Resmi Osmani - 1

Tregim nga  Resmi Osmani 

 

 

 LAKJA SHKON NË VOTIM  

 

Lake Llullaja, pas dhunimit dërrmues që i kishin bërë, megjithë përkujdesjet e Sheqeres, po e merrte veten ngadalë. Atë të premte mbrëma,teksa Sheqerja po u vinte  rrotull punëve të  shtëpisë, i mbështetur në jastëkët e ngritur te ballina e shtratit, se trupi i therte ende, ia kishte qepur sytë ekranit të televizorit. Ishte dita e fundit e fushatës elektorale e pastaj fillonte heshtja zgjedhore. “Sa mirë që do ta mbyllin sqepin, dhe s’do t’ua shohim më surretet, mendoi Lakja , se na shuan me gënjeshtra e na  pataksën: yjet i zbritën në tokë,malet i bënë fusha,detin e bënë kos e qumësht, errësirën dritë, të zezën të bardhë… Mos e pyet o mjeran  se ç’po dëgjon e me ç’po ta trullosin fiqirin, por Lakja s’është nga ata që e hanë sapunin për djathë dhe pret që të bien petulla nga qielli”, i tha vetes. Herë pas here, me shkronja të mëdha, që zinte tërë ekranin shfaqej e shkruara :”Shqipëria Vendos” dhe bëhej thirrje që të gjithë të delnin në votime. “Vërtet i rren mendja, se  këtë radhë do të vendosë Shqipëria?” pyeti veten Lakja mosbesues, por më tej nuk u thellua se e ndërpreu i biri.

-Baba,ti do të votosh pasnesër?- e pyeti Laken i biri.

-Si ta thotë mendja? Të dielën Shqipëria vendos. Llauzi do të derdhet rrëke për të hedhur votën. Emigrantët për këtë sebep po vijnë nga Filifistuni. Po Lakja, që e ka te dera e shtëpisë, do të hiqet mënjanë për turp e faqe të zezë? Patjetër duhet ta hedh votën time. E merr vesh apo jo: Shqipëria Vendos dhe unë jam pjesë e kësaj Shqipërie! Pastaj, ne denbabaden, jemi me trashëgimi patriotike e demokratë: gjyshi i ndjerë fanolist,babai,që u prehtë në paqe, partizan. E po mor bir,gjaku nuk bëhet ujë!

I biri shpesh nuk e kuptonte të atin,kur e kishte me shpoti e kur përnjimend, kur ishte esëll e kur kishte rrëkëllyer ndonjë gotë e fliste çapraz.

– Të pyeta se kushedi, ti ke kaq ditë që ke zënë dyshekun dhe mbase nuk ngrihesh dot.

-Pse gëzon babai që ka djem? Hë? Gjeni një karrocë invalidësh, ngrimëni hopa dhe me të më çoni në qendrën e votimit. Ta shohë gjithë qyteti që Lakja  bën detyrën qytetare, siç  e kërkon demokracia. Posi! Po nuk shkova do t’i bëja qejfin hasmit. Pastaj është edhe ajo puna e tregëtisë së votave. Po nuk vajta, do thonë e do të më përflasin që unë i kam shitur vërtet votat! Por kjo nuk është hiç e vërtetë. Prokurori nuk e vërtetoi dhe mbeti si guhak. Lakia është burrë i ndershëm, kështu tha avokati dhe padinë e quajti “Nul juridik”. Atë nulin nuk e mora vesh. Më pas avokati më tha që ashtu I thonë zeros në drejtsi. Do shkoj ta hedh votën që ata rrugaçët, të cilët më sakatuan e zdrumbalisën, të plasin nga nakari e marazi dhe ta marrin vesh që s’më tutën dot e që me Laken u shkoi druri huq.

*       *       *

Ndryshe nga ditët që e paraprinë, të kthjellta, plot dritë e të nxehtë përvëlues, me netë që i ndrinte hëna e plotë, njëzet e tre qershori u gdhi  i vrenjtur. Ca re të bardha puplore, si të pambukta, kishin veshur tërë qiellin nga lindja e juglindja. Bënte më freskët se të djeshmen, por shi nuk dukej se do të binte. Më pas retë u davaritën e qielli u hap. Filloi vapa.

Djemtë e Lakes shkuan në spitalin privat ”Zemra e Përdëllyer” dhe kërkuan përkohësisht  një karrocë. Motra Anjeza, kryeinfermierja, kur mësoi përse e donin çunat karrocën, u mallëngjye aq shumë nga gjesti qytetar i Lakes, sa desh i rrodhën lot dhe ua plotësoi kërkesën.

