Disa veçori të krijimtarisë së shkrimtarit Hamdi Meça
Nga: Xhahid Bushati
Hamdi Meça është njëri nga shkrimtarët më interesantë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Pak i studiuar. Padyshim më produktivi i gjeneratës së tij e më gjerë.
Po t’i hedhim një sy procesit historik e letrar të rrugëtimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shkrimtari Meça, në vetvete, është një ‘Shkollë’, kjo e lidhur me profilin që ai na ka ofruar me krijimtarinë e tij të bollshme e cilësore. Qëndron denjësisht pranë disa ‘Shkollave’ që krijuan disa shkrimtarë të shquar të kësaj letërsie, si: Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Tasim Gjokutaj, Agim Deva, Rifat Kukaj, Gani Xhafolli, Fejzi Bojku, Rrahman Dedaj, Anton Pashku, Moikom Zeqo, etj.
Kur themi ‘Shkollë’, e shohim të plazmuar me gjinitë, që shkrimtari Meça ka lëvruar, si: poezinë, poemën, tregimin në vargje, tregimin, fabulën, romanin, etj. Nga njëri libër në tjetrin, nga përceptimi dhe vështrimi im, janë disa dukuri që zënë vend mirë në veprat e shkrimtarit. Përsëriten pa rënë në përsëritje. Fitojnë epërsi, poezi dhe veçanti. Rrezatojnë herë dukshëm dhe herë padukshmërisht. Në hapësira e porcione të caktuara. Por kanë përbashkësi, gjë që legjitimojnë profilin e thellimin e profilit të shkrimtarit Hamdi Meça.
Po mundohemi të zbulojmë disa nga këto dukuri.
*Hamdi Meça, ndoshta është nga shkrimtarët më të veçantë, ku Historia e Vendlindjes pasqyrohet, herë si: shqotë, herë si puhizë, herë si amanet, herë si ëndërr… e vazhdon si një diell: mik e bashkudhëtarë i shkrimtarit. Dhe ku konsiston veçantia? Epoka kruetane është si të thuash Epoka e Skënderbeut, janë bazament dhe tors në ndërtimin, zhvillimin dhe thellimin e profilit të shkrimtarit. Rrugë jo e lehtë. Ia ka dalë mbanë. Brenda profilit jeton historia me përmasat e saj, ku Liria dhe Ekzistenca, Dheu dhe Ëndrra mbeten shtyllat kryesore që kanë ngritur këtë ‘ngrehinë” përmes një rrëfimi filozofiko-poetik, – dallueshmëri e, që nuk e gjejmë te asnjë autor, më dendur e kualitativ, se sa te Hamdi Meça. Identifikimi i Vendlindjes me Epokën që autori e ndrit në rrëfimet e tij, profilit të tij i shtojnë dimensione: parakohore, kohore dhe paskohore.
Hamdi Meça
*Hamdiu, në krijimtarinë e tij, i ka mëshuar dhe i ka besuar detajit poetik. Është befasues dhe në të shumtën e rasteve mahnitës. S’është asnjëherë i pamotivuar. Është i përligjur dhe të fal emocion. Në poezi, në poema e në fabulat (në prozë) gjen shembuj dhe faqe të tëra, ku mbizotërojnë detajet poetike. Abstragimi i detajit ruan gjithnjë konkretësinë reale, dhe kjo është mjeshtëri. Ky raport i kujdesshëm nga ana e autorit, mbart imazhe dhe ngjyra të lloj-llojta me krahë ëndrrash dhe fushash të pafund imagjinate. Për rolin dhe funksionin semantik që luajnë këto detaje, mënyra e gjetjes, si dhe elementi krahasimtar, simbolik e alegorik, doemos, kërkojnë një studim më vete.
*Shkrimtari Meça, në krijimtarinë e tij letrare ka një poezi që e shoqëron gjithnjë. Ajo ka një ngjyrë prej talentit të tij. E pranishme, edhe kur rrëfen, edhe kur filozofon, edhe kur ndërton fabulën, e cila kaq aq të papritura. Ngjyrë, – ku epika ndërthuret me lirikën. Edhe atëhere ku lirika është mbizotëruese nuk e përjashton epikën, ajo është diku në një kënd të shpirtit të shkrimtarit. Kundron. Jo e huaj, por e përligjur. I tillë është dhe shpirti i Hamdiut, sa epik aq lirik, sa lirik aq epik…, por gjithherë me dimensione njerëzore.
Këto ishin disa dukuri e, plot të tjera gjen në krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit Hamdi Meça, e cila të thërret për parafytyra të reja, dhuratë e një letërsie të begatë, siç është ajo e Hamdiut.
Shkodër, korrik 2016.





























Leave a Reply