Poezi nga Marjeta Shatro
***
Trishtohem prej shprehjes së pafjalë dhe fjalëve të pashprehura!
Ne e dimë fundin e pafund për në kurrkund.
Kopshtin ku vdes dashuria, ku mbillen trëndafilat e kujtesës dhe harresës.
Atje ku zgjidhet gjithçka e pazgjidhshme!
Trishtim i ëmbël në këtë ditë shenjti!
Santo Lorenco, shenjti i dashurisë!
Je ti…
Kam nevojë…
Të mbjell në shpirt një këngë të re.
Të zbuloj bukurinë e jetës.
Të shoh pas mbi vitet ku kam shkuar.
Jam këtu, e s’ jam.
Bota është e verbër dhe e shurdhët.
Arratisem larg, shumë më larg.
Veç sytë e tu telepatikë më zgjojnë
Më rikthejnē në të tashmen.
Mizëria e njerëzve më bën më të vetmuar dhe sërish iki,
por ti më kthen nga arratia.
Ti mbret i dëshirave të mia.
Zot i shpirtit tim, i vetmi që hyn brenda tij.
Ëndërroj dhe përjetoj.
Ç’ishte dje dhe çfarë është nesër.
Mungesa jote më mbështjell së largu
Kupton me gjuhën e shkronjave .
Me ndjeshmërinë e tingujve që netët zgjojnë
dhe drithmën time të shqetësuar
kthyer në ëndërr të bardha.
E unë përhumbur iluzionesh pa fund,
mundohem të siguroj pavdekësinë .
Je ti që më fal paqen e ëmbël
Ti, Adami im i përjetshëm!




























Leave a Reply