Në mëngjes, kur njerëzia ishin ende duke surbur kafetë, në rrugët e lagjes, buçiti sa drodhi ajrin, daullja e Dull Jevgut. Dulla, zakonisht, delte për ditët e mira dhe të dy Bajramëve, por sot kishte dalë për votimet. Bam, bam, bam daullja, pastaj: “O milet! Dëgjoni e mbani vesh  atë që do t’u thotë Dulla: të gjithë në votime! Votues të lagjes dilni dhe shoqëroni, Lake Llullanë, që po ngrihet nga jataku për të votuar!” Bam, bam, bam…….

Lakja u vesh, vuri kasketën, por nuk u rrua. Mjekra e bënte të dukej më të vuajtur e për të ardhur keq. U kujdes që në xhepin e vogël të xhaketës të vinte trandafilin e bardhë. Karroca priste në oborr nën hijen e manit. Sheqerja vuri në kokë një shami me hoja dhe në mes një përparse të qëndisur.Laken, që rënkonte me ah e oh, e ulën në karrocë. Në dorë Lakja mori patericën, se mbase i duhej.

Në të dalë të portës i priste shoku i halleve, Cufe Zavalli. Karrocën e shtynte djali i madh. Dy të tjerët dhe Sheqerja i shkonin pas. Cufja i rrinte anash. Nga portat e gjitonëve, nisën të dalin e bashkohen me ta votues të tjerë, aq sa u bë një vargan. Fëmijët, që u bashkuan me ‘ta, vërshëllenin e bënin potere. Qentë e lagjes, të trembur nga zhurma e zallahia, nisën të lehin, por karvani shkonte përpara. Duke ecur,duke u shtuar,si ato rrëketë e ujit që mblidhen në një vijë, arritën. Oborri  i shkollës, ku ishin qendrat e votimit, ishte mbushur plot votues, që prisnin. Kur hyri në portë karroca e Lakes dhe e shoqëruesve, u hap një korridor dhe të pranishmit, si t’i kishte  porositur njeri, duartrokitën fort. Lakja, që u ndje i vlerësuar, për t’i përshëndetur, ngriti lart patericën dhe e tundte si ta kishte flamur: “Faleminderit, faleminderit ore miq! Rroftë demokracia” Cufja sokëlliu mesa i hante zëri: ”Liri demokraci !”

Sakaq ia behu gazetarja e njohur Olta Fusha e televizionit “Alfa &Omega” dhe operatori. Olta ishte e bindur se ky ishte lajm i ditës dhe nisi menjëherë ligjërimin, duke e mbajtur aq afër mikrofonin sa dukej sikur do ta gëlltiste: ”Jemi duke transmetuar lajf, mbërritjen në qendrën e votimit, të bashkqytetarit tonë Iliaz Doko, i njohur edhe si Lake Llullaja.  Për të bërë detyrën e tij qytetare, është ngritur nga shtrati dhe në një karrocë invalidësh, ka ardhur të ushtrojë detyrën dhe përgjegjësinë e tij demokratike e kushtetuese edhe në një gjendje shëndetësore të rënduar. Le të shërbejë ky rast, të dashur shikues, si shembull frymëzues i qytetarit model, për gjithë ata që ende nuk kanë vendosur të shkojnë në kutitë e votimit!”

Fotografët nisën të shkrepnin aparatet. Fotografitë e tyre do të bënin xhiron e botës. Fama e Lakes do të merrte dhenë!

-Zoti Doko! Cili është mesazhi juaj për bashkqytetarët tanë?- pyeti Olta.

-Rroftë demokracia! Votoni,votoni,votoni…!

Përsëri duartrokitje dhe thirrje: ”Bravo Lake! Ja bëre forra!”

Sikletit të Lakes i dha fund kryetari i KZ-së, i cili u tha se ishin të ndaluara mitingjet dhe deklarimet. Përndryshe do të urdhëronte forcat e rendit të ndërhynin.

Kur hynë në korridorin e gjatë të shkollës, u ndanë. Për invalidët ishte përgatitur një dhomë e veçantë, Laken e futën aty. Sheqerja me djemtë u ngjit në katin e dytë, por edhe aty u ndanë se  nuk dihet përse.  Edhe të një familje ishin në qendra të ndryshme.

Aty nuk kishte radhë. Lakja, serioz e i përvuajtur, përshëndeti komisionerët. Pastaj vazhdoi protokolli: u paraqiti letërnjoftimin, firmosi në listë, i lyen gishtin me bojë,  i dhanë fletën e vulosur të votimit dhe një djalë i sjellshëm, e shtyu karrocën në dhomën e fshehtë. Pasi bëri shënimin, i thanë si ta paloste fletëvotimin, që të dukeshin të dy vulat dhe Lakja e hodhi në kuti.

Erdhi djali i madh, që sapo kishte votuar dhe ata u nisën të dilnin. Sheqerja po vonohej.

-Ngjitu bir, shiko për tët ëmë, pse po vonohet?

