Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

BUKURIA MËKATARE

Duke gjykuar thjesht, nga librat fetarë,
se mëkaton edhe kur dikush të pëlqen,
gratë dhe burrat dalin të gjithë tradhtarë,
se rrallë gjen dikë pa mëkatuar me mend.

Por nga burrat kërkohet një frenim mizor,
as ta imagjinojmë femrën e bukur të tjetrit,
edhe kur të ndez stuhinë e gjakut mashkullor,
edhe kur të troket takat mbi damarët e nepsit.

Po kur hiret e bukurisë, t’i drejton direkt në sy,
ajo të bën të marrësh malet çmendurisht,
të mëkatosh padashur me çdo virgjëreshë Mari,
që ka mbetur ende pa u bërë nënë me Krisht.

Se ka dhe femër që po të pa dy herë në sy,
mund të verbohesh e të përplasesh me murin.
Dhe po buzëqeshi ajo, për disa çaste me ty,
do çmendesh patjetër, se të ka hequr trurin.

Pa le, po të zhvishet para teje krejt lakuriq,
duhet të hapet dheu të rrokullisesh brenda.
Se edhe po të mbetesh për disa kohë eksiq,
do të vdesësh shpejt, nga dridhma të rënda…

Ndaj i lutemi Zotit, të mendohet më hollë,
kur sajon figura femre, me bukuri të rrallë,
të mos i lejoj Evat, të na joshin me mollë,
ose të na bllokojë sytë, kur dalin përballë;

Siç na ndodh me ca foto profili në internet,
kur para se ndonjëra, të na lërë të vdekur,
krejt papritmas, na mbyllen qepallat vet,
se s’është si ka qenë, aq mollë e papjekur…

 

KUR PUTH FORT DADON JETIKE

Jeta ka provuar se në çdo hark shekullor,
njeriu lind kurdoherë binjak me vdekjen.
Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë,
binjaken e ka kurdoherë me vete…

Mjafton të hedhë një hap në greminë,
të lakmojë drogat, me etje të tërbuar,
të nxjerrë plumbin e gojës me zemërim,
apo të hajë një porcion ushqim të helmuar;

Të prekë pa vëmendje çdo armë të kohës,
të gjuaj padashur veten, në vend të derrit.
Sidomos të hajë kilometrat përtej normës,
duke lejuar makinën të marrë furinë e ferrit.

Kur ndodh harrojmë dhe na joshin disa qejfe,
të harbohemi me duf, pa i vënë frerët kokës,
atëherë vdekja papritur, na rrëmben me vete,
në strehën e saj prej dheu, brenda nëntokës.

Pra, jemi gjithë jetën viktima të binjakes foshnjore,
të pambrojtur nga e keqja, gjithmonë me rreziqe.
Dado kemi veç zonjë Kujdesje, që na merr përdore,
deri në fundin e pashmangshëm të moshës në ikje…

Binjaken tinëzare, lë të mbetet përherë duarbosh,
kush shtrëngon e puth fort dadon e shtrenjtë jetike!…

 

PËRBINDSHAT E TMERRSHËM

O Poseidon fuqiplot, qofsh mallkuar në gjithë Eubënë
dhe në krejt detet përqark zotërimeve të Helionit,
që me tre dhëmbë të llahtarshëm, shkunde dhënë,
dhe le gjallë pas vetes përbindëshat e korrupsionit;

Të grabisin pronarët e ligjshëm, të mbushin shpellat,
me arin e hashashit, të mijëra argatëve, të tokës e detit,
Lëvruesit e poezisë e prozës, që u rropatën në të mbjella,
po shuhen një nga një, pas lëmoshës mjerane të shtetit.

Ku u fshehën polifemët që hëngrën poetët e Bërzeshtës
dhe më pas të tjerët, në trojet përqark nahijes së Kuksit?
Ku maskohen gllabëruesit e lundërtarëve me velat e letrës,
që varfëruan miqtë e internetit, së bashku me lexuesit?…

Mblidhuni, o trima të deteve letrare, nëpër kontinente,
të skuqim majat vigane të penave tona, në zjarrin letrar,
t’u verbojmë polifemëve syrin e ballit, me fuqi të vetme,
të ngordhin shpellave, pa lënë pasardhës grabitqarë!…

 

KURTHI I MAGJISHЁM

Njerëz të zënë në kurth,
kafshë të zëna në leqe.
Natyra për miliona vjet,
shton përjetësisht speciet.

Në grackën e femrës,
me fije dashurie ngritur,
natyra me epsh magjik,
kap meshkujt e rritur.

Femrat i kap për barku,
meshkujt, te këmbaleci,
natën i bën dallgë bregu,
ditën i flatron, zogj deti.

Bukuria epshndjellëse,
dhe mjalti i fjalorit gojor,
çon zinxhirin e ndjenjave,
te kurthi i misterit epshor.

Nëpër ca lot virgjëreshe,
ndizet zjarri mashkullor,
me vërsulje të rrufeshme,
shuhet prej shiut epshor.

Kurthi, i shtrëngon fort,
në lojëra seksi të ngecen,
nga zënkat të pajtohen,
natyra të shtojë speciet.

Kurthi, detyron tokësorët,
të lëvrojnë parcelat e tij,
ku mbjell farë gjallesash,
të vijojë jeta në përjetësi.

Kurthi, ka qëllim të parë,
krijimin në mijëra shekuj,
miliona njerëz të gjallë,
pas miliardave të vdekur.

Të mos kishte ndodhur,
kurthi biblik “Adami-Eva”,
sot në glob do banonin,
veç shiu i lashtë dhe era…

Kurthi nxit të çiftohen,
njerëz të vjetër e të rinj,
mace, pula përdhunohen,
Insekte, tigra, gjarpërinj.

Epshi i kurthit, aq i fuqishëm
ndesh brirë kafshësh për femrën,
frenat e trurit të njerëzishëm,
ndeshen t’i fitojnë zemrën.

Mjerë kush vret veten e vet,
apo vret rivalin, marrëzishëm,
të përjashtohet në këtë jetë,
nga lumturia e kurthit të magjishëm!

 

BUJTINA SHPIRTЁRORE E DASHURISЁ

Duket sikur bujtina shpirtërore e dashurisë,
ka kolona dhe mure ndjenjash, të patundur;
dhe nuk ka tërmet grindjesh, ta përmbysë,
as përrenj shpifjesh, themelet për t’i shkulur;

Se xhamat e syve vetëtijnë shkëndijat e zemrës,
buzëqeshjet vezullojnë, rrezatime shpirtërore;
aq sa harmonia, mahnit ziliqarët jashtë derës,
kur në xhiron elegante, del çifti i zënë përdore…

Por ndodh xhamat e syve, bien të shkërmoqur befas,
muret e premtimeve rrëzohen, si gurë të hallakatur,
sikur një fuqi misterioze, shkul kolonat e ndjenjave,
dhe e bën gërmadhë, bujtinën e shpirtrave të dashur…

Atëherë buzëqeshjet varen në çengelat e buzëve,si merimanga,
tjegullat e krenarisë, i mbulon pluhuri i zemërimit të murrmë.
Teksa fajin e rrënimit, ata ia vënë njëri-tjetrit, si pranga,
akrepat e thashethemeve nisin të shumohen nën gurë…

Pasi zogjtë e puthjeve kanë shtegtuar qiejve të harrimit,
dy emrat e tyre vetmojnë, si qyqe mbi muranën e vjetër.
Ndërkohë, secili përsërit refrenin e tij të zhgënjimit:
“Cili gabim duhet shmangur, po të ngre bujtinë tjetër?!”

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s