Moderniteti i Migjenit: Figura e femrës / Nga/ Xheni Shehaj

Moderniteti i Migjenit

 

– Figura e femrës

Figura femërore që kur është krijuar  universi e deri në kohën tonë ka patur një peshë të madhe. Kjo figurë përbën një motiv tejet të lëvruar në art. Skulptura, piktura, letërsia e kanë himnizuar femrën duke e ngritur përherë e më lart. Të shumtë janë poetët që kanë shkruar për femrën, qoftë si nënë, si grua, si vajzë. Shkëndija u ka ardhur gjithherë nga dashuria.

Pasi ranë në kurthin e dashurisë, Baudelaire dhe Migjeni nuk i shpëtuan dot vuajtjeve, gëzimeve, atmosferës që ajo krijon. Sigurisht që këto ndjesi ata i hodhën në letër. Te të dy poetët, dashuria zë vend të rëndësishëm. Baudelaire njohu dy format plotësuese të dashurisë njerëzore: pasionin sensual për Jeanne Duval dhe dashurinë shpirtërore për Madame Sabatier.

“Bodleri nuk qe ‘i dashuruar’ prej së vërteti, sipas shumicës së studiuesve të tij. Femra i dha atij vetëm ndijime. Kështu, ideali i femrës për Bodlerin u bë ose femra e një tjetër race, ose femra e shëmtuar, ose femra e dobët si skelet, ose femra shumë e moshuar, ose femra me shpirt kriminal, të papastër, djallëzor, ose e përdalura”.[1]

 

Migjeni nga ana tjetër, njohu dashurinë sublime, atë më të pastrën, më të shenjtën. Që të dy poetët, ravijëzojnë të gjitha format femërore, femrën prostitutë, murgeshë, lypëse, engjëll. Përmes mendimit alegorik, simboleve, metaforave, ata kërkojnë t’i afrohen universit femëror duke tentuar ta zbulojnë atë. Kemi marrë në analizë disa poezi të dy poetëve ku spikat figura femërore.

Ajo që kemi vërejtur është se si Migjeni dhe Baudelaire kanë disa pika të përbashkëta. Është e lehtë të konstatohet përshkrimi i trupit femëror që ata bëjnë, në poezitë ku si protagoniste është femra. Vërehet një prani e vazhdueshme ngjyrash, formash. Mendimet alegorike sjellin aromën e detit, vallëzimin, larmi figurash që shkojnë drejt kuptimit fillestar të poezive.

Është e tepërt të thuhet se poetët kanë arritur më së miri të krijojnë universin femëror sipas syve dhe mendjes mashkullore. Edhe pse të ndryshëm në lidhje me dashurinë, ata arritën të portretizonin të dashurat, mikeshat e tyre në formën më moderne dhe klasike njëkohësisht. Femra është engjëll dhe djall në të njëjtën kohë. Ajo dashuron dhe urren, fal gëzim por dhe vuajtje dhe të dy ata e dinë mirë këtë. Po e nisim me trajtimin e mënyrës se si Baudelaire dhe Migjeni japin format femërore.

 

  1. Përshkrimi i trupit femëror

Në poezinë Gjarpri që vallëzon, poeti jep përmes krahasimesh tiparet e vajzës.

 

“Sa më pëlqen nën ritmin përtacor,

  trupi yt që rrëzëllit,

e dashur, si një stof i butë vallëzor,

  lëkura të çliron dritë.

 

Po kur të shoh tek hapin shpejton,

  truplëshuara hirshumë

më ngjan një gjarpër që vallëzon

gjer lart sa një bastun.

 

 

Kurmi yt thyhet e tendoset prapë,

si një anijezë, pa bujë,

që shket duke zhytur e ngritur lart,

trupin e drunjtë në ujë”.[2]

 

Baudelaire duke përmendur trupin e vajzës i përmbledh të tëra. Migjeni kur përshkruan të dashurën fokusohet tek buzët dhe sytë.

