Poezi nga Xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

MUZIKË E DHIMBJES

Perëndi, këtu jam, mes fryme tënde e dashurisë!
Më jep jetë, të prek me dorë, buzë e afsh atë
që shpirtin kaq shumë po më përvëlon e djeg! 
Perëndi, ky diell, kjo hënë, këta ujë, kjo tokë
mbajnë emrin e dashurisë: atë që të kërkoj,
më jep!
Se jam një anije në detin e trazuar,
valët turfullojnë gjithë egërsi e gjëmime,
por unë ndjej erë sheboje, zymbyli, e gonxheje,
është zëri që dua, mbetur kështu peshk mbi zall,
më dhemb dhe s’kuptoj ç’po ndodh me mua!
Një mjegull më tmerron, një flakë më thërret,
perëndi, më jep jetë të prek me duar, buzë e afsh atë
që shpirtin kaq shumë po më përvëlon e djeg!
Dua ta ndez e shkrijë tërë jetën me këto dy duar,
në zemër i ngreha gjithë gaz folenë e amshuar.

 

SONTE KAM JETËN PRANË

Nuk mbyll sy, nuk ikën një çast koha tutje,
të kam pranë e fare nuk di kur nisi nata.
Mendja më fluturon, zog, dallandyshe jam,
kujtimet më ikin, kujtimet më vijnë,
dëborë e flakë, njësh më janë bërë duart.
Buzët i ke, më shumë se fjalë, se këngë e nektar.
Sytë i ke, më shumë se lule, se kitarë e pyje.
Gushën kur më prek, gjoksin kur më shkrinë,
supet kur më merr… oh, të dua, mbretëri – greminë!
Nuk di ku jam, si fluturoj kaq lehtë
e pse këtu prapë duhet të kthej!
E amshuar, karroca jote diellore, por, – kohën tonë,
edhe nëse e plotë nuk është, e shpik!
Jetë, që sonte të kam pranë, rri këtu, mos ik!
Gjithnjë veç me kurora të mëdha lulesh
të vrullit tim, që po më mbyt, – të mbuloj, o shpirt!

 

JARGAVAN, MOS QAJ!

Të dua, sa peshon toka; për ty më griu kjo flakë!
Se nga mungesa jote, si thikë më pret dhimbja,
sa njëqind morte bashkë.
Mundësitë e mia i dua, si jetë e yjeve e gjithçka
tjetër e vlefshme… por pranë vetes nuk të kam.
Dhe një kokërr rërë, një shkelje plazhit me këmbë,
një përplasje në valë, një përqafim në dallgë,
një puthje, njëqind puthje… pastaj dhe të vdes,
s’e kam për gjë e jargavani qanë, mos qaj, jargavan!
O asnjë plumb nuk me vret më keq, se mungesa jote!
Lule e gjallë jam dhe veç për ty jetoj!
Më merr, më hidh ndër valë zjarri, në ajër pezull jetoj
e të dua, sa peshon toka, se jam një zonjë në kanape,
shtrirë me frymën e luleve të shegës dhe pres gjatë…
por më frikëson kaq shumë një gjeth që bie nga dega!
Nata tash po largohet, po gdhinë dita, por shprtin tim
të hollë kam varur në gozhdë të trashë të puthjes, e dua
dhe e kërkoj, ma jep, pastaj dhe të vdes, për gjë s’e kam.

 

DY BUZË QË S’ARRIJNË TË PUTHEN

Digjet fleta, pasqyra, malli që të shtyp jeta,
kur, të puthen dy buzë – s’arrijnë.
Nuk të shijon asgjëkafshë në duar, në shpirt, 
dhe dita ik, s’vjen. Nata ik, mbetet dhe nesër terr.
Po kush shpiku lotin, gjakun, llahtarinë në natë,
s’kishte parasysh dy buzë plot lëng të zjarrtë?
Se këto puthje dua, s’dua vulë fati kaq katran!
Pse këto saksi në penxhere më shumë akoma
se unë, tmerr nuk mbushen me lotë?
Kush shpiku dashurinë, nuk kishte parasysh
detin pa fund e skaj të xhanit tim?
Puthje dua! Buzët që rrënojnë shekuj e kodra!
Dy buzë që s’arrijnë të puthen? Jo! Puthje dua!
Puthjet që më shërojnë shpirt, më shërojnë ëndrra,
netët e mia të gjata, të gjata!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s