Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
NDJESI
U gëzova njimend
Nuk më erdhi turp, as pata frikë
Nga ai ngashnjim drithërues ndjesish
Nga ajo përsëritje pikë për pikë e dëshirës
Për ta zotëruar sërish
Për ta mbajtur në duar si Kristal
Pjesën e bukur të një burri
Atë që ngjan me valëzimin mbi det
Me rënien e yjeve mbi gjethe pemësh
Si pluhur poleni i verdhë…
Me thënë të drejtën, unë e di
Aromën e guximit mund ta ndjek
Se më pëlqen të luaj ngapak me zjarrin
Të djeg krahët si flutur njëditëshe, e kaltër
Të kërkoj të falur, e të mbaj lotët
Në mijëra pse, ta copëtoj besimin e verbër;
E sërish të pranoj, thjeshtë me një, “të du”…
Prandaj i përulem këtij flladi që fryn
Këtij trishtimi të ëmbël e të mirë
Që vjen e më prek në lëkurë
Pa kërkuar asgjë në këmbim
Pa të kujtuar asgjë që ka bërë për ty
Si stinë, si pemë, si yll…
Që ekziston dhe i jepet gjithkujt
Ëmbël
Thjeshtë
Pa kushte….




























Leave a Reply