 

Buzët e njoma të saj,

syt e zez e të mdhaj,

me harmoni vijash të bindshme

premtojnë një dashni të hijshme”.[3]

 

Baudelaire ndryshe nga Migjeni e përshkruan trupin e së dashurës teksa ajo është në përfundim të aktit seksual. Trupi i saj i ngjet anijes që ngrihet e fundoset mbi dallgë. Ndërsa për Migjenin duket se universi femëror përmblidhet te sytë dhe buzët. Përshkrimin fizik në harmoni me atë shpirtëror, Migjeni ia bën dhe murgeshës te Kënga skandaloze. Murgesha është e zbehtë ashtu si jeta që bën në kuvend. Supet e verdhë si dylli i qirinjve të kishës, buzët e holla e të kuqe e sytë bojë hiri. Sy pa ngjyrë që shohin veç ikona e portrete. Portretizimi është mjaft i goditur.

Përshkrimin e formave trupore të femrës, Baudelaire e ka bërë dhe në plot poezi të tjera. Te Anija e bukur, ravijëzohet koka krenare e saj në harmoni me qafën e gjerë dhe shpatullat e plota. Gjoksi i drejtë, këmbët fisnike, i ndjellin poetit lakmitar dëshirat më të errëta. Ai e sheh veten në përqafimin e krahëve të fortë. Edhe poezia Kënga e mbasdites është e përshkuar nga fjalët lakmuese e epshndjellëse për trupin e femrës.

 

Beli yt, aq i dëshiruar,

  ai gjoks dhe ajo shpinë,

bëhesh serioze dhe e mrekulluar

në çdo puthje dhe kafshim,

më shqyen, bukuroshja brune,

me atë të qeshurën mbresëlënës,

pastaj më vë në zemrën fatlume

syrin e ëmbël si të hënës”.[4]

Përshkrimit nuk i mungon as pjesa shpirtërore, e padukshmja, e fshehura nën çarçafë. Baudelaire kujdeset ta mbjellë mirë imazhin e femrës në memorien e lexuesit. Në përshkrimet e tij ai është më pak i turpshëm se Migjeni. Migjeni është delikat, i kujdesshëm dhe diskret. Baudelaire nuk e ka problem fshehtësinë. Migjeni e portretizon të dashurën në shumicën e rasteve në dhomën e tij, ndërsa Baudelaire se ka për gjë t’ia lëvdojë bukurinë dhe mes turmës, gjindjes. Poezia Një kalimtareje ka si protagoniste një vejushë, e tëra në të zeza, çka e bën dhe më tërheqëse figurën e saj.

“E hollë, e gjatë, në të zeza, o ç’dhimbje përrallore,

me këmbët si statujë, e shkathët dhe fisnike, e qetë”.[5]

“Le avete viste qualche volta su quelle panchine solitarie le vedove, le vedove povere? Se siano a lutto o no, è facile riconoscere. Qual è la vedova più triste e più rattristante? Quella che si trascina per mano un bambino con cui non può spartire le sue fantasie? O quella completamente sola?”.[6]

Vejusha i ndez instiktet poetit që e vëzhgon nga matanë rrugës. Ai e ndjen vetminë e saj në vështrimin që shkënbejnë. Pavarësisht se përshkrimi i vejushës është i ngjeshur figura e saj zbulohet përmes velit të zi që mban. E gjithë skena zhvillohet në mes të rrugës, mes zallamahisë së njerëzve, të cilët dashur pa dashur bëhen dëshmitarë të flirtit mes vejushës dhe poetit.

Një detaj që nuk na ka shpëtuar pa u vënë re është edhe atmosfera e krijuar te poezitë e tyre ku protagoniste është femra. Ngjyrat, deti, aromat e ndryshme e ndezin imagjinatën e lexuesit. Krahasimet, alegoritë, metaforat, asociacioni, flasin për një lidhje solide brenda logjikës së poezive.

 

  1. Ngjyrat

Një tipar që reflekton mendim alegorik, metaforik në poezitë e poetëve janë ngjyrat. Në poezinë me titull Z.B, shpaloset një anë e fshehtë poetike; erotizmi. Poeti i ndihmuar nga simbolika e ngjyrave arrin të pasqyrojë bashkimin me të dashurën. Poezia ka dy ngjyra; të kuqen dhe të kaltrën. E kuqja simbolizon përndezjen, eksitimin, ekstazën, por njëkohësisht dhe perëndimin, mbylljen e aktit seksual. E kaltra është simbol i pafundësisë, infinitit, eskplorimit të kënaqësive në rastin tonë. Një tjetër ngjyrë është dhe e zeza, e errta, që nënkupton thellësi, zhytje drejt honit femëror në kërkim të kënaqësisë maksimale. Gruaja i vjen atij nga zemra e errësirës dhe e fton drejt zbulimit të sferave të panjohura.

“Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë

të diellit përndimuer

me kuqlim e tisa purpuer,

me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand…”.[7]

Ngjyrën e zezë e hasim te poezia Një natë si dhe te poezia Ndeshja ku përmes toneve të errëta, poeti përshkruan ndarjen me gruan.

“O grue, që të ndesha në ditn e fatkobit tem,

kur prirja njellte e syt shikojshin zi”.[8]

Migjeni nuk ka lënë pa përdorur edhe të verdhën, të gjelbrën. E verdha i shkon për shtat murgeshës e cila e mbyllur në manastir, nuk e sheh diellin. Dhe sytë e saj janë bojë hiri si vetë jeta e nxirosur prej murgeshe. Vetëm buzët janë të kuqe, sikur duan të tregojnë moshën e re, dëshirat që i flenë kudo e që ajo i ka mbytur me arsye.

 

E kuqja i ndez zemrën poetit, buzët e kuqe në poezinë Dy buzë janë reflektim i rinisë, i dashurisë, afshit, eksitimit. Për të treguar dëshirën, eksitimin, ekzaltimin e të riut, Migjeni përdor ngjyrën e kuqe. Buzët e malësores janë të kuqe si qershiat në degë. Ato janë tregues i rinisë, i bukurisë femërore, përndezjes së vajzës teksa ëndërron. “Rrinë malësorja në prak të kasolles dhe në ftyrë të zbetë të sajën skuqen buzët mu si qershiat në degëz”. Në prozën Puthja e cubit, Migjeni e ngjyros ndryshe tablonë idilike. Këtu mbizotëron e gjelbra. Poeti e ndërthur të gjelbrën me kaltërsinë qiellore, si për të treguar pafundësinë e dëshirave rinore. Dila e shtrirë në bar, ëndërron sikur cubi e puth. Bari, (i gjelbër) vendi ku është shtrirë ajo është simbol i shpresës, Dila shpreson se cubi do vijë.

“Asht e flakët dëshira e Dilës në një ditë të shkëlqyeshme pranvere, kur, e shtrime në bar, ndien se si rreh gjaku ndër dej”.[9]

Përmes ngjyrave, Migjeni kërkon të jetësojë, të bëjë të kapshme atmosferën, situatat e krijuara duke i dhënë edhe më shumë tension, suspansë, ndriçim. Tonet, ngjyrat, koloritin e përdor dhe Baudelaire në veprat e tij. E kuqja, e kaltra, e gjelbra, e zeza, e verdha, krijojnë në tablonë e poetit një spektër madhështor, i cili ndriçon dhe krijon konture të forta. Baudelaire luan me tonet duke u dhënë jo vetëm domethënien përkatëse por u shton dhe rrafshin konotativ.

“Si immagini un ampio spazio di natura ove tutto si illumini di verde, di rosso, sfolgorante e liberamente mutevole, e tutte le cose, con diversi colori secondo la propia struttura molecolare, mutate di attimo in attimo allo spostarsi dell’ombra e della luce, agitate dall’interno lavorio dell’energia calorica, si trovino in una vibrazione perenne, la quale fa tremare le linee e porta a fine la legge del movimento eterno e universale. Verdi gli alberi, verde l’erba, verde il muschio; e il verde serpeggia nei tronchi, gli steli acerbi sono verdi; il verde è il fondo della natura perchè il verde si unisce senza difficoltà con tutti gli altri toni”.[10]

Baudelaire e ngjyros lypësen flokëkuqe me të bardhë për të treguar virgjinitetin dhe pastërtinë e saj: flokëkuqe, e bardhë si dëborë e panjollosur. Përmes simbolit të diellit, ai pasqyron gjinjtë e vajzës, në ngjyrë të verdhë, të ndezur si dielli i majit.

“Që nyjet e fustanit të zgjidhen pak nga pak,

e të zbulojnë për të shpënë në këdo në mëkat,

ato gjinjtë e tu të butë e të bukur,

si sy me diellin brenda futur”.

