Poezi nga Vaso Papaj
I njëjti qiell
Bie nata mbi çatitë e qytetit dhe gëlltitet.
(Nata me çatitë sikur ka zënë dashuri)
Puthet, jargavitet, ngjitet dhe nuk shqitet.
Një qen rrugaç te plehrat po skërmitet,
Ndërkohë, një ditë e re po ngjizet në qetësi.
Sa i bukur qielli ynë, qiell i bekuar,
I njejti qiell, qielli i piktorëve, i poetëve të rinj!
Me dashuritë e tyre fshehtas konsumuar
Atje tek pishat, lart, mbi breg, krejt të harruar,
I bukur qielli ynë, si ty, ka mbetur po ai.
Një yll dashka oborreve tona të dremitet,
Me ty, si duket, na paska rënë në dashuri.
Tingëllon një telefon e askush s’përgjigjet.
Një radio të përtyp’ lajmet e fundit përpiqet,
Natën e kam pranë, më përqafon, më jep liri.
Zgjat ajo ngadalë krahët në qiellin tim.
Shihe, e dashur, i njejti qiell si dikur!
Ai që na ka parë të vuajmë në mjerim,
Ai që na ka parë të ikim pa drejtim,
Një ditë ky djepi ynë do të jetë edhe qivur!
E zbret ngadal kjo natë, çative ledhatiset,
Po një e shtënë rrugicave pa krye më gjëmoi.
Ngjan grua e dhimbsur se birin që po niset
Kërkon ta mbajë në gji: (O Zot, të mos degdiset…)
Mos nata po vetvritet?… Nuk di si të veproj.
E dashur! Sa i bukur është qielli me det!
Sonte rrugicës sonë po i bien yjet-shi
E ndoshta tani s’të ngjan si e vërtetë,
Po është i njejti qiell, i njejti dhe qytet.
S’u lodhka kurrë kjo natë aty përmbi çati.
Ndaj i kam mbetur rob edhe në gjumë.
Më ka parë të vuaj, të nisem,… larg të shkoj.
E përsëri në heshtje më do edhe më shumë.
Ndonse i larguar, më pret si t’vetmin çun,
Ndaj s’do ta le të vetvritet. Do të dij si ta shpëtoj.
Thërras
Mos ma shihni pëllëmbën!
Fati im fle nën lëkurë.
Mbi të le të ndërthuren vijat,
Zemra s’lodhet kurrë.
Jam i mirë, se e ndjej dhembjen,
Në mos qoftë gjer torturë.
S’kam flirtuar me humbjen.
Thashë poet, kam kuptuar burrë.
Thomëni:
Ç’është kjo forcë,
Që më bën të jetoj në këtë univers?
Mos dhembja,
Që të bën gjithmonë e më të mirë,
Të përballë me të keqen,
Qoftë me jetë të vështirë?!
Ngulçime më shtrëngojnë fytin.
Dikush më quan “zbukurim i hiçit”,
Dikush tjetër “ sëmundje: poet, poet, poet”…
Po s’ka betejë pa ëndërruar.
Gjykimi i ftohtë nuk vlen pa ëndrrën,
Miken e parë të sinqertë.
Ndaj, thomëni:
Kush është perandori i botës:
Dielli vetmitar a unë?…
Shtërngoj përsëri grushtat
Dhe qaj për një nesër
Dhe thërras, thërras,
Se ju dua shumë.
Udha e kryqit
Jetova: qava, qesha, gjer shpirtin dhashë.
Ëndërroja t’isha zog, të fluturoja nëpër botë.
E në m’i prenë krahët, me kokën poshtë nuk rashë,
Se nuk kam dashur kurrë të kthehem në robot.
Mua, që tërë kohës kam ecur n’udhë të kryqit,
S’më joshi kurrë, o njerëz, qoftë një bulevard.
Kam qenë përherë mes jush, me këmbët fort në tokë
Kam bërë çdo gjë që t’u shpëtoj qoftë dhe nga një ankth.
Unë që tërë kohën kam ecur n’udhë të kryqit,
Pa një mëdyshje hyra në luftë me çdo mëkat.
Qe udha e mundit, që m’i dha përherë gëzime shpirtit,
Ndaj gjer në fund ajo do të mbesë nga Zoti një dhuratë.
Atje ku mbaron deti
Atje ku mbaron deti
E nisa jetën time
Edhe pse gjallë u ktheva,
Më rridhnin plagë pas shpine.
Se, si një dallgë qe jeta.
M’u desh veç të përshtatem.
Të numëroj frymëmarrjet.
Në çdo hap dhe të matem.
Atje ku mbaron deti,
Një poezi të shkrova,
Më thërriste amaneti,
Me emrin tënd e kova.
Kjo jetë nuk qe kohë flirti,
M’u desh veç të përshtatem
E pa gulçima shpirti,
Në çdo hap dhe të matem.
Atje ku mbaron deti,
Askund unë nuk të gjeta.
Rinia atje më mbeti,
Ca udhëve të shkreta.




























Leave a Reply