Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
Vjeshta është…
Vjeshta është një grua që zhvishet ngadalë
Nën flladin e mëngjeseve e të muzgjeve nazike
Natën nën dritën e hënës është e qetë, e brymtë
I bindet dëshirave, pa frikën prej pamjes së vet
Dhe lëkundet ndën lëkurën e ndritshme të saj.
Vjeshta është një grua që frutet e veta sheh
Krenohet me ëmbëlsinë që i jep shijes së botës
Bisqet e njoma i kujton me nostalgji pranverash
I flet butë e dhimbshëm atyre që jetën u dhuroi
Ndën peshën e fruteve të veta shtrydhet e hesht.
Vjeshta është grua që zemerimin pa shkak duron
Pse pjalmi s’ kish faj, kur stinës së gjelbërt e joshi
Të verdhat grimca ranë mbi të si pluhur i artë
E la lirisht erën dhe shiun të luajë me harqet e saj
Dhe nuk mohon atë që i la si shenjë të ëmbël.
Vjeshta është një grua që di të dhurohet pa fund
Të gëzojë për shijen që le në gojën e etjes, e urisë
S’ ka kushte veç ndriçimit të jetës në sytë që i do
S’ ka kushte veç lejimit të vazhdimësisë e përndritjes
Dhe thotë me vete: bëra gjithë ç’munda, më ndjeni!



























Leave a Reply