 

Në poezinë Flokët  tonet e përdorura janë të errëta.

“Do ta kredh kokën time me dehjen rënë në dashuri,

në atë oqean të zi, që edhe një tjetër nxë brenda;

Krifë flokësh blu, pavijon hijesh kudo të hedhura,

ti kupën qiellore ma bën më të shtrirë, më të paanë;

Mbi skajet e kadifejta të cullufeve të tua të shpërdredhura…”.[11]

E zeza karakterizon seksin e femrës, errësirën brenda honit. Krifa e flokëve me anët e kadifejta qëndron si rojtare e atij oqeani dallgëshumë. Baudelaire nuk heq dorë nga portretizimi i organit femëror me tone të errëta. Te Gjarpri që vallëzon, ai pikturon me të njëjtat ngjyra. Cullufet brune paralajmërojnë thellësinë e pamatë, krifa kaltëroshe e josh poetin për t’u thelluar dhe për të eksploruar qytetin e përjetshëm.

“Mbi kurorën e flokëve të dendur,

prehet i athti parfum,

det aromfortë e i kudogjendur,

valëzim i kaltër e brun”.[12]

Në poezitë e Baudelaire – it shihet dhe një formë tjetër ngjyrosëse, kontrasti. Të vënit përballë dy ngjyra të forta, që krijojnë kontrast të fortë jo vetëm ngjyrash por dhe idesh. Kështu ka ndodhur në poezinë Një e tërë, ku poeti vë përballë të zezën dhe rozën.

“Mes gjithë atyre kurbave plot bukuri,

që trupin ia kompozojnë magjishëm,

prej nga krijohet tërë ajo e saja fuqi,

nga pjesët zi e rozë të bashkuara lirshëm,

cila është më e ëmbla?”[13]

 

E zeza, pis si nata e zezë, është honi, errësira, forca diabolike, dominimi. Roza, është ëmbëlsia, qetësia, butësia. Të dyja ndërthuren tek femra duke dhënë herë – herë imazhin e femrës mashkull. Janë dy skajet e segmentit që veprojnë secili për vete. Poetit i pëlqente ashtu siç ishte diabolike dhe engjëllore njëkohësisht.

 

  1. Aroma

Po mundohemi t’i rendisim elementet përbërëse të poezive sipas një rendi logjik. Fillimisht është përshkrimi i trupit femëror, më pas ngjyrat që me simbolikën përkatëse e drejtojnë lexuesin drejt trajektores që ka përshkruar poeti. Pas ngjyrave vijnë aromat, teksa poeti shijon lakuriqësinë e vajzës, janë aromat dehëse që e nxisin të shpejtojë për t’u bërë një me të. Kur kemi folur për futurizmin, një nga tri elementet që sipas Marinetti – it duhej futur në art ishte aroma. Baudelaire dhe Migjeni kanë mundur mjaft mirë ta përçojnë aromën e ëmbël që femra bart. Baudelaire dehet, marroset nga era e gjinjve vajzërorë, nga aroma e athët e peisazhit që ka para syve. Ashtu i trullosur ai kompozon për këtë aromë ndjellëse. Poeti e përdor aromën për t’i dhënë hijeshi, për ta aromatizuar edhe më qenien femërore. Në poezinë Parfum ekzotik janë gjinjtë e ndezur të vajzës që e çojnë në ekstazë poetin. Ai ndjehet i eksituar, i dehur dhe teksa frymon gjinjtë e saj ndizet edhe më tepër.

“Kur frymoj aromën e gjinjve të tu të ngjeshur në zjarrmi

symbyllur, në ngrohtësinë e një nate vjeshte i mpleksur,

shoh para meje plazhe të lumtur, çmendurisht të feksur,

të dergjura nën një diell që ndriçon gjithë monotoni.

  I prirë prej aromës tënde drejt k’tyre pejsazheve magjikë…”.[14]

Aroma e gjinjve e transporton poetin në një dimension tjetër. Por ndërsa këtu dehet nga era e tyre në një tjetër poezi ai shkon edhe më tej. Është era e athët e asaj që mund ta quajmë perla e femrës, që meshkujt aq shumë e lakmojnë. Ai nuk ndalet por i këndon dhe kësaj arome natyrore që Natyra, Zoti a kushdo qoftë i ka falur vajzave. Kaçurrelat rreth e qark perlës kanë erën e tyre që ndërthuret me aromën natyrale duke krijuar  një pyll aromatik, i cili e tërbon poetin.