Kur erdhën, Lakja pa që Sheqeres i kishte ikur fytyra nga vendi dhe nuk pushonte së shari.

-Ç’ke? Ç’të gjeti?

– Nuk votova dot!

-Pse?

-Kërkuan e kërkuan dhe thanë se nuk e kisha emrin në listat e zgjedhësve. Kur po kërkoja emrin, erdhi një djalë I ri dhe më pyeti: ”Mamaja e Turit je ti?”, ”Po”,i thashë.”Ma jep letër njoftimin,se ta gjej unë emrin” Ia dhashë. Erdhi një copë herë rrotull dhe kur u kthye më tha se nuk e kisha emrin. I kërkova letërnjoftimin. Po ai bëri të çuditurin dhe më tha se ma kishte dhënë. Kërkova në çantë dhe portofol, por nuk e kisha. Ai sakaq u zhduk, si ta kishte pirë dheu. Nuk sos që nuk votova, por humba edhe letërnjoftimin.

-E njeh po ta shohësh?

-Zor ta them,se kisha parë ndonjëherë.

“Të lira,të drejta e të ndershme” mërmëriti Lakja.

Në të dalë të portës, u kishin zënë pritë ca djem të rinj, me blloqe shënimesh dhe diktofonë, që nuk duhet të ishin nga ai qytet. Pasi e përshëndetën Laken me të tijtë, u thanë:

-Jemi të eksit pollit. Ja edhe autorizimi. Nëse s’keni kundërshtim, do t’u bëjmë ca pyetje.

– Ç’është ky eksiq polici?  Edhe këtë kishim mangut!

-Zotëri, eksit polli,është pyetje pas votimi, për të parashikuar se kush ka fituar.Deklarimi pas votimit nuk është i ndaluar.

-Paguani gjë?

-Jo,zotëri.

-Pa pgesë or mik,s’këndon as zogu!

Po kjo?

Intervistuesit mbetwn si shushko.

-E po,nejse. Bëjini ato pyetjet.

-Për cilën parti votuat ju?

-A,b,c, ç,d, e………..Y,v,z,zh!

-Çfarë do të thotë kjo?

-Që partia gjendet brenda këtyre shkronjave të alfabetit të shqipes. Lista e partive ishte sa një çarçaf. Po mundët, gjejeni, se unë nuk e mbaj mend!

-Ta themi ndryshe, për cilin numur: 1,29,44,56, apo tjetër? Mund të na e thoni?

-Posi jo.Numri që votova është nga njëshi deri në gjashtëdhjet e katër! Aty midis tyre është.

– Sipas jush kush do t’i fitojë këto zgjedhje?

-Më i miri.

-Dhe kush është më i miri?

-Ai që e ka mërzitur më pak popullin dhe gënjen më me lezet!

Intervistuesi e falenderoi dhe u mundua ti shkruante të plota përgjigjet, ngaqë mendoi se gjeti subjektin e duhur për të shkruar një ese të hatashme:”Gjeniu popull” në gazetën “Fakti” të Kol Bushgjokës.

Kur arritën në oborrin e shtëpisë, Lakja zbriti nga karroca si të ishte atlet  dhe i këputi asaj një shkelm, ajo u rrokullis dhe qëndroi te muri i avllisë.

Cufes i dolën sytë kallëp:

-Lake,por ti sikur… ?

-Cufe,mos e lodh shumë mëndjen ,që të dish sa ka zanati, se plakesh para vakti! Detyrën e bëm, tashti na takon ta festojmë, – tha dhe i thirri Sheqeres,- Na bëj pak meze, moj nikoqire dhe sillna një shishe t’ia thyejmë grykën, se na është bërë gurmazi eshkë!

Sheqerja dukej shumë e mërzitur. Cufja e ngushëlloi:

-Për kokën tënde, o Sheqere, mos u sëkëlldis se të ngrihet ai i shkretë tension e na bën ndonjë hata, se demokracia do bëjë si të bëjë edhe pa atë votën tënde. Që ta dish ti, ky panair kështu e ka: ca shesin,ca blejnë , ca vjedhin, disa qeshin,të tjerë qajnë e një takëm bëjnë sehir! Kështu ka qënë si sot, si qëmoti.- përfundoi fjalimin e tij filozofik Cufja.

Lakja që i kishte mbushur kupat, e bëri bromp me Cufen:

-Ja të paça. Këtë radhë daltë për mirë, se kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët. Besoj do të marrin atë që u takon, sa për ne ata që ishim ata do të jemi!

Televizioni lokal po jepte lajmet. Sheqerja u thirri që të shihnin veten në ekran, por ata  nuk e prishën rehatin, po u shijonte më shumë ajo gota nën hije të manit.

 

Qershor 2013.

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,690 hits

August 2016
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List