Poezi nga Vullnet Mato
DIKTATORI DHE ZOGJTË
Kur u ndërrua sistemi, kam dëgjuar,
një çudi që ua kalon të gjitha çudive.
Foli në ekran një avokat i moshuar,
me diktatorin në lagje, shok fëmijërie.
Ai tregoi disa bëma të mahnitshme,
si lindi Neroni shqiptar që u bë diktator.
Por ruajta në kujtesën e pashqitshme,
më të çuditshmet e fondit të tij gojor.
“Shihni diktatorin, tha i nderuari avokat,
ballin, vetullat, sytë, buzën e trashë,
vini mustaqe dhe feste si ushtarak i lartë,
të dalë burri i bukur, ezmeri turk Bimbash;
Krahasoni trupin diktatorit, kudo në fis,
krejt ndryshe babai, shkurtabiq buzëhollë,
fetar i matufepsur, njohur në çdo mjedis,
pas arabishtes currufjasur qysh në shkollë;
Nga vrasja e paguar e bimbashit të huaj,
siç pohon folku, “doli shkurti, hyri marsi”,
deri në nëntor, bëhen plot nëntë muaj,
kur lindi diktatori,ngjizur me dashuri çasti”…
* * *
Sidoqoftë, këtë rrëfim nuk e vlerësova,
se nuk desha të fut në gjynah shpirtin.
As internetin, ku bimbashin gërmova
dhe e kish 1908 metra të gjatë bishtin.
Të ishte, siç shkruhet, se ai gjuante suta,
dhe u la arnautëve të kuq, diktatorin“kopil”,
militantët, varrin e bimbashit, si te Buda,
do ta ndriçonin përjetë, me qirinj e kandil…
Por tregimi i dytë, më bindi pa mëdyshje,
karakteri vrastar nga fëmijëria trashëguar,
kur burgoste me gurë vrimave në murishte,
zogjtë e pulave të ngordhnin duke cicëruar.
Sa zogj nënash burgosi në muret kështjella
dhe i la të “ngordhnin” pa pikë mëshire?!…
Pashë babanë, të tretej mes muresh me tela,
kur i shkoja për vizitë, ato vite fëmijërie…
Vetëm po të ishe ngjizur nga një gen mizor,
me shpirt të mpiksur nga gjakësor krimi,
s’do kishe dhimbje, për mijëra zogj njerëzor,
dënuar me burg fjale e pushkatim mendimi!…




























Leave a Reply