“Gjithë ajo botë e largët, e përhumbur, gati e vdekur,

jeton fshehur në thellësitë e tua, o pyll aromatik!”[15]

Baudelaire – in mesa duket e eksiton së tepërmi aroma që vjen nga trupi i së dashurës. Kjo e bën atë të hidhet në sulm si një dem i tërbuar. Ai luan shumë me këtë pjesë dhe pak herë fokusohet në aromën e trupit apo të buzëve.

“Mbi kurorën e flokëve të dendur,

prehet i athti parfum,

det aromfortë e i kudogjendur”.[16]

Nëse Baudelaire përqëndrohet veçanërisht në pika të caktuara kur është fjala për aromëra, Migjeni është më shumë përgjithësues. Nuk shkon aq larg sa të na servirë ‘pyllin aromatik’ të së dashurës. Edhe kur përmend aromën e gjinjve të gruas te Baladë qytetse e bën për një arsye të fortë. Vetmia në të cilën ndodhet gruaja shtron para poetit çështjen: pse kur ishte e re dhe kur gjinjtë e saj lulëzonin plot aromë ajo dëshirohej prej meshkujve ndërsa tash as sytë s’ia hedhin?

“Dikur,

kur gjit’e saj me kreni

shpërtheshin n’aromë,

kur ish e njomë

atëherë e dashurojshin shumë zotni”.[17]

Dhe sigurisht që vjen përgjigjia: gjinjtë e vajzave kanë aromën e luleve, të trëndafilave, aromën që të fashit dhe të bën të humbësh mendjen. Në poezinë Dy buzë ndjehet aroma dashurore, sensuale me të cilën poeti përshkruan buzët e saj. Ato buzë të kuqe janë simbol i rinisë, i gjakut që vlon. Aroma e tyre i ka mbetur në mendjen poetit pasi ndjesia që i dhanë ato buzë ishte e papërshkrueshme.

Migjeni e shpërngul aromën në natyrë, aty ku është dhe vendi më i përshtatshëm për të. Vajzat janë si pranvera, erëmira, të lulëzuara. Me ardhjen e pranverës, ato lulëzojnë njësoj si kopshtijet, dihasin aromat e luleve të sapoçelura. Atmosfera që krijon Migjeni është një klimë dlirësie, pastërtie që vetëm pranvera dhe vajzat mund ta krijojnë. Mund të themi se ndryshe nga Migjeni, Baudelaire është më i guximshëm, më pa komplekse, më pak diskret.

 

  1. Vallëzimi

Ajo që bie në sy në disa poezi të Baudelaire – it për femrën është vallëzimi. Edhe në këtë rast duhet të nënvizojmë faktin se nuk është fjala për vallëzimin në kuptimin e dansit, kërcimit. Vallëzimi përdoret për të na çuar në një tjetër drejtim. Nëpërmjet alegorisë, Baudelaire e drejton lexuesin drejt një tjetër kuptimi.

 

“Po kur të shoh tek hapin shpejton,

truplëshuara hirshumë,

më ngjan një gjarpër që vallëzon

gjer lart sa një bastun”.[18]

Gjarpri është femra, trupi i saj, gjarpri është i hollë, i lëvizshëm, përdridhet. Edhe femra në çastin kulmor të aktit seksual dridhet nën pushtetin e kënaqësisë. Vallëzimi i gjarprit është ekuivalent me ekstazën, çastin final. E njëjta situatë është dhe te poezia  XXVII, ku vallëzimi përdoret në funksion të vibrimit femëror.

“Me atë veshjen dallgëzuese e dritëlartë,

ti sikur vallëzon, edhe kur ecën qetësisht”.[19]

Ende pa filluar mirë kontakti fizik, ende pa kaluar në ekstazë, poetit i duket sikur e dashura vallëzon, dridhet, vibron. Baudelaire e përdor vallëzimin, të vallëzuarit si maskim pas së cilit fshihet arritja e kënaqësisë seksuale. Çuditërisht, edhe Migjeni jep përmes alegorisë të njëjtën gjë si Baudelaire. Edhe ai e e përdor vallëzimin si mbulesë për të fshehur kapërthimin e trupave, mpleksjen dhe ‘afshin e mbramë’.

“Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona

  më një valle dëfryese, pa marrun frymë”.[20]

 

Tek Migjeni është më i dallueshëm, më i kapshëm,  mendimi alegorik. Vallja dëfryese s’është gjë tjetër veçse kënaqësia që sjell akti seksual. Togfjalëshi pa marrun frymë e forcon kuptimin dhe ia bën më të lehtë lexuesit zbërthimin e poezisë. Trupat e të dyve janë në harmoni të plotë, pasi të vallëzosh do të thotë të ndjekësh partnerin, të bëhesh një me të, hapat të rezonojnë. Edhe poeti me të dashurën gjatë bashkimit seksual janë në harmoni perfekte.

Migjeni, në një tjetër poezi e rimerr motivin e valles për t’i dhënë një tjetër dimension. Është fjala për poezinë Baladë qytetse, ku protagonsitja e vetmuar, hedh hapat e para të çmendurisë.

“Dy hapa para, dy hapa mbrapa,

dy hapa majtas, dy hapa djathtas.

Jeta e saj asht kjo vall’e çmendun

në rrugat e qytetit tonë”.[21]

Vallja e saj e realizuar në rrugët e qytetit në mesnatë është tregues i vetmisë së gruas fatkeqe, i trishtimit dhe i gjendjes mendore të saj. Hapat e gruas rezonojnë me gjendjen mendore dhe shpirtërore. Migjeni e përdor të vallëzuarit edhe në një tjetër përmasë. Në prozën Studenti në shtëpi, Agia e lut të vëllanë t’i mësojë të kërcejë. Kërcimi këtu merr simbolikën e diçkaje të huaj, të importuar, të sjellë nga jashtë.

“Vajza nuk përgjegji, por, e zanun me tregimet e vllaut, mendonte ato vende të çuditshme, ku vajzat nuk lidhen për shtëpi, ku dalin me djem me shëtitë pa farë turpit, ku kërcejnë… ah! kërcejnë aq bukur.

– Nush! – bërtet vajza nga dhoma e zjarrmit, – a po më mëson me kërcye?”.[22]

Migjeni e nxjerr kërcimin në pah për të treguar mentalitetin e ndryshkur shqiptar, sipas së cilit të kërceje ishte turp, marrë. Pra, Migjeni e ka përdorur në disa forma vallëzimin, ndërkohë që Baudelaire është përqëndruar në një ngjeshje të mendimit poetik duke e thelluar kuptimin. Migjeni përveç rastit ku afron me Baudelaire – in, në situatat e tjera është më afër kuptimit denotativ të vallëzimit.

 

 

 

  1. Deti

Deti është i pranishëm si te Baudelaire dhe te Migjeni. Deti simbolizon pafundësinë, thellësinë, infinitin. Ndonësë në poezinë kushtuar Z.B – së, deti nuk përmendet, aty përmendet fjala liman.

“Ku në fund u pasqyronte një dashni e lume

si vegimet e fatbardhsis në limà,

mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb

dhe gëzime të pamatna gugon pa pra”.[23]

Pas dashurisë poeti dhe e dashura ndjejnë dashurinë e pastër njësoj si ëndërrimi në liman, në një gji deti. Duhet kuptuar që deti nuk është përdorur në kuptimin e drejtëpërdrejtë. Po kështu ka ndodhur dhe me Baudelaire- in. Në poezinë Parfum ekzotik e gjejmë disa herë emrin det, plazh por jo për të treguar kuptimin denotativ.

“Kur frymoj aromën e gjinjve të tu të ngjeshur në zjarrmi

symbyllur, në ngrohtësinë e një nate vjeshte i mpleksur,

shoh para meje plazhe të lumtur, çmendurisht të feksur,

të dergjura nën një diell që ndriçon gjithë monotoni.

