Poezi nga Melaize Gropa
Perëndimit
Dielli tej në horizont fshihet,
E grija e përhimtë muzgut afron
puhizë e lehte më përkëdhel fytyrën,
mbrëmjen e ardhur sërish më kujton.
Puthja e flladit mbushur me mall,
Dashurinë e zjarrtë të yjeve pëshpërin,
dhe unë përhumbur kujtimesh rend
ashtu si dikur, krahëve të tu.
Rreth vetes vështrime hedh ngado,
diku ke humbur e ty s’ të shoh.
Aty në kopshtin e vetmuar të jetës
Të lodhur krahët e pemëve stërgjaten.
Largësi
Largësi, që mat kilometra,
ti që sundon në mbretërinë e mallit,
fluturim hapësirave, pa zemër je
mbartur ke dhimbjen e kufijve të ndarë.
Zërin drithëruar tingëllon telefoni,
kthyer në jehonë që buçet malit,
S’ ka forcë natyre të ndalë uturimën
jehonën e mallit të nënës për djalin.
Pritja
Sa dhemb të presësh pa fund,
kur trishtimi mbretërinë ka marrë,
zvarritet shpirtit të vrarë e thërmuar,
ankt i pareshtur si në lëngatë..
Ulërin se ndoshta zotat dëgjojnë,
ndiejnë helmin që i rrjedh në gjak me tërbim
mossss!… paska vdekur për së gjalli,
a humbur në të frikshmen portë të Hadit .
Përpëlitet në grahmat e fundit të dritës,
me shpirtin shtrënguar ndër dhëmbë
në detin e lotëve fsheh helmin e shpirtit ,
ahhh!…, sa e rëndë është pritja.
S’ ja ngroh asgjë zemrën e akullt,
as dielli që djeg e shkrumbon në behar,
s’ ia than dot askush lotin nën qerpilk
humba klith e trembur e dot nuk ia dal.




























Leave a Reply