli më i mirë i thyerjeve së koncepteve të krijuara në art dhe ideimeve të reja që po lindin.

 

 

Albana Alia

Albana Alia 

* Përkthyesja e vëllimit poetik “ Të flasësh me sytë e saj”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s