I prirë prej aromës tënde drejt k’tyre pejsazheve magjikë,

  ja tek po shoh një port, grumbuj velash, direkë”.[24]

Siç dhe kuptohet, poeti është dehur nga aroma femërore, dhe në këtë dehje të ëmbël i dalin para syve plazhe, dete, porte. Këto s’janë gjë tjetër veçse figura të mendimit, me të cilat Baudelaire kërkon të shpalosë trupin, mishin, kënaqësitë e tij. Porti është vendqëndrimi i anijeve, ndërsa në poezi është vendqëndrimi i poetit, i cili gjendet brenda vajzës. Po kështu dhe në poezinë XXVII, deti me valët simbolizon vajzën e cila ecën rrugëve krejt mospërfillëse. Krahasimi është përsëri i goditur. Deti me valë apo dallgë, i qetë apo i tërbuar është tërësisht mospërfillës ndaj njerëzve, qiellit, diellit, shiut.

 

  1. Spleen, vjeshta, errësira.

Një tjetër tipar i dukshëm në poezitë e poetëve është dhe errësira, natyra vjeshtore, me ditë të gjata e monotone. Vjeshta dhe nata, janë ekuivalente me melankolinë, trishtimin por dhe me zgjimin e instikteve. Migjeni dhe Baudelaire e kanë futur në shkrimet e tyre këtë element, qoftë kur kanë folur për femrën, qoftë për gjendjen e tyre shpirtërore. Gruaja e Migjenit vjen nga zemra e natës në odën e tij. Terri e ndihmon t’u fshihet syve që e vëzhgojnë.

Situata dramatike e gruas fatkeqe në poezinë Baladë qytetse luhet në mes të natës, në rrugë të madhe. Duket sikur qytetit i vjen ndot nga gruaja (dikur e preferuara e meshkujve). Tani që vitet bashkë me helmin që ka mbushur shpirtin dhe trupin e saj e kanë kthyer në një hije që lëviz, askush se do. Poeti jo më kot e nxjerr gruan – hije të shëtisë natën vonë kur gjithçka ka rënë në gjumë, pasi dhe hijet natën dalin. Ajo endet rrugëve të zbrazura në mesnatë ku vetëm qielli dhe yjet i bëjnë shoqëri.

“Mbramë

qiella dhe hyjt e vramë

një ngjarje të trishtueme panë:

Një jetë e fikun, një jetë e shterun,

një za vorri, një jehonë,

që vallzon natën vonë

nëpër rrugat e qytetit tonë”.[25]

Migjeni pjesën më të madhe të shkrimeve të tij e zhvendos netëve pa hënë. Këtë e bën jo vetëm kur ka si modele femrën por edhe në rastë të veçanta si; Kanga e të burgosunit, Vjeshta në parakalim, Lagja e varfun,etj. Te Kanga e të burgosunit errësira përdoret për të treguar heqjen e lirisë, vuajtjen brenda mureve të qelisë. Sado që jashtë dielli shkëlqen, drita e tij të verbon sytë, në zemrën e të burgosurit ka vetëm terr, trishtim, verbim. Poezia në fjalë është alegorike pasi i burgosuri është vetë poeti.

 

 

Te Vjeshta në parakalim poeti krijon analogji mes stinës së vjeshtës dhe trishtimit njerëzor, monotonisë që vret.

“Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.

afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,

lëngon shpirt’i smun ndër krahnore tona…”.[26]

 

Nata me efektet e saj del më gjerë në poezinë Lagja e varfun. Aty jepen të gjitha përmasat e saj, por veçanërisht vetia themelore që është shplodhja. Kur vjen nata njerëzit flenë, pushojnë për të qenë gati të nesërmen. Por nata te Migjeni nuk është vetëm shplodhje nga puna e rëndë, është dhe varfëri, skamje.

 

Krahët e zez të një nate pa fund

e varrosën lagjen pranë,

dritë, jetë, gjallsi – askund,

vetëm errësirë e skam.

Pushojnë gjymtyrtë e shkallmueme

në punën e ditës së kalueme,

shërohen trutë e helmueme

  në gjumin e natës s’adhurueme”.[27]

 

Kështu si Migjeni, edhe Baudelaire e bën pjesë të poezive të tij stinën e vjeshtës dhe errësirën. Edhe ai kur përshkruan tone të trishta që natyra krijon i lidh këto me qytetin. Errësira tek të dy lidhet drejtëpërsëdrejti me qytetin që dremit. E pamë tek Lagja e varfun dhe e konstatojmë dhe te poezia Rrëfim.

