Poezi nga Sokol Otobashi
FSHATI IM
Këtu nuk ka muze sepse njerëzit janë të thjeshtë
dhe ata që ikën dhe ata që vijnë nuk janë heronj
ketu një gur, një thënie a një copë vjeshte
relike i quajmë, i duam, nderojmë.
Këtu mitet, përditë u linden
dhe ditët e borës i kemi të rralla,
por burrat e parë, që strehë na ngritën
i quajmë të lashtë e flasim plot mall.
Këtu, ndoshta, nuk lindin Homerë
as Troja e lashtë flamujt s’ i ngre,
por lindin të thjeshtët; të pasur, të mjerë
gjithkush një iks, askush një Odise.
Këtu jam unë e do të mbetem
nën këtë qiell e mbi këtë dhe
këtu u linda e do të tretem
dhe tjetër botë s’ kam pse ngre.
Këtu jam unë si gur i vjetër
dhe rreth e qark është troi im
këtu kam dritë e s’ dua tjetër
i lirë të mbes gjer në harrim.
Këtu kam Dhe e s’ e këmbej
këtu kam zë dhe e rrëfej
këtu kam drit’ ndaj syri s’ fle
kam nën’ e bab’ dhe Mëmëdhe.




























Leave a Reply