Poezi nga Leonora Lokaj

Poezi nga Leonora Lokaj

 

Përjetësisht, të lumtur…

Në epruvetën e jetës,
si varkë lundroj,
lumit të qetë të natës…
Besa, shpesh lidhim të dy varkat,
në të njëjtin dru;
dalim e shkelim
tokën e ndaluar!

Askush nuk heton,
si përvidhemi, tinëzisht,
kurrizit të natës
dhe, nën dritën e zbehtë të hënës,
thithim gjoksin e jetës!

Shpirti, si algat në det, ledhatohet,
nga floku i fildishtë i kujtimeve…
Në qetësinë e një nate ciklopi, si kjo,
dëgjohen zhurma kryqëzimesh…
Je apo s’je ti?!

Të ndiej afër edhe pse s’ të shoh!
Ç’ mister ngritët, mu përballë?
Me valixhe, mbushur plot, vrapoj
Natës, që po vdes ngadalë…

Kush i shkopisi kopsat, i pari
dhe ia përkëdheli gjoksin, hënës?
Virgjërinë e agimeve, kush e prishi?
Jo, s’ mbaj mend përgjigjen,
për lakuriqësinë e një jete, kaq të shkurtër!

Ne, kuptohemi shumë mirë bashkë;
sytë nuk vrapuan kurrë, ta kapin
Kopshtin e Edenit;
shijojmë një këngë të plagosur,
që na bën përjetësisht të lumtur
…larg syve të botës.

 

O mbretëreshë e jona mes malesh të larta

Mundohem t’i mbledhë kujtimet e lëna peng
Po koha mashtruese i hëngri pa mëshirë
Rrugëve të jetës shpirt dhanë
Eci ngadalë mbi kurrizin ku pushon vetmia
Mos me mbajë mëri pse e njëjta më nuk jam

Era përvajshëm serenatën e dhembjes këndon
Për të na kujtuar kthimin në gjirin tënd
Mërguar, ndër kreshtat e hipokrizisë t’kemi braktisur
Vendi im vegim në vargjet e mija
Heshtja kështjellë në zemër të ka ngritur

Mbi këmbë vetmie pa thënë asnjë fjalë
Si foshnje e përgjumur na shikon
Lakuriqësinë e trupit tënd të njomë
Me jorgan dëbora e ka mbuluar
Dimri më dhemb prej akulli të kafshon

Derisa shtegtojmë si kalorës të dehur
Koha ikën me vrap Maratonomaku
La gjurmë në kokat tona thinjat e arta
Ty të ka murosur të nusëruar
O mbretëreshë e jona mes malesh të larta.

 

Miti i dashurisë

Ëndrrat e dashurisë
bluzën zbërthyen
fluturat shuanin etjen 
nga gjinjtë e tyre lakuriqe,
era duke fishkëllyer përvajshëm
sjell pajën e ëndrrave,
n’ Trekëndësh t’ Bërmudeve t’i martojë.

Shpirti i damkosur
me vulën e nxehur nga zjarr i jetës,
mbanë në gjirin e saj
kujtimet e vragës
nga kohë e trishtë
e shekujve thinjoshë
…një piktor qorr vizaton
fatet njerëzore plot mëkate.

Ti Dalilë, bukuri e drunjtë,
mendove që ishe hyjneshë
kur preve flokët e Samsonit,
bukuri e helmosur si fatet e njeriut.
Kur e puthe atë,
fatin e robërove me pranga për dore
të dukej se Zeusin e Olimpit
në rrjetë të merimangës zure.

Ti Romeo prej përralle,
me verë të fortë
dehe mitin e dashurisë,
si perlë në sytë e vdekjes
këmbëfati mbi erë vrapove
dhe me një copë ironie në duar
bërë ta besojnë dashurinë,
bukurinë e përrallosur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s