 

 

Ishte shumë vonë; si medalje e sapodhuruar

hëna e plotë shndriste,

solemniteti i natës, si një lumë që kish vërshuar,

mbi Parisin që dremiste”.[28]

Nata kish mbuluar qytetin, Parisi flinte, ashtu si banorët e një qyteti të panjohur në Shqipëri.  Personifikimi i lugatit me poetin krijon tone të errëta që vetëm errësira është në gjendje të prodhojë.

 

“N’heshtje do rrëshqas pa të keq,

e do të afrohem tek i yti shtrat,

bashkë me hijet e së zezës natë”.[29]

 

Në poezinë Këngë vjeshte ndjehet trishtimi i poetit. Ai ka arritur kulmin e mërzisë dhe nis të aludojë për vdekjen, për varrin që e pret.

 

“Shpejt do të mbytemi në një errësirë të ftohtë e të mjerë;

tashmë brenda qenies time dimri ka ardhur e ka vjellë:

inat, tmerr, urrejtje, rrënqethje, punë të rëndë e të vështirë”.[30]

 

Trishtimi zë vend te Baudelaire veçanërisht në ciklin me poezi që mban titullin Spleen dhe Ideali. Poeti aspiron drejt idealit, drejt të pazakontës, ai nuk pajtohet me botën që e rrethon. Ai e krahason veten me lule të vyshkura (që janë tregues të vjeshtës) me një salon të dalë mode. Ai ndjehet i zbrazët, i plogësht, i akullt.

 

“Unë i ngjaj plot trëndafila të vyshkur, një të vjetri sallon,

Që vetëm gjëra të dala mode në veten e vet grumbullon,

Asgjë s’barazohet me plogështinë e ditëve çalamane,

Kur netëve t’akullta nën flokët e rëndë të borës mjerane,

Mërzia, ky fryt i trishtë i një moskokëçarjeje të pamasë,

Së përjetshmes i rrëmben çdo formë e çdo përmasë”[31]

Atmosfera e trishtë vazhdon edhe te Spleen IV . Shpirti i poetit është i tejmbushur dhe duket se do të shpërthejë. Ai i ngjan  një vullkani që fashit e djeg me llavën e tij.

“Kur qielli i plumbtë, i ulur e i rënduar si një mbulesë,

Mbi shpirtin vajtonjës, pre e ngashërimeve të gjata,

Gjithë vijën e horizontit puth e përqafon me dënesë,

Duke shpërndarë ditë të zeza më të trishta se nata”.[32]

Baudelaire e sheh veten në një dëshpërim pa rrugëdalje dhe këtë gjëndje e jep përmes stinëve, dukurive atmosferike, si shiu, bora të cilat simbolizojnë ftohtësinë, akullin, panikun. Ashtu siç ndjehet në shpirt ashtu dhe përçon ndjesitë e tij.

 

[1] Aurel Plasari, Princ përballë princërve, Tiranë, 1987, f. 302.

 

[2] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 44.

[3] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 44.

 

[4] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 74.

[5] po aty, f. 104.

[6] Charles Baudelaire, Opere, Lo spleen di Parigi, Milano, Mondadori, f. 402.

 

[7] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 42.

[8] po aty, f. 43.

 

[9] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 108.

[10] Charles Baudelaire, Opere, “Salon del 1846”, Milano, Arnoldo Mondadori Editore, f. 1017.

[11] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 41.

[12] po aty, f. 44.

 

[13] po aty, f. 56.

 

[14] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 40.

[15] po aty, f. 40.

 

[16] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 44.

[17] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 15.

 

[18] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 44.

[19] po aty, f. 43.

 

[20] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 44.

 

[21] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 15.

[22] po aty, f. 112.

[23] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 42.

[24] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 40.

 

[25] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 15.

 

 

[26]Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 27.

[27] po aty, f. 17.

[28] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 59.

[29] po aty, f. 78.

 

[30] po aty, f. 71.

[31] Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Tiranë, Shtëpia botuese “Plejad”, 2004, f. 85.

[32] po aty, f. 87.

 

Nga: Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s